Berisha: Lajmet dhe emisionet janë njësoj si në kohën e diktaturës komuniste!

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij nga dritarja e banesës tha se, lajmet dhe emisionet janë njësoj si në kohën e diktaturës komuniste! Berisha tha se, kjo është propagandë e shpifur dhe e turpshme.
“Edi Rama i papërmbajtur në egërsinë e tij ndaj pluralizmit, ndaj opozitës, vendosi të akuzojë pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë provë, me mercenarët, me larot e tij në organizatën kriminale që quhet SKAP, kryetarin e PD.
Ta vendosë atë në arrest shtëpie, të barazojë Shqipërinë me Rusinë e Putinit, me Tunizinë, me Mianmarin apo vende të tjera.
Asnjë shqiptar që i beson pluralizmit, që i beson lirisë, nuk mund të pranojë, nuk mund të pajtohet me një situatë të tillë.
Por ju jeni guximtarë, ju u ngritët dhe nisët betejën për të frymëzuar të gjithë shqiptarët në rrugën e fitores, në rrugën e lirisë.
Qytetare dhe qytetarë shqiptarë, çdo ditë ju ndiqni lajmet, ndiqni emisionet, ndiqni debatet.
Për ne që kemi të freskëta emisionet e viteve të fundit të diktaturës, ju garantoj se dallimi është shumë, shumë, shumë i vogël.
Se kjo propagandë e shpifur, e turpshme, bëjnë gjithçka për të sulmuar, për të fshehur plagët e rënda, problemet madhore të shoqërisë shqiptare dhe për të mbrojtur Edi Ramën, organizatën e tij kriminale që quhet qeveri.
Lajmet censurojnë në tërësi problemet madhore të vendit.
Lajmet nuk kanë asnjë lidhjet, as emisionet, me vuajtjet, me shkaqet dhe motivet që i detyrojnë shqiptarët të braktisin vendin e tyre.
Lajmet, edhe njëherë, emisionet, përpiqen të bindin shqiptarët se nuk është Edi Rama dhe banda e tij që qeveris në Shqipëri, por është Sali Berisha dhe opozita ata që qeverisin në këtë vend.
E them këtë sigurisht me dhimbje të madhe, por e them për të pasur ne vetëdijen e plotë sa i madh bëhet misioni juaj i ndriçimit të mendjeve dhe zemrave të shqiptarëve kundër kësaj propagande të shpifur mashtrimi, kundër këtyre tellallëve të regjimit më antishqiptar që ka pasur Shqipëria pas Enver Hoxhës.
Thirrja ime është për intelektualët, ngrihuni kundër këtyre pseudointelektualëve, shërbëtorëve të shpifur të narkodiktaturës dhe narkoregjimit.
Ngrihuni fuqishëm aty ku jeni, aty ku punoni si avoketër të interesave tuaja dhe interesit publik.
Çdo ditë që kalon i përcjell me heshtje, ky regjim bëhet më i rrezikshëm, më toksik për Shqipërinë dhe shqiptarët.
U bëj thirrje të rinjve të ngrihen sepse në guximin e tyre është arma e fitores tonë, në ëndrrat e tyre është projekti i Shqipërisë që duam”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Teliti: E patë se si u tall Rama me pensionistët! Angazhimi madhor i PD është rritja e pensioneve brenda mandatit të parë qeverisës

Deklarata e këshilltarit për çështjet ekonomike në PD, Dorian Teliti: Të dashur qytetarë! Pamë se …