Fan Noli: Unë jam kundër çdo diktature!

Nga Agim Xh. Dëshnica

“Flamur bujar për Njerëzi”- Fan S. Noli

UNË JAM KUNDËR ÇDO DIKTATURE- Noli 1961

Në vitin 1982 me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nolit, Vatra dhe UNESKO, në konferenca të posaçme shkencore përkujtuan me nderim, ashtu siç i takonte birit të Kombit Shqiptar, Theofan Stilian Nolit

Ndërkohë në gazetën Bashkimi në Tiranë, u botua një shkrim kritik ndaj Fan Nolit, përgatitur nga kalemxhijtë “nolistë”, nënshkruar nga E. Hoxha. Për anëtarët e partisë ky shkrim qe urdhër, të mos merrnin pjesë në Konferencën përkujtimore! Shumë ftesa u anulluan. Salla e Kuvendit e caktuar më parë, u zevendësua me sallën e vogël të Institutit të Lartë të Arteve. Në mes të presidiumit, i ndriçuar nga prozhektorët, qëndronte drejt busti i diktatorit. Lart në këndin e djathë, fotografia e vogël e Nolit, kishte humbur  në muzg. Për cilin bëhej mbledhja përkujtimore, për Fan Nolin apo Enver Hoxhën? Ata që ishin ulur lart, u njoftuan të zbrisnin poshtë, dhe së bashku me dëgjuesit në fund të sallës të afroheshin në radhët e para. Në ato çaste kur ndonjë hidhte sytë drejt fotografisë në kënd kishte përshtypjen se Noli në shënjë proteste ishte larguar nga salla.

Reporterët e kameramanët, sipas udhëzimeve,  ë TV dhe në gazetën Bashkimi paraqitën vetëm ata që ishin ulur në presidium dhe në tri rradhët e para. Pra si zakonisht krijuan pamjn se salla ishe mbushurpërplot.

JETA E NOLIT- PARA E GJATË LUTËS SË PARË BOTËRORE

Brenda hapësirës e këtij shkrimi përkujtimor është e pamundur të tregohet jeta dh e veprimtaria e gjithanëshme e Nolit.

Nëse Autobiografia e tij,  lexohet pa hyrje e parathënie, Noli merr pamjen e një mali të lartë, të cilin „profesorët nolistë“ janë orvatur më kot ta vendosin në krahun për të cilin nuk pat ëndërruar  kurrë.

Fan S. Noli lindi më 6 janar 1882 në një familje shqiptare, në qytezën Ibrik Tepe, pranë Edrenesë, në Turqi. Mësimet e para i mori në vendlindje, në shkollën gjashtëvjeçare për katër vjet. Mësimet e mesme i kreu në gjimnazin grek të Edrenesë. Ndërkohë bashkëpunon me shoqëri të ndryshme artistike. Më 1900 për pak kohë punon në Stamboll. Me shpresë për t’u regjistruar në universitet, niset për në Athinë. Gjen punë vetëm si sekretar pranë një mësuesi grek. Me rekomandimin e tij, pranohet në një kompani artistike. Askush nuk e beson se Noli i ri qenka “arratisur natën për borxhe”, siç nxihet në një letër të sajuar.nga dora e një shkrimtari që merrej me tregime  fantastike venturash. Në shoqërinë e aktorëve Noli u shqua për mirësjellje dhe për talent në artin dramatik. Punon me ta rreth tre vjet. Viziton shumë vende të Perandorisë Turke, Ballkanin, Turqinë dhe Afrikën, të cilat i lanë mbresa të pashlyeshme. Në këto kohë kërkon të lidhet me lëvizjen patriotike shqiptare, me Nikolla Naçon në Bukuresht dhe Faik Konicën në Belgjikë.

Me kompaninë u nda në Egjypt.

Më 1902 nis veprimtaria e tij atdhetare, e lidhur ngushtë me krijimtarinë artistike. Boton në gazetën Drita, të Shahin Kolonjës. Siç del nga letrat dërguar  atdhetarëve shqiptarë në Egjypt, u njoh e bashkëpunon me Jani Vruhon, Thanas Tashkon, Spiro Dinen.“ Me ndihmën e tyre financiare, përkthen e boton në greqisht veprën e njohur të Sami Frashërit, “Shqipëria, ç’është, ç’ka qenë, e ç’do të bëhetë.” Sipas këshillave dhe ndihmës së tyre bujare, në moshën 24 vjeç, më 10 maj 1906 mbërrin në Nju Jork. Po atë ditë niset për në Bafallo, ku ndodhej shoqëria “Mall’i Mëmëdheut“, themeluar nga Petro Nini Luarasi. Pas tre muajsh, me ftesë të Sotir Pecit, vjen në Boston dhe bashkëpunon në gazetën Kombi. Më 8 janar 1907, themelon shoqërinë patriotike Besa-Besën dhe më 15 shkurt 1909, gazetën Dielli. Kjo gazetë historike i shërbeu çështjes së madhe, lirisë dhe pavarësisë së Atdheut. Aty lexuesit shqiptarë njohën penën e artë të Fan S Nolit.

Theofan Stilian Noli njihet si themeluesi dhe drejtues i Kishës Ortodokse Shqiptare të pavarur në Amerikë.Eshtë koha, kur më 1908 dorëzohet prift në Kishën e Shën Kollit, në Nju Jork.Meshën e parë e jep në gjuhën shqipe, në Boston.Ndërkohë studion për katër vjet në Universitetin Harvard dhe më 1912 diplomohet me sukses për letërsi. Të kësaj kohe janë krijimet në revistën Albania, në gazetat Dielli, Drita etj.

Në vitet 1910 e 1911, përpara shoqërisë Besa-Besën, mban fjalime të zjarrta në përkrahje të kryengritësve shqiptare në Kosovë, duke ngritur lart luftën e trimërinë e tyre, me Isa Boletinin e Idris Seferin në krye, në betejat e Cernalevës e në Grykën e Kaçanikut.

Më 1911, i ngarkuar me mision fetar e atdhetar, viziton kolonitë shqiptare në Bukuresht, Sofje e gjetkë, i pritur me dashuri nga shumë bashkatdhetarë.Në praninë e tyre meshon me gjuhën e bukur shqipe. Pas një largimi të gjatë, në Sofje pati një takim të mallëngjyer me prindët e të afërmit e vet, mandej një ndarje tepër të hidhur.

Në kohën kur Perandoria Turke po humbiste Ballkanin, me nismën e Nolit e Konicës, shoqëritë shqiptare Besa–Besën, Arësimi, Malli i Mëmëdheut, Hylli i Afërditës etj. u bashkuan në Federatën Panshqiptare Vatra, me seli në Boston, më 28 prill 1912. Sekretar i Komisionit

Qendror u zgjodh Fan Noli, kurse Faik Konica me Kristo Floqin u caktuan organizatorë të degëve. Noli zgjidhet kryetar i Vatrës më 17 korrik 1915 dhe më 1 korrik të vitit 1917. Krahas Diellit botohet në anglisht, Revista Adriatike.

Federata Panshqiptare Vatra në ato vite, mori pamjen e një qeverie në mërgim. Drejtuesit e saj u mirëpritën nga institucionet zyrtare, si përfaqësues të Shqipërisë. Me ligjëratat e tyre të shkëlqyera, mbrojtën çështjen shqiptare. Fan Noli shpesh largohej i ngarkuar me detyra të rëndësishme. Në vjeshtën e vitit 1912, kur Atdheu ndodhej para rrezikut të copëtimit, i dërguar nga Vatra ndodhet në Londër.Nga kryeqyteti britanik, përshëndet Ismail Qemalin për shpalljen e pavarësisë.

Më 1913 Federata Vatra, me udhëhqës si Noli dhe Konica, me anën e gazetës Dielli, mitingjeve të fuqishme, momerandumeve dhe telegrameve, të shumta, protestoi me vendosmëri, kundër vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, të ciëtt përgjysmonin teritoret e Shqipërisë.

Në mars të atij viti Noli së bashku me veprimtarë të tjerë, merr pjesë e flet në Kongresin e Triestes, të organizuar nga Faik Konica, për çështjen e tërësisë tokësore të shqiptarëve. Në korrik viziton për herë të parë tokën amtare. Më 1914 ndodhet përsëri në Shqipëri, në shërbesat e Kishës Ortodokse Shqiptare.

Gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918, Shqipëria u kthye sërish në një arenë të rrezikëshme për të ardhmen. Në emër të Vatrës, vatranët me Nolin në krye, vepruan gjallërisht me një politikë të zgjuar, kundër qëllimeve grabitqare të shteteve ndërluftuese.

Në momerandumin e dates 28 nëntor 1918, dërguar Preidentit Uillson, ku firmatari kyesor është Fan Noli, pasi parashtroi histornë e Shqipërisë jugore, kaloi  në çështjen e Kosovës. Ndër të tjera shkruan “Arsyet etnografike nuk janë të vetmet ato, të cilat kërkojnë korigjimin e kufijve në emër të Shqipërisë.. Humbja përfundimtare e krahinave pjellore të Kosovës dhe Çamërisë, apo Epirit të Jugut, do të gjymtojë jetën ekonomike të shtetit shqiptar. Qytetet e Pejës, Prizrenit, Gjakovës , Strugës e Dibrës që iu dhanë Sërbisë e Malit të Zi janë tregje të krahinave që iu hoqën Shqipërisë në mënyrë krejtësisht absurde dhe të padrejtë nga Konferenca e Londrës.”

Lidhjet e fuqishme me veprimtarët në Atdhe, ndihmat dhe nxitja e luftës së tyre për çlirimin e mbrojtjen e tij, u kurorëzuan me Kongresin e Lushnjës dhe formimin e Qeverisë së Sulejman Delvinës.

Më 1920, në emër të Qeverisë Shqiptare, Noli merr pjesë në bisedimet e Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë. Në debatet për çështjen e kufijve, si një diplomat i madh, hedh poshtë argumentet e delegatëve fqinjë, me ligëratat e njohura në histori. falë zotësisë së tij, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve.

Më 1921 kthehet në Atdhe. E shohim Peshkop në Korçë, Metropolit në Durrës. Si i dërguar i Vatrës merr pjesë në jetën politike dhe zgjidhet deputet. Gjatë seancave parlamentare Noli ngrihet e flet për çështje të pazgjidhura kombëtare, për probleme të ndryshme ekonomike e shoqërore.Ligjerata e njohur e Nolit në nderim të presidentit amerikan Udrou Uillson, shpreh respektin e thellë të popullit shqiptar ndaj SHBA, si e vetmja shpëtimtare e Shqipërisë.

Vrasja e Avni Rustemit, më 20 prill 1924, shkaktoi papritur zëmërimin e anëtarëve të Shoqërisë Bashkimi dhe deputetëve të opozitës. Kjo ngjarje në histori njihet me disa emra. Analistët e historisë e quajnë, disa “Kryengritje, disa “Revoltë”, disa “Grusht Shteti” dhe “i ashtuquajtur Revolucion”, por zakonisht në tekstet e historiografisë së majtë, emërtohejme bujë „Revolucioni Demokratik i Qershorit“. Kjo lëvizje intelektualësh, e përkrahur nga qytetet dhe zonat fshatare, u zhvillua pothuaj paqësore, herë si marshim me armë në sup, herë si procesion fetar me qirij ndër duar, ku fryma gandiste e Peshkopit Theofan, ishte e pranishme kudo. Në gjendjen e krijuar, Noli gjykoi drejt, ku mori përsipër me short drejtimin e Qeverisë e re.

Më 10 e 12 qershor 1924, në emër të Vatrës Konica përshëndeste:“Lutemi bëni të njohur ushtërinë kombëtare simpatitë tona prej zemre për veprimin patriotik të saj…Vatra uron ushtërinë kombëtare dhe udhëheqësit civilë e ushtariakë të revolucijes shpëtimtare për suksesin e shkëlqyer.”

Sipas Qerim Panaritit, “Me bekimet e Konitzës dhe të Vatrës Noli më 17 qershor 1924 formoi Kabinetin si pason: Noli, Kryeministër; Sulejman Delvina, Ministër i Punëve të Jashtme, Kolonel Kasëm Qafëzezi, Ministër i Luftës; Luigj Gurakuqi, Ministër i Financave; Qazim Koculi, Ministër i Punëve Publike; Stavro Vinjau, Ministër i Drejtësisë.”

Programi i Qeverisë me tipare amerikane, në fakt ishte një hap përpara në zhvillimin demokratik të viteve 20, por siç dihet për mungesë kohë nuk mundi të zbatohej tërësisht.. Më 24 dhjetor 1924, kur Qeveria Demokratike ra pas kërcënimit  me armë të Zogut.   Noli me  qeverinë u detyrua të largohej nga Atdheu, duke shmangur luftën vëllavrasëse.

Panariti sqaron se “Viti 1924 i dha funt karierës politike të Nolit dhe filloi kariera letrare. Në shumë bisedime me Nolin gjatë tridhjetë vjetëve të funtme, shpesh herë bisedonim për vendin e tij në historin’ e Shqipërisë, i cili thoshë: nëqoftëse emër-i im do të mbahet mënt në të ardhmen, munt të rronjë, vetëm në fushën e letrave.”I vendosur në Gjermani, krijon poezi të fuqishme dhe shqipëron kryevepra nga letërsia botërore. .Një pjesë e tyre u botua në gazetat Republika, Imigranti, Liria Kombëtare etj. Në mbarim të vitit 1932, vendoset përgjithmonë në SHBA. Republika, Imigranti, etj. u mbyllën, kurse Vatra dhe Dielli vijuan më tej, veprojnë gjallërisht edhe sot.

Sipas Faik Konicës, qysh në vitin 1921, Fan Noli e Ahmet Zogu u njohën e bashkëpunuan në një parti.Pas qendrimeve të kundërta për zgjidhjen e çështjeve kombëtare që shtronte koha, më 1933 u miqësuan sërish dhe patën marrëdhënie të qendrueshme. Kjo u duk në kursin e ri të shtetit shqiptar, nga viti 1933 deri më 1939. Në gazetën Republika të datës 12 mars 1931, Noli boton shkrimin „Atentati kundër Ahmetit.“ Pasi parashtron disa nga idetë e veta demokratike, mban një qendrim të vendosur kundër përdorimit të dhunës: „Atentati i vajtur mbarë munt t’i bënte dëm ca më të math Shqipërisë dhe një shërbim të paçmuar Musolinit dhe fashizmës italiane.“

Gjestet bujare të Ahmet Zogut flasin qartë. I pari më 1933, financimi për shërimin e Fan Noli. I dyti më 1938, për diplomimin në Konsevatorin e Nju Englandit në Boston.

JETA E NOLIT GJATË DHE PAS  LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

Jo vëtëm më 1932, por as në vitet që do të vinin, Noli nuk e ndërpreu kurrë veprimtarinë në shërbim të Kombit të vet. Më 1937, me rastin e festimeve të 25 Vjetorit të Pavarsisë Kombëtare, në botimet zyrtare të Qeverisë së Mbretit Zog, shkruhej: „me alfabetin e Manastirit merrte një herë e mirë fund çështja e shkrimt të gjuhës shqipe, historia e të cilit ka një rëndësi të posaçme për historinë e kulturës e të letratyrës s’onë, pse me të janë lidhur emnat më të bukur e më të mallëngjyerë të shkrimtarëve t’onë të kaluar. Çdo alfabet pati një sërë shkrimtarësh, po mbi të gjithë vetëm katër shkëlqejnë si yje të pa shoqë: Naimi, Fishta, Konica e Noli.” Në Albumet e përkryera me fotografi pa retush, krahas figurave të shquara të kombit, shkëlqente dhe portreti i hijshëm i Fan S Nolit.

Po atë vit Faik Konica do të thoshte: ”At Noli do të mbetet në historinë e Shqipërisë si burri që arriu i pari me hir të vullnetit dhe hollësisë së tij, të kllasi gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë.”

Kur Atdheu u rrezikua përsëri më 1939, Fan Noli, Ahmet Zogu, Faik Konica, Mit’hat Frashëri etj. janë në krye të detyrës. Në gusht të vitit 1942, Konica i dërgon mbretit Zog një letër mjaft me rëndësi për temën që trajtohet. Letrën e gjetëm në anglisht në librin “Faik Konitza- Selected Correspondence.”, botuar në vitin 2000, me hyrje nga Robert Elsie. Ndër të tjera, shkruhet: „Opinioni i popullit shqiptar tashtiështë në favorin Tuaj Madhëri. Dhe ky kryesisht për shkak të gojëtarisë dhe influencës së Imzot Nolit. Unë mendoj se Imzot Noli, do të ishte njeriu ideal për kryeministër, por për fat të keq fakti që tani ai është qytetar i Shteteve të Bashkura një zgjidhje e tillë paraqet vështirësi…“

Më 27 maj 1943, Noli i shkruan ministrit të oborrit, Sotir Martinit: “Jam gati të jap gjithçka për Frontin e BashkuarShqiptar.”Në letrën për Anton Logorecin, gazetar i BBC më 1943, shkruan: “Njohja e mbretit Zog, është po aq e domosdoshme si prove e pa ekivoke. ”Njëkohësisht interesohet të njihet me grupimet nacionalistë që luftonin kundër fashizmit. Miraton marrëveshjen e Mukjes. Përshëndet rininë trime e cila pat dalë malit kundër pushtuesve fashistë, për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Situatën e luftës në Shqipëri e njihte pak a shumë mirë. Në raste të veçanta shprehej optimist, për sigurinë e tërësisë tokësore, me ndihmën e SHBA.Historiani Beqir Meta shkruan:“Nuk është aspak ekzagjerim, po të nxjerrim përfundimin se gjatë Luftës së Dytë Botërore “Vatra” qe e vetmja organizatë shqiptare, i vetmi grupim shqiptar që u orientua drejt politikisht”. Merita u takon, sigurisht, Fan Nolit, Faik Konicës dhe miqëve amerikanë.

Pas luftës, Noli u ftua të kthehej në Shqipëri për të bashkëpunuar me “Guvernën Demokratke”. Përgjigjet vetëm me një përshëndetje diplomatike.Mosardhja në Atdhe fliste qartë, se ai nuk mund të miratonte një qeveri, e cila drejtohej nga një parti, sado e fshehur në maskën e Frontit Demokratik apo Republikës.Megjithatë punoi energjikisht për njohjen dhe pranimin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, vetëm për popullin dhe vendin e tij. Me autoritetin e një personaliteti të njohur në SHBA, këtij misioni patriotik, ashtu si dikur, ia doli mbanë.

Më 1945, në moshën 63 vjeçare, në Universitetin e Bostonit, mbron dizertacionin, Gjegj Kastrioti Skënderbe, dhe nderohet me titullin doktor në filozofi. Si kryetar nderi, merr pjesë rregullisht në mbledhjet e Vatrës.Ndërkohë, me aftësinë e një peshkopi të nderuar, drejton Kishën Ortodokse Shqiptare.

Nga letrat e Nolit dërguar diktatorit E. Hoxha, merret vesh se viti 1946 shënon fundin e marrrëdhënieve të Vatrës me „Guvernën Komuniste të Tiranës“. Shkaqet qenë të shumta që nga mosvarveshjet për çështje kombëtare, politike dhe për ndërhyrjet në punët e brendëshme të Vatrës nga njërëz të dërguar nga diktatori. Në këtë kohë bisedon me përfaqësuesit e Shqipërisë dhe për çështjen e varrimit të Faik Konicës në Atdhe. Ata u përgjigjen: „Shumë mirë munt ta varrosim Konicën në Shqipëri, por më parë duhet ta sjellim para gjyqit të popullit“. Noli tha: „Po dëgjojmë dita ditës se jeni duke gjykuar kundërshtarët tuaj të gjallë! Por kurrë nuk na kishte shkuar mendja se jeni aq trima sa të hithni në gjyq dhe të vdekurit!“

Më 1947 boton dy vepra në anglisht, “Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbe” e “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, më 1948, “Albumin” me shkrime letrare, më 1950, „Historia e Skenderbeut“ në shqip, një version i ri dhe më i plotë shkencor Fan Noli ishte i lidhur shpirtërisht me popullin e vet, i cili vuante nën sundimin e një diktature të paparë në histori. Sipas shkrimtarit Petro Marko, në librin “Retë dhe Gurët,, me rastin 28 Nëntorit më 1952, do të fliste në Zërin e Amerikës me këto fjalë: „O ti që je në fuqi me hanxhar në dorë për të prerë kokat e patriotëve, thuam ç’po bën… Shqipëria pret një Shën Kostandin për të shpëtuar nga kjo kasapanë.”

Në takimin e 50-vjetorit të Diellit më 1958, me një zë djaloshar tha: :“Kishim në program një Shqipëri indipendente, e bëmë; të mirë a të keqe, e bëmë. Kishim në program një Kishë Autoqefale, e bëmë; të mirë a të keqe, e bëmë.U a lëmë si barrë të tjerëve ta mirësojnë, po ne e bëmë.”Kjo ligjëratë e bukur e inçizuar dhe në një disk, fillon me përshendetjen drejtuar Baba Rexhepit dhe Imam Vehbiut. Në ligjërimet e botuara nga Profesor Jorgaqi, në shënimet e veta këto dy emra kuptimplotë, nuk shpjegohen as më 2002. Por fotografia në gazetën Dielli me deçiturën “Besnikët e Nolit”, tregon në heshtje se si Noli buzëqesh në mes të Baba Rexhepit, Imam Vehbiut dhe demokratëve Anton Athanasit e Kristo Thanasit.

Petro Marko përmend dhe një ndodhi të vitit 1960.Mehmet.Shehu vjen në Nju Jork për të marrë pjesë në një mbledhje të hapur në OKB.Pas dërgimit të tri letrave, për një takim me Nolin, nuk mundi të merrte asnjë përgjigje. Duke kërkuar në arkiva, përgjigjen e gjetëm në gazetën Dielli, 28 shtator 1960: „Letër e hapur Mehmet Shehut.“ Nga mbarimi i kësaj letre të gjatë noliane, lexohet: “Nga sa mund të kuptojmë neve së largu, sistemi juaj, sistem fashist, nuk vepron në bazë të kanunit, shvillohet në bazë të kobures dhe të burgut…“

E kësaj kohe është deklarata tjetër.: „Shteti shqiptar nuk mund të mbahet më këmbë dyke vrarë, persekutuar dhe dyke burgosur kundërshtarët që s’bashkohen me politikë me mejtimet tuaja.”
Më 1961, Fan S Noli, krijon kryeveprën “Sulltani dhe Kabineti”. Më 1963 merr pjesë në një seancë të rëndësishme,në Parlamentin e Masaçusetsit në Boston, kurse më 1964 në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington. Nga fundi i vitit 1964, i sëmurë rëndë, shkruan poezinë e fundme “Vdekja e Sulltanit.”

Ditët e fundit të jetës, i kalon në shtëpinë e bukur, të dhuruar nga Vatra qysh më 1953, në Fort Lauderdale, Florida.Më 13 mars 1965, pasi u ndie më mirë, doli të shetiste nëpër bregun e oqeanit. Befas pranë valëve të zhurmëshme, shpirti i tij fluturoi si një shtërg paqësor i lirisë.
Në gazetën Dielli të datës 24 mars, shkruhej: „Ati ynë kaloi ngakjo jetë, si dita që i zen vendin natës.”

NOLI DHE POEZITE E FUNDIT

Lexuesit të njohur tashmë me Fan S Nolin e vërtetë, për marrëdhëniet e tij me Ahmet Zogun dhe me Qeverinë komuniste të Tiranës, e kuptojnë lehtësisht Albumin-1948, me poezi në dukje të “majta”, “antifetare”, “leniniste” dhe “antizogiste”. Në kohën e diktaturës komuniste ato merrnin një kuptim krejt të ri, ndër to, edhe “Sulltani dhe Kabineti“-1961, ku personazhet kryesorë të udhëheqjes komuniste, mbulohen me ofiqe zyrtarësh osmanë dhe tituj fetarë, të pajisur me Bibëll e Kuran. Si diell i ndritur, aty shfaqet gjenialiteti i Nolit të Madh. Edhe krijimi i tij i fundit “Vdekja e Sulltanit”- 1964, i komentuar keq nga profesorët, nuk ka të bëjë aspak me mbretin Zog, është një poezi intime e Nolit! Ashtu si veprat e Shekspirit, edhe veprat e Nolit, jetojnë në kohë përjetësisht.

Për poezine Kabineti dhe Sulltani,  nuk është e nevojëshme  të jepen  sqarime të tjera  e lëmë lexuesin të nxjerr përfundimet nga vetë poezia e Nolit më 1961, nga shkrimi  i   plotë i Qerim Panarit dhe jo i cunguar nga “nolistët”, në Albumin II, Boston 1966.

Në origjinalin Albumi- 2, kuptohet menjëherë se për cilin ishte shkruar poezia kryevepër noliane: Kjo vlen edhe për disa historianë të rinj te cilët shqyrtojnë hollë me paanësi dokumentet arkivore.

FAN S NOLI

SULLTANI DHE KABINET
Fragment- botuar për herë të parë në gazetën Dielli- 1961 -skica nga Xhafo

Shokë, sot kam panair
Shokë, bëmëni sehir;
Sillni kupat e gostisë,
Sillni shishet e rakisë.

Kupë e parë, jam aga,
Kup’ e dytë, jam Pasha,
Kup’ e tretë, shpall ferman,
Ngjesh një pall’ e jam Sulltan.

Jam Ali Qopeku i Parë,
Qen si unë s’keni parë;
Pra kur leh duartrokitni,
Zbrasni topat brohoritni!

Jam imami e jam dovleti,
Padishahu e Muhameti,
Jam Xhenemi e Xheneti ,
Kijameti e selameti.

Jam xhamia e jam namazi
Jam zinxhiri e jam kafazi,
Jam budrumi e jam zullumi
Kush ngre kokën e merr lumi,

Kush do ligj’ e republikë
Me statut e me logjikë,
E ka pisk e ngordh si hor
Në konop si tradhëtor.

Ju a nisa historinë,
Dhe ju solla prokopinë;
Lë pas meje dinasti
Për vazhdim e për lavdi.

Nukë pata parëardhës,
ju lë një bir pasardhës
Gjurmën time të pasonj
Dhe vatanin ta sundojë.

Shkruaj ti o Bash –Qatip
Shkruaj mprehtë’ e me tertip,
Lidhi llomotit’ e mia,
Shkrepi nesër te xhamia.

Ty Abdull- Jezid Sersem,
Ty të bëra Sadrezem;
Merr nga burgu çdo rezil,
Çdo kusar dhe çdo katil.

Ty Abdull- Xhahil Nefer
Ty të bëra Serasqer;
Bjeru armiqve, shuaji,
Thyeji e bluaji.

Ty Halim që s’di këndim
Je vezir për arsim.
Mbylli shkollat se na nxinë,
Me kallamn’ e tradhëtisë.

Leri hapur medresetë
Seminaret e teqetë
Po me gjuhët arabishte,
Hebraishte dhe turqishte.

Këtë urdhër çpalle vrap;
Libër ti laik, mos hap;
Me Ungjillin e Kuaranin
Merret Prifti me Imamin.

Ty Haxhi Domuz evlat
Ty të bënj Vezir Xhelat
Lidh litar dhe mbreh sëpatë
Var e ther po pa shamatë.

Vraji , preji kundërshtarët
Si të funtmët dhe të parët
Se ma prishën qetësinë

Ma çkallmuan mbretëtinë….

U desh një kohë e  gjatë nën sundim,e  pa liri,  deri sa më në fund studentët e dhjetorit  e shkallmuan  mbretërinë e sulltan diktatorit. U kthye demokracia me Partinë Demokratike në krye e cila vazhdon të ndeshet me pasardhësit e koruptuar të diktaturës  komuniste për të rivendosur  institucionet  e drejtësisë, ligjeve demokratike dhe kushtetutës ashtu si ëndërroi Noli në Amerikën  e Kushtetut ës më demokratike në botë..

Fan Noli nuk la as trashgimtar as ndonjë pasuri. Pasuria e tij  janë veprat letrare dhe historike, që lexohen me ëndje  kudo, ku flitet shqip.

Noli ky patriot i madh demokrat la mesazhin e ndritur:

-Unë jam kundër cdo diktature!

About Redaksia

Check Also

Sot ditëlindja e poetit martir Havzi Nela

Havzi Nela, poeti martir, u lind më 20 shkurt 1934 në Kollovoz të Kukësit. U …