Raporti: Çmimet e ushqimeve në Shqipëri më të larta se në vendet e BE

Ndonëse me ritme më të ngadalësuara se në 2022-n, çmimet vijuan të rriten edhe në 2023-n. INTSTAT bëri të ditur se në dhjetor, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 4,0%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 7,4%.

Rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2023 është 4,8% nga 6,7% që ishte në vitin 2022.

Ushqimet janë ato që kanë rënduar më shumë në shpenzimet e familjeve, pasi kanë pësuar rritjen më të lartë të çmimeve. Familjet në Shqipëri, për shkak të të ardhurave të ulëta, shpenzojnë rreth 41% të buxhetit për ushqime, nga 13% që është mesatarja europiane.

Rritja e çmimeve në gjysmën e dytë të vitit ka qenë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian, me eurozonën që në dhjetor kishte një inflacion prej 2.9%.

Niveli i lartë i inflacionit bëri që banka e Shqipërisë të rrisë në fund të vitit të kaluar normën bazë edhe me 0.25 pikë përqind, duke e çuar në 3.25%. norma bazë është instrumenti kryesor që banka e Shqipërisë ka për të frenuar rritjen e çmimeve. Guvernatori paralajmëroi se politika monetare do të vijojë të mbetet e shtrënguar, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandon që norma bazë të arrijë deri në 4.5%.

Nga erdhi rritja e çmimeve

Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Dhjetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +2,38 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,51 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,34 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,21 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,20 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,13 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,11 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,05 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,01 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,21 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Dhjetor 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 6,7%, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 5,4%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4,6%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,4%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,3%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,4%, “Veshje dhe këpucë” me 3,0%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,6%, “Shërbimi arsimor” me 2,3%, “Shëndeti” me 1,2% dhe “Komunikimi” me 0,3%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 3,3%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 20,8%, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 10,9%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 6,7%, “mish” me 5,5%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 2,7%, “peshk” me 2,4%, etj.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Nëntor 2023, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 1,1%, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,0%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,6%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,5 % secili, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Shëndeti” me 0,1% secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 2,1%./Monitor

About Redaksia

Check Also

Shifra skandal, 7704 të punësuar vetëm tek Ujësjellësi, militantë për vota që paguhen kot nga taksapaguesit

INA media  Në nëntor të vitit 2022, Investigative Network Albanian, publikoi shkrimin me titullin ”Ujësjellësit, …