Presidenti Bajram Begaj miratoi ligjin për komisionet hetimore parlamentare, një ligj i miratuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca socialiste në Kuvend. Por jo vetëm kaq, ndryshimet janë cilësuar si skandaloze nga opozita dhe nga ekspertët.
Ndryshimet parashikojnë synon që të kufizojë të drejtat e opozitës për ngritjen, objektin dhe mënyrën e zhvillimit të komisioneve hetimore parlamentare dhe që të mbyllë dyert e këtyre komisioneve për publikun përmes interpretimeve evazive për mbrojtjen e të dhënave personale të dëshmitarëve, mbrojtjen e sekretit tregtar, shtetëror apo kur publiciteti mund të sjellë përhapjen e të dhënave sekrete.
Por edhe pse ligji është kaq skandaloz, Begaj e miratoi dhe për më tepër, publikoi edhe një letër arrogante ndaj pretendimeve të opozitës.
Ai shkruan se një numër i kufizuar është ankuar për ligjin, kur në fakt kjo është ankesë e të gjithë opozitës shqiptare.
“Trajtimit të kësaj praktike institucionale ditët e fundit i është dhënë përmbajtje politike nga një numër i kufizuar deputetësh. Për këtë arsye, Institucioni i Presidentit të Republikës e gjen me vend të informojë opinionin publik,si vijon:
Shpallja e ligjeve nga Presidenti i Republikës bëhet në përfundim të procedurës së kontrollit kushtetues, gjatë të cilit institucioni verifikon kushtetutshmërinë e dispozitave të reja dhe të procedurës së miratimit të tyre. Kontrolli kushtetues nuk verifikon asnjë aspekt me përmbajtje politike të ligjit.
Argumenti më me peshë që ngrihet nga një pjesë e eksponentëve të opozitës ka lidhje me pretendimin se hyrja në fuqi e këtij ligji mund të minojë dialogun mes palëve politike në Kuvend: “Ky ligj i njëanshëm duhet të kthehet në parlament dhe të miratohet me konsensus”.
Presidenti i Republikës e çmon si tejet të rëndësishme uljen në negociatë për të gjetur zgjidhje kompromisi për këtë lëndë, si për çdo lëndë tjetër objekt debati, kontestimi apo konflikti politik. Zgjidhja e shpejtë e kundërshtive për këtë ligj do të formonte një mundësi serioze për të ndërtuar marrëdhënie mirëbesimi mbi një shembull konkret bashkëpunimi.
Kjo është arsyeja pse Presidenti i Republikës ftoi menjëherë eksponentët më të zëshëm të opozitës që të kërkonin kompromisin me shumicën parlamentare dhe të shfrytëzonin ndërkohën, deri në përfundimin e afatit për shpalljen e ligjit, për të zgjidhur në dialog me shumicën të gjitha çështjet që i shqetësonin lidhur me ligjin e sapo miratuar.
Në të vërtetë, periudha nga miratimi i ligjit, deri në përfundimin e afatit 20-ditor për shpalljen e tij, u ezaurua pa asnjë demarsh për të ofruar dhe gjetur zgjidhje kompromisi, gjë që mban në këmbë si objektiv qëllimin për bllokimin e hyrjes në fuqi të ligjit, por rrëzon si të paqenë objektivin për “diskutimin dhe miratimin konsensual të ndryshimeve në ligjin për komisionet hetimore”,” thuhet në letrën e Begajt.
Ndërkohë vetë presidenti është garanti i Kushtetutës dhe nuk duhej të miratonte një ligj që kufizon të drejtat e opozitës, të cilat janë të garantuara qartë me Kushtetutë.
Kujtojmë se pak ditë më parë, Begaj tentoi një tjetër provokim ndaj opozitës, duke njoftuar pjesëmarrjen në Kuvend në kohën e protestës opozitare.