Deputetët e opozitës kanë bllokuar sallën ku do të zhvillohet mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Në pamje shihet se të gjithë ligjvënësit janë ulur në karriget e anëtarëve të Komisionit.
Shihet që Albana Vokshi i ka zënë vendin Damian Gjiknurit, ndërsa Lindita Metaliaj i ka zënë karrigen Enkelejd Alibeajt.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka tha se nuk do lejojnë punimet e komisionit. Sipas tij, nuk do ketë reformë me mercenarë.
“Mesazhi është i qartë, nuk do lejojmë RamaReformë”, tha Noka.
Pas këtyre momenteve, Gjiknuri u largua nga salla. “Reforma do të ecë para, do ta mendojmë si do vazhdojmë”, tha ai.
Kujtojmë se kreu i grupi të PD, Gazmend Bardhi ka mbledhur që prej orës 10:00 Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike.
Pas mbledhjes ata kanë pushtuar sallën ku do zhvillojë punimet komisioni i Reformës Zgjedhore.