Pyetja e gazetarit Osman Stafa: Z. Basha pas seancës së sotme plenare, në një deklaratë për mediat, njoftoi se me ndihmën tuaj, ka bindur PS që të arrijë dakordësinë me Enkelejd Alibejan (bashkëkryetar I Reformës Zgjedhore) për Reformën Zgjedhore.
A mund të konfirmoni nëse keni ndërmjetësuar ju dakordësinë që Lulzim Basha pretendon se është arritur mes Damian Gjiknurit dhe Enkelejd Alibeaj? A mund të na jepni detaje mbi negociatat e zhvilluara.
Përgjigja e Delegacionit të BE në Tiranë:
Në përgjigje të raportimeve që qarkullojnë në media, dëshirojmë të sqarojmë se ndërkohë që BE-ja nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: vazhdojmë të theksojmë nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Siç e kemi thënë edhe më parë, përfshirë edhe Raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve.
Përgjigjja e Ambasadës së SHBA:
Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim.
Përgjigja e Ambasadës Britanike:
Ambasada britanike në Tiranë ka mbështetur gjithmonë aspiratat shqiptare për një parlament dhe demokraci funksionale. Kjo kërkon struktura që u mundësojnë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre të zgjedhur të hartojnë ligje, ta detyrojnë qeverinë të japë llogari dhe të debatojnë mbi çështje të rëndësishme, për të pasqyruar interesat e qytetarëve. Kjo përfshin zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet.
Ne mirëpritën thirrjen e Shkëlqesisë së tij, Presidentit, ditën e djeshme për një parlament aktiv, i cili e mban përgjegjës ekzekutivin përmes kërkesës së vazhdueshme për transparencë dhe llogaridhënie dhe për ta zëvendësuar konfliktin politik me bashkëpunim konstruktiv. Ne u bëjmë thirrje të gjithë politikanëve ta dëgjojnë këtë mesazh.
Ndërsa nuk kemi ndërmjetësuar ndonjë marrëveshje politike, ne vazhdojmë të nxisim dialogun reciprokisht respektues dhe kontruktiv në mirëbesim mes atyre që dëshirojnë ta përfaqësojnë popullin shqiptar. Kjo është në interesin kombëtar dhe gjithashtu vendimtare për besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe investimeve të huaja, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.