Çmimet e bulmetit rriten me 38%, Autoriteti i Konkurrencës hetim për gjoba

Autoriteti i Konkurrencës njoftoi sot se ka hapur një hetim të thelluar ndaj 4 kompanive të prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit, Erzenit, Gjirofarmës, Lufrës dhe SHAKA Boboshticë.

“Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 29.12.2023, mori në shqyrtim procedurën hetimore ndaj ndërmarrjeve Erzeni SHPK, Gjirofarma SHA, ADG SHPK (Lufra), SHAKA Boboshticë SHPK në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit(djathë dhe gjalpë).

Referuar analizës së tregut të prodhimit dhe shitjes me shumicë të nënprodukteve të qumështit, rezulton se sjellja e ndërmarrjeve me pjesë të konsiderueshme tregu, Erzeni SHPK, Gjirofarma SHA, ADG SHPK (Lufra), SHAKA Boboshticë SHPK, mund të përbëjë abuzim me pozitë dominuese sipas nenit 9 të ligjit nr. 9121/2003.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1045 , datë 29.12.2023, vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjeve Erzeni SHPK, Gjirofarma SHA, ADG SHPK (Lufra), SHAKA Boboshticë SHPK, në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit.

Hapja e hetimit të thelluar është vendosur në vijim të një procedurë të hetimit paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit. Hetimi u hap në muajin shkurt të vitit të kaluar, për të vlerësuar sjelljen e ndërmarrjeve në periudhën kohore nga 1 Janar 2022 deri në 31 Mars 2023.

Nga monitorimi i tregut që Autoriteti zhvilloi në atë periudhë, pas raportimeve në media për rritje të paralajmëruar të çmimeve, rezultoi se çmimet e nënprodukteve të qumështit, kryesisht djathit të bardhë, djathit kaçkavall dhe gjalpit ishin rritur deri në 38% nga disa prej ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit. Rritja ndodhi në një periudhë të përafërt kohore.

Sipas Komisionit të Konkurrencës, rritja e fortë dhe e njëkohshme e çmimit të nënprodukteve të qumështit (kryesisht djathë e gjalpë) mund të jenë shenja të caktimit të çmimeve si pasojë e marrëveshjeve dhe/ose praktikave të bashkërenduara ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve, sipas parashikimeve të nenit 4 dhe 9 të ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

About Krye Redaktor

Check Also

SIGAL, 26 vite histori suksesi! Lideri i padiskutueshëm i sigurimeve

Prej vitit 1999, SIGAL ka qenë sinonim i sigurisë, besueshmërisë dhe inovacionit në tregun e …