“Kisha gjithçka, dy gratë më të bukura të Italisë, Vanoni e Sandrelli dhe nuk ndjeja më asgjë”

Në një intervistë bombastike me “Corriere della Sera”, Gino Paoli rrëfen motivet që e shtynë të qëllojë në zemër

Gino Paoli, mrekullia italiane fillon në 1958 con «Volare» e Modugno dhe përfundon në 1963 me «Sapore di sale» tënde.

«E shkrova në gjysmë ore, sikur dikush po ma diktonte. Qenë vite të mrekullueshme, edhe punëtorët kishin 1500 lireta për të shkuar në Capannina dhe mendohej se do të zgjaste përgjithmonë, ama unë i shikoja retë e mëdha në horizont».

Dhe sinjali i parë i krizës qenë disonancat e pianofortit të futura nga Ennio Morricone në sulmin ndaj «Sapore di sale».

«Një gjeni, atëhere ende jo i famshëm: për ta pasur, mu desh të zihesha me produksionin. Por fillimi tronditës i  detyrohet kitares bas së vëllait të Little Tony».

Vitin ku doli kënga ndoshta më e bukur e shkruar ndonjëherë nga një italian, ju qëlluat veten në zemër.

«Kisha gjithçka dhe nuk ndjeja më asgjë. Dy gratë më të bukura të Italisë, Ornella Vanoni e Stefania Sandrelli, qenë të dashuruara me mua. Në garazh kisha një Porsche, një Ferrari dhe një Flaminia Touring. Çfarë gjëje tjetër mund të kisha? Doja të shikoja çfarë kishte nga ana tjetër».

Dhe hoqët frikën e vdekjes?

«Vdekja nuk më ngjall frikë. Miku i jetës time, Arnaldo Bagnasco, ishte i bindur se isha i depresuar prej incidentit rrugor ku kishte mbetur i vrarë një muzikant i ri. Kurse unë mendon se shtytja vendimtare ka qenë lufta».

(…)

Ju Paoli nuk ishit komunist?

«Jam i bindur se të mirat e intelektit dhe të natyrës duhen vënë bashkë, por komunizmi duhet të ishte një etapë drejt lirisë, anarkisë. “Anarchie avec une A grande comme amour”, thoshte Léo Ferré».

Në libër është edhe një portret i Léo Ferré.

«Gruaja, e lodhur nga tradhëtitë, e la dhe nga dëshpërimi i qëlloi mbi dy qentë e tij. I vrau edhe majmunin Pépée, të cilin Léo e adhuronte».

Si fëmijë ju merreshit me boks.

«Im atë më tha: nëse bokson, kusurin ta jap unë. Në Genova e pasluftës të kapeshe me grushta ishte një nevojë».

Është e vërtetë se je zënë me grushta edhe me Felice Maniero?

«Kriminaliteti e ka pëlqyer gjithmonë botën e spektaklit. Maniero po rrihte një grua. Unë ndalova dhe më dha një grusht të përkryer, shumë të bukur, në nofull. Në këtë pikë i thashë: dalim jashtë dhe e rregullojmë këtë punë. Qe i bindur: “Ajo grua është ime shoqe, ndërsa isha në burg më ka tradhëtuar me miqtë e mi. Nëse tani ti dhe unë kombinojmë grindje, më plasin brenda…”».

Dhe ju?

«E kundërshtova se nuk mund ta rrihte gruan në lokalin ku këndoja unë, ama zëri u përhap, Memo Remigi në tha: “Je çmendur Gino që do të ziheshe me grushta me kreun e krimit të Brenta?”. Në burg kam përfunduar unë, por një herë tjetër: rraha dikë që po kopaniste një qen».

I dhatë ndonjë grusht të përkryer edhe atij?

«Po, një tipi që më pa duke ecur dhe preku koqet. Vishej me të errëta, syze të errëta: qarkullonte zëri se ishte ters. E qëllova mu në fytyrë, më pas i thashë: e pe? Tersi ka ardhur vërtet».

Pse shkruani se spektakli është një botë m…?

«Sepse është gjithçka dukje. Sot më keq sesa dje. Dje kishim Mina dhe Vanoni. Sot dalin këngëtare që tregojnë të pasmet».

Jeni zënë me grushta ndonjëherë për politikë?

«Në korrikun e  1960 isha edhe unë nëpër rrugët e Genova. Për qeverinë Tambroni nuk më interesonte asgjë, por kur mësuam se në qytet për kongresin e MSI do të kthehej ish prefekti Basile, ai që kishte hartuar e të deportuarve në Gjermani, e kuptuam se duhej të luftonim».

Le të kthehemi natën e 11 korrikut 1963. Pse e qëlluat veten në zemër?

«E provova me ilaçet e gjumit, Nembutalin, të shoqëruar me calvados, por nuk më bënë asgjë. Mendova të hidhesha nga dritarja, por nuk doja t’i jepja nënës time dhimbjen e shikimit të një djali të copëtuar. Kujtoj se kisha dy psitoleta. I bëra provat duke u qëlluar me Derringer kalibri 5 brenda një libri bukur të trashë dhe shikoj se plumbi hynte në thellësi. Kështu u shtriva në krevat dhe e qëllova veten. Jo në kokë, gjithmonë për të mos ia dhënë atë dhimbje nënës time. Në zemër».

Si mbijetuat?

«Plumbi u ndal në perikard. Është akoma aty dhe m bën shoqëri; ka pushuar së tingëlluari kur kalon në metal detector. Më mirë kështu. Çdo herë shpjegohesha: kam një plumb në zemër dhe askush nuk më besonte».

Kush ju erdhi për vizitë në spital?

«Kam një foto me Rita Pavone dhe Teddy Reno. Ornella kaloi natën, për të mos rënë në sy. Në korridor Luigi Tenco përsëriste i shqetësuar: nuk bëhen këto gjëra…».

U tha se ju qetë qëlluar pasi kishit zbuluar historinë midis Tenco dhe Stefania Sandrelli.

«Kjo ndodhi më pas. Luigi më telefonoi: “Jam në krevat me Stefania”. E mora shumë keq dhe u prisha me të dy. Sikur të mos e kisha bërë, ai do të ishte akoma gjallë. Ajo telefonatë e tij nuk lindëte nga një mburrje mashkullore, por nga një ndjenjë mbrojtjeje. Tenco ishte shumë i lidhur me gruan time të parë. Ishte mënyra e tij për të më thënë se Stefania nuk ishte gruaja e duhur për mua».

Si ishte Tenco?

«Ai dhe unë kemi bërë imazhin e poetëve të mallkuar, pasi nëpër lokale, në vend të që kortezhonim vajzat, uleshim menjanë me fytyrë të ngrysur dhe të errët, alla James Dean, me grushtin në tëmth, kështu (për një çast Gino Paoli bëhet Tenco i ngrysur). Kështu vajzat vinin. Nuk e kam kortezhuar kurrë një grua; qenë ato që vinin tek unë».

Në realitet?

«Në realitet Luigi Tenco ishte një koqe kandari i madh. Argëtues, i adhuronte shakatë».

Çfarë shakashë?

«E preferuara e tij ishte ajo e kollares: afrohej duket qeshur, të vinte një dorë mbi shpatull, të bënte t’i flisje dhe ndërkohë me gërshërë priste kollaren. Një herë, pasi kishte parë një film mbi vetëvrasjen, e ribëmë skenën kryesore në një çati në Genova: unë shtiresha se doja të hidhesha dhe ai më mbante. U desh ta ndërprisnim, pasi ishte krijuar një turmë në pritje…».

Çfarë ideje keni krijuar për vdekjen e Tenco?

«Një goditje teatri jo e dalë mirë. Sikur kishte dashur të më imitonte mua: të qëllonte veten dhe të mbetej gjallë. Shkonte shumë një drogë e ardhur nga Suedia, Pronox, që të jepte një ndjenjë dyfishtëzimi, sikur nuk ishte më përgjegjshëm për veten… Sapo mora vesh lajmi u nisa drejt Sanremo. Festivali duhej ndalur dhe sikur të kisha qenë në garë do të arrija ta ndaloja. Takova Lucio Dalla dhe e mbështeta pas murit».

Pse?

«Do të duhej të tërhiqe. Aq më tepër që kënga e tij titullohej “Bisogna saper perdere”, sidomos pse aq më shumë që të gjithë e lidhnin Lucio me mua».

Praktikisht Dalla ka njohur gjithmonë se qetë ju ai që e bindët të këndojë.

«Thjesht kisha kuptuar se ishte një gjeni. Verës vërtiteshim me gjoksin e hapur me një dekapotabile dhe formohesin turma për të na parë: të dy leshatorë, nuk qemë një spektakël i bukur. Ndanim dhomën, nganjëherë krevatin, pa më lindur aspak dyshimi se Lucio ishte homoseksual. Herën e parë që e çova në një studio diskografike, kërkoi që të uleshin dritat. Në gjysmëhije e pashë të këndonte lakuriq, me brekët në kokë».

Guccini rrëfen se në Bologna qarkullonte një zë: Dalla ishte djali i Padre Pio.

«Sipas meje është vërtet e pamundur. Sigurisht e ëma e linte tre muaj në vit në manastir tek Padre Pio».

Guccini thotë edhe së kënga italiane e autorit fillon me «Il cielo in una stanza».

«Është historia e një orgazme. Pak rëndësi nëse me një prostitutë — unë jam i gjeneratës së kazinove, ku e pata fillimin tim në moshën 16 vjeçare, — me një grua që e dashuron ose vetëm. Është e njëjta gjë dhe ndërsa fillon, tashmë ka mbaruar».

Mogol e bëri Mina të këndojë «Il cielo in una stanza».

«Unë isha kundër, e konsideroja një ulëritëse. Nuk kisha kuptuar asgjë, ama është e vërtetë se Mina bëhet Mina me atë këngë. Kur përfundoi së incizuari, shpërtheu në të qara».

Dhe Celentano?

«Një fëmijë rreth 86 vjeçar. I pastër. Më ofroi të futesha në klanin e tij. E pyeta: kush komandon në këtë klan? Adriano u përgjigj: unë».

Dhe ju?

«I thashë: jo faleminderit, nuk do të mund të rrija në një klan ku nuk jam unë ai që komandoj».

Takimi me Vanoni?

«Pranvera e 1960. Kisha shkruar tashmë “La gatta”. Jam tek studiot Ricordi, në piano. Ngre shikimin dhe shikoj atë grua të shkëlqyer, zërin sensual, duart e mëdha që më kërkon t’i kompozoj një këngë asaj».

Ishte Ornella…

«Unë e kam mësuar të këndojë: pa mua do të vazhdonte me këngët e botës së krimit me të cilat ajo, familje borgjeze, nuk kishte të bënte aspak. Ornella ma ka mësuar seksin. Isha plot me ndjesi faji. Me të kam mësuar të flas duke bërë dashuri. Më parë shkoja në shtrat me këdo që merrte frymë; me Ornella ka zbuluar lirinë dhe natyrshmërinë».

Është e njohur se juve ju kanë treguar se Vanoni ishte lezbike dhe Vanoni se ju ishit gei.

«Qemë në një bar në Milano. Një bar i shëmtuar, kamarierë të pasjellshëm. E pyes me zemrën në dorë: po ty të pëlqejnë femrat? Ornella dridhet, më përgjigjet që jo dhe më pyet: po ty të pëlqejnë burrat? U puthëm plot pasion,  çova në një hotel që e frekuentoja, plot me prostituta dhe u mbyllëm në një dhomë».

Ama ju ishit i martuar tashmë.

«Me Anna. Isha tek Bussola me time shoqe dhe vjen Ornella, që e sheh, trishtohet dhe vallëzon gjithë natën me Sergio Bernardini, duke i qarë mbi shpatull. Më pas shkoj në hotel në Viareggio dhe zbuloj që edhe Ornella ka marrë një dhomë aty. Paralajmëroj katastrofën dhe i kërkoj portierit të më zgjojë në 7, për ta mbajtur situatën nën kontroll. Por ai maskarai nuk më zgjon dhe kur zbres poshtë për të ngrënë mëngjestin i gjej që të dyja, Ornella dhe Anna, të ulura bashkë që më thonë: “Tani duhet të zgjedhësh. O njërën, ose tjetrën”».

Dhe ju?

«I shava që të dyja dhe u largova».

(…)

Herëpasëhere ju fyenit publikun.

«Në Bussola e filloja koncertin me “Non andare via”, versioni im i kryeveprës së Jacques Brel. Publiku zhurmëronte: “Bëj këngët tuaja!”. E qetësoj dhe pastaj e shaj: “Idiotë! Nëse nuk kuptoni Brel, nuk më kuptoni as mua”. Në plate qenë Agnelli dhe Moratti. Parandjej një katastrofë tjetër».

Në fakt?

«Mbrëmjen e nesërme ishte një turmë e madhe, nuk arrija të hyja. Të gjithë borgjezët qenë aty për t’u sharë nga Gino Paoli».

Herë të tjera kënduar duke i kthyer krahët publikut.

«Filloja me “Il cielo in una stanza” dhe midis një strofe dhe tjetrës një tip në radhë të parë më ulëret: Chiove a zeffunno! “Quando sei qui con me…”. Dhe ajo: Chiove a zeffunno! “Questa stanza non ha più pareti…”. Chiove a zeffunno! Mu desh të ndalesha dhe ta pyesja: mund ta di çfarë do? Donte një këngë napoletane – chiove a zeffunno do të thotë që bie shi me gjyma – që nuk e kisha dëgjuar kurrë. U largova».

Pastaj vjen ’68 dhe ju tërhiqeni nga skena, seriozisht.

«Ishte një revolucion fals. Nuk më përkiste dhe im atë më kishte mësuar se kur nuk ke asgjë për të thënë, duhet të heshtësh. Kështu që u tërhoqa në Levanto, ku hapa një lokal».

Dhe ju kushtuat drogës.

«Isha bërë rob i saj. Për dy vite. E kisha filluar me një cigare, për të rikuperuar zërin. Pastaj kam provuar gjëra gjithnjë e më të rënda. Por kur kapën furnizuesin tim, e lashë. Jo për virtyt, prej nevojës».

Me alkolin ka qenë më e vështirë.

«Për 20 vjet e kam kaluar me një shishe uiski në ditë. Tani, siç e shikoni, nuk e pij as edhe një pikë».

Ama në libër qaheni se nuk shpëtuar njeriun që ju donte më shumë.

«Tim vëlla Guido — një fizikan, shumë inteligjent — u zhyt në alkol pa mundur të unë ta kuptoja».

Dhe në jetë tuaj hyri një grua që tani është gruaja juaj, Paola.

«Ishte 15 vjeçe. E refuzova: nuk doja të përfundoja sërish në burg. U kthye pasi kishte mbushur të 16at. Në atë kohë kisha një grua në çdo qytet: Paola u përball me të gjitha. Rivalja më e rrezikshme, ajo e Torino, gati një e fejuar, u vuri në arrati duke i shfaqur një thikë me dorezë të madhe».

Është e vërtetë që tek diskografët paguheshit me arkë?

«Ishte mënyra e vetme për të mos u zhdukur gjithçka. Koncertet e para mi paguanin në kesh, unë i fusja paratë në një qese dhe e përmbysja në tavolinën e shtëpisë: kush donte, merrte. E kam nëshkruar kontratën e parë në Milano me kompaninë Ricordi, dola nga Galleria, ishte një tryezë me tartufë dhe fillova t’i qëroj si karkalecët e pjekur. Pastaj hyra në një konçensionare automobilash dhe bleva një Austin-Healey 3000, me kambion anglezçe që nuk dija ta përdorja. Bëra gjysmë Milano – Genova me të parën; në Voghera fika motorin. Ju pëlqen kjo shtëpi?».

Nga taraca shikohet Liguria nga Portofino në Bergeggi.

«Një gjysmë ma bleu RCA, gjysmën tjetër CGD. Përndryshe nuk do të më kishte mbetur asgjë».

Edhe Califano e filloi karrierën falë teje.

«Një talent i çmendur, fatkeqësisht i shkatërruar nga droga».

Si Chat Baker.

«Në Versilia kishte gjetur një mjek që i kalonte ilaçe si morfina. Vetëm se duhej të çpohej shumë herë në ditë. Shkoi në krizë, nuk gjendej një cep lëkure ku t’i injektoje metadonin: në fund e çpuan këtu, nën sy, dhe e shpëtuan».

Si e gjeni Meloni?

«E vockël, e ashpër, kokëfortë. Jam i kënaqur që është një grua në Palazzo Chigi. Duhet të zgjedhim më shumë».

Pse?

«Sepse janë më inteligjente. Vlen edhe për qentë, e dini? Unë kam vetëm femra: Nana, një bulldoge; Lula, një labrador; Leila, një qenkujkonjë çekosllovake».

Dhe nga e majta kush ju pëlqen?

«Schlein është një mister: nuk e njoh historinë e sa, nuk e kuptoj sesi e drejton partinë. Gjej interesante Greta Thunberg. Varka mbytet dhe në bordin e saj jemi të gjithë».

Grillo?

«Është një mik, si Antonio Ricci dhe Renzo Piano dhe miqtë nuk gjykohen. Është një idealist që donte vërtet të bënte diçka për vendin; sesi e ka bërë, është një diskutim tjetër».

Vitin tjetër ju do të mbushni 90 vjeçët.

«Do ta festoj duke përqafuar Krishtin e ultësirave, në detin e San Fruttuoso. Deri në Covid e bëja çdo verë, në zhytje. Tani do të rifilloj».

Bota e përtejme ekziston?

«Nuk e kam me siguri, por me bindje po, një lule që vdes dhe rilind. Pse ne jo? Por me vetëdijen tonë çfarë do ndodhë? Është nga ajo natë e korrikut 1963 që jetoj me këtë kuriozitet».

(Aldo Cazullo për Corriere della Sera)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

Në mjegulla tragjedish

Agim Xh. Deshnica Shekspiri mendueshëm ecën në muzg, Pelerinë e flokë supeve, era ia trazon. …