Nga Simon Johnson & Daron Acemoglu “Project Syndicate”
Demokracitë në mbarë botën, përballen aktualisht me dy kërcënime kryesore:një krizë legjitimiteti dhe me regjimet autoritare gjithnjë e më agresive. Ajo që i lidh të dyja dhe i bën shumë më të rrezikshme, është efekti shkatërrues i transfertave të parave të pista, veçanërisht i atyre që fshihen nëpër parajsat fiskale, të cilat kanë një sekret financiar të tepruar.
Kufizimi i këtyre parajsave fiskale, dhe kërkesa për më shumë transparencë në flukset financiare ndërkufitare, duhet të shndërrohet këtë vit në një prioritet kryesor për të gjitha vendet e G7. Kërcënimi i brendshëm për demokracinë, është një dobësim i ndjeshëm i legjitimitetit.
Në ekonomitë industriale si në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, teknologjitë e reja, rritja e flukseve ndërkufitare të kapitalit dhe pengesat më të pakta ndaj tregtisë, e rritën produktivitetin mesatar dhe krijuan rritje ekonomike gjatë 50 viteve të fundit, por përfitimet e kësaj rritjeje nuk u shpërndanë gjerësisht.
Pabarazia brenda këtyre vendeve është rritur në mënyrë drastike që nga mesi i viteve 1970, dhe miliona njerëz e ndjejnë tani se janë lënë pas dore. Mbështetja për demokracinë, dobësohet nga besimi se loja ekonomike është “e manipuluar”, dhe njerëzit që janë tashmë të fuqishëm dhe të privilegjuar fitojnë më shumë ,ndonjëherë në kurriz të pjesës tjetër.
Ndërsa ky pretendim mund të jetë i ekzagjeruar, ai përputhet me realitetin e evazionit fiskal. Parajsat fiskale u japin mundësi të pasurve që jo vetëm të ndërtojnë pasurinë e tyre pa paguar taksa, por edhe të ushtrojnë fuqi ekonomike dhe politike larg syve kureshtarë dhe pa asnjë llogaridhënie.
Një listë e parajsave fiskale përfshin shtetet e vogla të Karaibeve, por edhe vendet e respektuara gjerësisht, siç janë territoret britanike jashtë shtetit (Ishujt e Virgjër Britanikë, Bermuda dhe Ishujt Kajman), Holanda, Zvicra, Luksemburgu, Singapori dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Bashkëpunëtorë janë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe. Rregullat e tyre të fshehtësisë financiare, lejojnë që atje të strehohet një sasi e jashtëzakonshme parash të huaja (dhe të paligjshme). SHBA-ja kryeson në Indeksin e Fshehtësisë Financiare.
Për pasojë është ngritur një industri shumë miliarda dollarëshe, e cila ka punësuar disa nga avokatët, kontabilistët dhe konsulentët më të zgjuar në botë, të fokusuar tek ndihma ndaj të pasurve dhe njerëzve të paskrupullt. Parajsa fiskale janë veçanërisht të dobishme për njerëzit që kanë pasuri me origjinë nga ryshfetet, vjedhjet dhe forma të tjera të korrupsionit.
Të qenit në gjendje të fshehësh identitetin e palëve në çdo transaksion financiar, është një nga kërkesat kryesore për të operuar në një parajsë fiskale. Dhe kjo formë e inxhinierisë financiare e korrupton demokracinë. Akoma më keq, ajo e shton kërcënimin e dytë të madh me të cilin përballemi:forcimin e regjimeve autoritare.
Paratë e pista në parajsat fiskale, e bëjnë më të lehtë mbështetjen e kandidatëve, manipulimin e opinionit publik dhe bindjen e njerëzve që të votojnë për një diktator. Paratë e pista të oligarkëve rusë, kanë qenë prej kohësh një shtyllë kryesore e ekonomisë dhe sistemit politik të Rusisë.
Marrëdhëniet e ngushta të presidentit Vladimir Putin me burimet e parave të pista janë të mirë-dokumentuara. Por më pak në vëmendje ka qenë mënyra se si transaksionet jo transparente, e kanë lejuar qeverinë kineze të ndërtojë një perandori të madhe të ndikimit global.
Ne kemi filluar vetëm tani të shohim se sa shumë u detyrohen kompanive të ndryshme të mbështetura nga Kina vendet me të ardhura të ulëta, veçanërisht në Afrikë. Në lidhje me këtë çështje, thuhet se Partia Komuniste e Kinës ka “investuar miliarda dollarë” në një fushatë globale keqinformimi.
Këtu përfshihen edhe përpjekjet e fokusuara në zgjedhjet e fundit, por edhe ato të afërta në SHBA. Po ashtu është bërë e qartë se një sasi e madhe parash rrjedh nga Irani për organizata të tilla si Hamasi në Gaza, Hezbollahu në Liban dhe forcat Houthi në Jemen, të cilat tani po godasin me raketa mbi anijet tregtare që kalojnë në Detin e Kuq.
Gati i gjithë ky financim iranian lëviz nëpër kanale të errëta, duke përfshirë sipas SHBA-së edhe kompani në Turqi dhe Jemen. Mbyllja e këtyre kanaleve do të jetë e vështirë. Por mënyra më efektive për të luftuar paratë e pista – dhe financimin e regjimeve autoritare, kriminalitetit dhe terrorizmit – është mbyllja e dhjetëra parajsave fiskale që ekzistojnë aktualisht në mbarë botën.
Një veprim i tillë, do të rriste mbledhjen e taksave në vendet demokratike, dhe do të reduktonte burimet në dispozicion të regjimeve autoritare. Ironikisht, disa prej këtyre parajsave fiskale janë të rrezikuara nga ndryshimet klimatike. Ato janë duke kërkuar ndihmë ndërkombëtare për t’u përballur me rritjen e mundshme të nivelit të detit dhe stuhitë më të forta.
Nëse këto shtete ishullore dhe juridiksione të tjera dëshirojnë të marrin pjesë në mekanizma të rregullimi të drejtë dhe të arsyeshëm (si financimi i lidhur me klimën apo lehtësimi i borxhit), të financuar pjesërisht nga G7-a, ata duhet të përmbushin kërkesat e rritura të transparencës.
Një element kyç, duhet të jetë zgjerimi i rregullave “njih klientin tënd” në të gjitha këto juridiksione, të mbështetura nga dënimet e duhura penale. Veçanërisht, duhet të ketë një zbulim të plotë për autoritetet tatimore të G7 në lidhje me atë se kush zotëron çfarë asetesh, dhe kush i bën cilat pagesa kujt.
Mjerisht, një nivel i caktuar evazioni fiskal është i ligjshëm, për shkak të fuqisë lobuese të konsulentëve dhe kontabilistëve ultra të pasur dhe të fuqishëm, të cilët do të argumentojnë se nëse mbyllen hapësirat ekzistuese, bizneset produktive do të zhvendosen diku tjetër.
Por kjo duhet të kundërshtohet me një parim të thjeshtë, që duhet të ndahet nga të gjitha vendet e G7-ës:fitimet e biznesit tatohen në proporcion me vendin ku ndodhin shitjet. Për shembull, nëse e zhvendosni selinë tuaj (apo juridiksionin e pronësisë intelektuale) në një vend tjetër, duhet të paguani tatimin në SHBA bazuar në aktivitetin tuaj atje.
Marrëveshja e G7-ës mbi një taksë minimale globale ndaj korporatave, ishte një hap në drejtimin e duhur, por duhet bërë shumë më tepër. Në epokën e Inteligjencës Artificiale (AI), ne duhet të presim që shumë nga të pasurit të bëhen edhe më të pasur. Dhe mesa duket ata do të përdorin mjetet e AI për të shmangur taksat në një mënyrë më efektive.
Sipas marrëveshjeve aktuale ndërkombëtare, kjo do të jetë e lehtë për t’u realizuar. Por Inteligjenca Artificiale mund të ndihmojë edhe në zbulimin e evazionit dhe shmangies së taksave, si dhe të flukseve të pazakonta të parave, të cilat janë shpesh të paligjshme.
Për ‘baronët’ e teknologjisë që flasin vazhdimisht për përdorimin e AI për synime të mira, ja ku është edhe një sfidë tjetër:mbështetni përhapjen e shpejtë të mjeteve të reja të bazuara tek Inteligjenca Artificiale, për të goditur evazionin fiskal dhe parajsat fiskale.
Shënim:Simon Johnson, ish-kryekonomist në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe profesor në Shkollën e Menaxhimit në Institutin e Teknologjisë (MIT) në Masaçusets. Daron Acemoglu, profesor në Institutin e Ekonomisë në MIT.