Kryetari i PD, Sali Berisha i është drejtuar me një kërkesë Prokurosië së Posaçme ku kërkon lejimin e pjesëmarrjes së tij në seancat parlamentare.
Ndaj Berishës, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” më 30 dhjetor, duke ndryshuar masat e mëparshme, atë të detyrimit me paraqitje dhe ndalimit për të dalë nga vendit.
“Në kushtet kur z. Sali Berisha është deputet i Kuvendit të Shqipërisë i zgjedhur nga sovrani, është e domosdoshme që të ushtrojë funksionet e tij si Deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Për këtë arsye duke qënë se ju jeni organ procedues, kërkojmë nga ana juaj miratimin dhe dhënien e lejes që z. Berisha në mënyrën dhe kohën që është aboslutisht e domosdoshme të shkojë, të marrë pjesë dhe të ushtrojë funksionet e tij në seancat plenare të Kuvendit të Shqipërisë, në përmbushje të të drejtave lirive politike të parashikuara nga Kushtetuta e vendit, por edhe të përmbushë detyrimet e veta kundrejt elektoratit që e ka zgjedhur.
Kërkojmë që të merret në konsideratë nga ana juaj kjo kërkesë jona legjitime dhe nëse e konsideroni të arsyeshme të përcaktoni edhe modalitet e lëvizjen së z. Berisha nga banesa në sallën e sancave plenare si dhe kohën e nevojshme për të realizuar këtë lëvizje vetëm për të marrë pjesë në sallën e sancave plenare ku zhvillon punimet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Për këto arsye kërkojmë:
Lejimin e z. Sali Berisha, Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, që të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në përmbushje të detyrimit që buron nga ky funksion, si person i zgjedhur nga sovrani, për të ushtruar të drejtat dhe liritë politike sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Duke mbetur në pritje të një përgjigje të shpejtë dhe pozitive nga ana Juaj, Ju falenderoj për mirëkuptimin”, thuhet midis të tjerash në kërkesën e depozituar nga avokati mbrojtës i zt.Berisha, Sokol Mëngjesi.