Ora Zenith dhe trokitja në portë

Agim Xh. Deshnica

Tek po kaloja përmes një dyqani të madh me orë të mbyllura brenda xhameve, m’u kujtuan orët e viteve të shkuar. Qysh në fëmijëri dhe më vonë, në shkollë, kishim dëgjuar tregime nga më tërheqësit për matjen e kohës. Mjetin për këtë qëllim, njëri e quante orë me rërë, apo orë dielli, tjetri – orë dore, sahat xhepi, apo qostek me kurdisje. Në ditët tona kanë marrë dhenë orët e dorës me zë njeriu për ata, që nuk shikojnë mirë, orët që ushqehen me rreze drite, orët e murit me zogj e dollapët e drunjtë me xhama të sahateve me laviers. Pra, për kohën tingëllojnë miliona zile e kambana në tërë skajet e rruzullit tokësor.

Thonë se ka patur edhe orë mjeshtrash të mëdhenj, ku dëgjoheshin hymne korale për mbretër e mbretëresha, orë me figura grash e burrash në skena, që hapeshin e mbylleshin. Edhe mjaft qytete hijeshohen nga kullat e larta të sahatëve, si Big-Bengu i Londrës, 96 metra i lartë, Kulla vigane shumëkatëshe e Bostonit, që shërben si sahat dhe hotel. Në sheshin San Marko të Venecies, mbi një kullë, në orë të caktuara, dy shtatore bronzii burrash të fuqishëm godasin me çekanë një kambanë. Edhe sot, nëpër fshatrat tona kohën e gjejnë me afërsi me hijen e pipës mbi shuplakën e dorës, apo me një shufër druri a hekuri mbi tokë. Dëgjohen edhe zëra, se dielli është ngjitur dy pashë apo një hosten mbi Sopot! Ndërsa ora e gjallë, këndesi, zgjon gjumashët, ashtu si në rubairat e Khajamit:

“A e di përse këndesi po këndon
Menatë dhe nga gjumi po të zgjon?
Që shkoi një ditë po të lajmëron
Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron!
Zgjohu! Mëngjesi me shigjetë e grisi
Perden e Natës, Yjt’ i arratisi,
Dhe Dielli gjahtar me rreze kapi
Çdo majë mali e pallati e lisi! ”

Në kohët e reja, orët elektronike janë vendosur në kompjutera e në celularë, disa me vlerë janë ndrydhur në muzeume, shumë të tjera presin të shiten, ose janë harruar nëpër sirtare, ose janë hedhur në kosha plehrash. Çmimet e tyre janë nga më të larmishmet. Orët e shtrenjta hyjnë në sferën e stolive. Kur i sheh çmimet e tyre, të dhembin sytë dhe koka. Të lirat u shërbejnë qytetarëve për të vajtur në punë pa vonesë, për takime në kafe, ndërsa orët e shtrenjta – për të udhëtuar në vende të largët. Orët e lira i quajnë edhe roskop. Ora të gëzon, por edhe të tmerron. Orët në botë kanë emra sipas gjuhëve: shqip atyr u thonë – orë, anglisht – clock, frëngjisht – horologe, italisht – oro’logio, turqisht – sahat, rusisht ças, etj, etj. Shpikësit e panjohur të orëve u bënë shkak për ndërtime punishtesh e fabrikash dhe për një varg dyqanesh me fitime për tregtarët, sidomos për sahatcinjte.

Bota e orëve Zenith apo Omega, pas luftës, qe harruar. Në qender te kryeqytetit na mjaftonte Kulla e Sahatit. Veçse, herë pas here akrepat, ndalonin. Kambana pushonte. Flitej se njerëz të caktuar me detyrat e sigurisë qytetare ndaj rreziqeve, sidomos natën, merreshin me çrregullimin e kohës së ndonjë kryengritjeje të mundshme nga armiqtë e popullit, që flinte. Mbase edhe mungesa e orëve në dyqane dhe e telefonave në shtëpitë e qytetarëve, lidhej me parandalimin e ndonjë plani kundër pushtetit popullor. Akrepët frenonin në pikat e zeza të fushës së bardhë te Sahati, posi një tren i prishur në shinat e hekurudhës. Kur ata nisnin të lëviznin, do të thoshte se rreziku qe larguar. Gjithsesi, kambana nuk ndihej më me tingëllimin e fortë “dang!” në orën e plotë, “trang!” në gjysmën e orës dhe “tring!” në çdo pesëmbëdhjetë minuta.

Ishte ditë e diel. Për të vrarë kohën, hapa e mbylla disa dosje të pluhurosura. Në njërën prej tyre gjeta një tregim të harruar. Në atë letër të zverdhur nga koha munda të lexoja këto rreshta për orën Zenith të babait:

“Kur punoja me shifra në një ndërmarrje ndërtimi në rrethinat e qytetit, isha fare i qetë për kohën. Për t’u nisur në punë, më zgjonte babai pensionist, pasi hapte kapakun e sahatit të xhepit të markës Zenith, nga vitet e marmalatës, të makaronave dhe vino Chiantit. Ora me fosfor e tryezës e po asaj kohe, e markës Veglia, nuk punonte më. Dikur zilja e saj binte fort tri herë në mëngjes. E treta binte pa pushim, deri sa zgjonte edhe komshinjtë. Tashmë në atë orë relike ndrinin vetëm numrat e akrepat me fosfor, po ta prekje pak, zilja e çtingëlluar binte kot më kot. E mbanim si stoli mbi komodinë.

Kur punoja deri pas mesnate, harrohesha midis letrave dhe s’më shkonte ndër mend të pyesja se sa ishte ora, sepse si shumë të tjerë duhej të mbushja formularët e pafund për zyrtarët e lartë, të cilët në ato orë flinin rehat në vilat e partisë. As në sheshin e ndërmarrjes, apo në zyrat e drejtorisë, nuk shihej e as dëgjohej ndonjë orë. Ato dukeshin në çastin e përurimit, por pasi prisheshin, “mbeteshin në tako” e s’merrej më askush me to. Ai mjet aq i nevojshëm ishte mall jashtë liste dhe i rastit nga importi. Orët e markave Gub e Zenith madje edhe Pobjeda ishin me çmime më të lartë se paga mujore e një nëpunësi, palé e punëtorit. Për çdo rast në shtëpi na ndihmonte ora Zenith e babait. Befas një nipçe, duke luajtur na e prishi Zenithin. Qysh atë ditë për të vajtur në punë më zgjonte babai, kur shkonte në radhën e kosit, sipas marrëveshjes me një komshi, i cili trokiste në portën tonë herët në mëngjes.

Për fat të mirë, teksa kalova bregut të Himarës te një dyqan i harruar në Dhërmi, gjeta disa orë gjermane të markës Umf – Ruhla, të tipit roskop, të trashë sa një kokërr qepe, me çmime pothuaj falas. Pa e zgjatur, bleva dy prej tyre. Nje per vete tjetra per babain. Kështu, me orën në dorë, u ktheva në shtëpi plot gëzim. Pra, shqetësimi, -për t’u nisur në punë mori fund. Shpëtova dhe nga trokitja e komshiut në portë, nganjëherë në mes të natës. Pra me orë në dorë hipur në bicikletën pa fenerë shkoja herët në mëngjes dhe kthesha natën kur dritat në shtylla ishin fikur. Në atë kohë Umf-Ruhla me fosfor posi xixëllonjë ndrinte zbehtë rrotën e parë udhës deri në shtëpi.

Në zyrë çdo ditë orën e hiqja nga dora dhe e vendosja mbi tryezën e punës i sigurt se asnjë nuk do të fëlliqte dorën duke vjedhur atë sahat roskop.

Por një ditë, kur asfaltohej rruga pranë drejtorisë, u afrova të shihja ziftin në kazan. Për dreq, ora ime gjermane m’u shkëput nga rripi e ra brenda në llumin e zi. Një punëtor nxitoi me lopatën në dorë, e futi në fuçi, e gjeti dhe e nxori jashtë. Një mekanik, mjeshtër për gjithcka, e mori orën dhe e zhyti në një enë me benzinë. Umf – Ruhla u pastrua për bukuri dhe rraahjet e orës nisen përseri: tik- tak, tik-tak, tik-tak! Qysh nga ajo ditë, ata që mburreshin me orët Zenith e Gub, kur kalonin udhës, përbri meje, më pyesnin me buzën në gaz: “Të lutem, sa është ora ekzakt?…”
Tregimi vazhdonte më tej, por qe e pamundur të lexohej. E pashë me vend ta plotësoja sipas kujtimeve dhe t’ua tregoja miqve të mi.

About Redaksia

Check Also

Mesazhi prekës i vajzës së Vilson Blloshimit në 47-vjetorin e ekzekutimit të poetëve

Eni Blloshmi Përkujtojmë VILSONIN dhe GENCIN. Të dashur miq, si sot, 47 vjet më parë, …