Kadiu i drejtë

Tregim
nga Leon Tolstoi

Përktheu
Agim Xh Deshnica

Mbreti Baukas i Algjerisë deshi të mësonte nëse qenë të vërteta ato që thuheshin se në një nga qytetet ishte një kadi i zoti, që gjente pa vështirësi se kush kishte të drejtë e kush qe fajtor. Asnjë nuk mund të dredhonte para tij. Ndaj, mbreti Baukas u vesh si tregtar, i hipi kalit dhe mori udhën për ta njohur kadiun. Në portën e qytetit një lypësar i kërkoi mbretit lëmoshë. Baukasi i dha  dhe deshi të vazhdonte rrugën, por lypësari u qep pas qyrkut të tij.

– Ç’kërkon tjetër prej meje? – e pyeti Baukasi. – Nuk u kënaqe me aq?

– Jo, u kënaqa, – iu përgjigj lypësari, – por bëmë edhe një të mirë! Merrmë në vithe të kalit deri në sheshin e qytetit, që të mos më shkelin kuajt e devetë e të tjerëve!

Baukasi pranoi. E mori mbi kalë. Kur mbërritën te sheshi, ndaloi. Por, lypësari, për çudi, prapë  nuk  u tund nga vendi.

Baukasi i tha:

– Arritëm, ç’pret  më, zbrit!

– Pse  të zbres? – ia ktheu lypësari. – Kali është imi! Ti të zbresësh, jo unë! Nëse nuk pranon me të urtë, atëherë shkojmë te kadiu!

Turma  e kureshtarëve u mblodh përqark tyre, për të dëgjuar zënkën që u ndez papritur. Shumë vetë thërrisnin:

– Te kadiu,  te kadiu! Ai ua zgjidh davanë!

Të dy u nisën drejt kadiut. Gjykata qe përplot me njerëz. Kadiu i thërriste  me radhë ata, që gjykoheshin. Të parët ishin një fshatar dhe dijetari i njohur nga qyteti, për çështjen e një gruaje.

Kur i pyeti kadiu ata, mori këto përgjigje:

– Gruaja është imja! – tha fshatari.

– Jo, ky gënjen! – foli shkurt dijetari. – Imja është, çne e këtij firauni!

Kadiu  i dëgjoi, heshti dhe iu përgjigj të dyve:

– Mirë, ju mora vesh! Lëreni gruan këtu dhe ejani nesër!

Pas tyre, hyri kasapi tok me shitësin e bulmetit. I pari – i ndotur me njolla gjaku. I dyti – i lerosur me yndyrna. Kasapi mbante në dorë një qese me para, shitësi i bulmetit – dorën e kasapit.

– Te ky bleva gjalpë! – tha kasapi. – Kur nxora paratë për ta paguar, më kapi dorën dhe deshi të ma zhvaste gjithë qesen! Ja, edhe tani s’po ma lëshon, siç e sheh edhe zotrote! Ndaj erdhëm tek ju! Qesja me paratë  është imja! Ç’domethënë kjo gjë, mor jahu!

Shitësi i bulmetit tha:

– S’janë aspak të vërteta këto që thotë ky! – Kasapi erdhi në dyqan të blinte gjalpë. Kur ia mbusha poçen plot, ai kërkoi t’ia këmbeja florinjtë me para letër. Dhe kur unë i nxora ato, ai m’u vërvit, m’i  mori dhe desh t’ia mbathte! Çudi e madhe! E kapa nga dora dhe e solla në gjyq.

Kadiu heshti dhe ua ktheu:

– I lini paratë këtu dhe ejani nesër!

Kur erdhi radha e Baukasit dhe e lypësarit, Baukasi tregoi ç’kishte ngjarë.

Kadiu pyeti  lypësarin:

– Hë, po ti ç’thua?

– Gënjen ky! – iu përgjigj lypësari. – Unë po shkoja kaluar përmes qytetit, zotnia ishte ulur në një qosh. Më pa dhe m’u lut ta merrja në vithe. E mora, ç’t’i bëja, më erdhi keq, dhe e çova tek deshi. Por, më polli belaja!  Nuk pranoi të zbriste!  Më  tha se kali qenkësh i tij! Tobe jarabi!  S’është  aspak e vërtetë!

Kadiu heshti  u mendua pak dhe tha:

– Ma lini kalin këtu dhe ejani nesër!

Ditën tjetër u mblodhën më shumë vetë, për të dëgjuar vendimet e kadiut.

Të parët hynë dijetari dhe fshatari.

– Merre gruan tënde, – i tha kadiu dijetarit, – kurse fshatari të ndëshkohet me pesëdhjetë shkopinj bythëvet!

Pastaj kadiu kërkoi kasapin.

– Paratë janë të tuat! – i tha, e duke e kthyer vështrimin nga shitësi i bulmetit, urdhëroi që edhe ai të ndëshkohej me pesëdhjetë shkopinj.

Së fundi, kadiu u bëri zë t’i afroheshin Baukasit e lypësarit.

Pyeti Baukasin:

– A mund ta  njohësh kalin ti, në mes të njëzet kuajve të tjerë?

– Po! Menjëherë!

Pyeti lypësarin:

– Po ti?

– Edhe unë!

– Ec me mua! – i tha kadiu Baukasit.

Të dy hynë brenda në stallën e kuajve. Baukasi vajti pranë kalit të vet, që rrinte ndërmjet njëzet kuajve. Pastaj kadiu thirri në stallë lypësarin dhe e urdhëroi t’i rrëfente kalin. Lypësari e njohu dhe ia tregoi. Kadiu u kthye në vendin e tij.

– Kali është yti! – i  tha Baukasit. – Shko e merre! Lypësari të ndëshkohet me pesëdhjetë shkopinj bythëvet!

Kadiu, pasi mbaroi punë, u nis të shkonte në shtëpi, ndërsa Baukasi e ndoqi pas.

– Si është puna, nuk  të pëlqeu  vendimi im? – e pyeti kadiu.

– Përkundrazi, mbeta shumë i kënaqur! – iu përgjigj Baukasi. – Por, doja të dija qysh e gjete se gruaja  ishte e dijetarit, qysh e gjete se paratë qenë të  kasapit dhe se kali është imi?

– Për gruan gjykova kështu! – iu përgjigj kadiu. –  E thirra në mëngjes atë dhe i thashë: „Mbushe  kallamarin me bojë shkrimi!“ Ajo e mori, e lau me shkathtësi dhe e mbushi me bojë, pa derdhur jashtë asnjë pikë. E, pra, mesa dukej, me atë punë qe mësuar. Nëse do të ishte e fshatarit, nuk mund ta mbushte me lehtësi. Pra, dijetari kishte thënë të vërtetën. Për paratë, e mora vesh kështu. I hodha ato qysh mbrëmë në një tas me ujë. Sot në mëngjes i pashë me  kujdes. A kishte  sado pak yndyrë sipër ujit? Po të ishin të shitësit të bulmetit, do të kishin njolla me yndyrë. Ndërsa nuk u dukën kurrfarë njollash yndyre. Kjo do të thoshte se kasapi kishte thënë të vërtetën. Për kalin çështja qe pak e ngatërruar. Pas teje edhe lypësari e njohu kalin ndërmjet njëzet kuajve. Por, ç’është e verteta, unë ju mora në stallë, jo për t’ju hetuar juve, por për të parë se cilin prej jush do të njihte vetë kali. Kur i shkove ti pranë, ai ktheu kokën drejt teje dhe t’u afrua ta përkëdhelje. Kurse kur iu qas lypësari kalit, ai tendosi veshët i zemëruar dhe kërceu mbi këmbët e prapme. Ndaj u binda se i zoti  i kalit ishe ti.

Atëherë Baukasi tha:

– Unë nuk jam tregtar, por mbreti Baukas. Erdha këtu për të parë dhe dëgjuar, se a ishin të vërteta ato që thuheshin për ty! Tani u binda se qenke kadi i mençur dhe i drejtë. Kërko ç’të duash dhe eja me mua,  unë të gradoj në çast!

Kadiu u përgjigj:

– Qenke lodhur kot, madhëri! Unë nuk i dëshiroj gradimet dhe as paratë!

About Redaksia

Check Also

Ndahet nga jeta shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj

Nga Bujar Leskaj Sot, datë 29 prill 2026 ,zonja fisnike, shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj, në …