Prezantimi i librit “Luleborë”, Mustafaj: Shqipëria vuan nga propaganda e konfliktit mes brezave

Një libër manifest i ri politik me titull “Luleborë” u promovua sot  në prani të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Autori i librit, Andi Mustafaj, e cilësoi manifestin si një platformë për të denoncuar propagandën e regjimit dhe për të propozuar një qasje të re në opozitë.

Në fjalën e tij, Mustafaj foli për rëndësinë e lidhjes mes brezave, duke kundërshtuar frymën e konfliktit që, sipas tij, nxitet nga propaganda politike. Ai tha se të rinjtë nuk duhet të mohojnë të kaluarën për t’u dukur “të rinj” apo “të paprekur”, por të ndërtojnë mbi traditën dhe përvojën.

Autori theksoi gjithashtu nevojën për më shumë debat dhe kulturë propozimi në politikë, duke kritikuar qasjen e bazuar vetëm te denoncimi dhe kritika.

Mustafaj tha se libri “Luleborë” trajton mënyrën se si funksionon autokracia shqiptare dhe rolin që duhet të marrë opozita përballë saj, duke nënvizuar se “regjimi është kudo, ndaj edhe opozita duhet të jetë kudo”.

Andi Mustafaj: Ju falenderoj që keni ardhur në këtë aktivitet të veçantë për mua, ndryshe për promovimin e prezantimin e një libri, ndryshe nga aktivitetet e tjera që mund të kem pasur. Ju kërkoj paraprakisht ndjesë se fjalimi do të jetë pak i gjatë, më i gjatë se herët e tjera, por disa gjëra doja t’i ndaja me ju në lidhje me librin dhe në mënyrë më të përgjithshme me politikën dhe Partinë Demokratike.

Kur djali im lindi, babi erdhi ta takonte në maternitet dhe unë dola ta pres babin tek stacioni i trenit. E pashë nga larg, hapa krahët dhe i thirra: “O ku je o koleg, mirë se erdhe o koleg”. Babi pak i çuditshëm s’po kuptonte shumë çfarë po i thosha po unë vazhdoja: “Si je o koleg, a u lodhe o koleg”. E mbasi pak, më pa, vuri gishtin në kokë e më tha: “Ando, a paske rrjedhur?”.

“Jo,” i thashë, “nuk kam rrjedhur, por të quaj koleg sepse tani më në fund ne të dy jemi kolegë bashkë”. “Po pse?” më pyeti ai. Sepse i thashë, “Tani jemi të dy baballarë”. Babi buzëqeshi dhe pa u menduar dy herë, me atë replikën e hollë që e karakterizon më tha: “Jo, ne nuk jemi kolegë dhe në fakt nuk do të jemi kurrë kolegë. Ti e sheh të vërtetë që sot je baba, por unë jam gjysh”.

Kështu shkojnë gjërat.

Kështu shkojnë gjërat. Fëmija është gjithmonë një hap mbrapa. Kur mbarova librin, dëshiroja t’ia thoja së pari babait, por kësaj radhe jo t’i thoja koleg se e kisha mësuar leksionin. Tani, përtej humorit, ka dy mënyra për ta lexuar dhe për ta kuptuar këtë histori, në veçanti për sa i përket kontekstit që na ka mbledhur neve sot së bashku këtu, por edhe të politikës shqiptare më shumë në përgjithësi. Mënyra e parë për ta lexuar është ajo e të riut që unë isha, i cili me arrogancën e vet, sepse ishte një formë arrogance, kërkonte të ishte i barabartë me babain e vet, vetëm dy ditë mbasi kishte hyrë në rrugëtimin e prindërimit, të cilin babai i vet po e ecte prej 28 vitesh.

Në fakt kjo është edhe akoma sot tregues i një sëmundjeje më të madhe nga e cila vuan shoqëria shqiptare dhe rinia shqiptare më shumë në veçanti. Sëmundje e injektuar, e ushqyer dhe e zmadhuar në mënyrë të palodhshme nga propaganda e regjimit autokratik që ne kemi. Që është dhe ngritja në vlerë e një antivlere, që është konflikti midis brezave. Të rinjtë dhe të vjetërit, sipas propagandës, sipas idesë predominante në hapësirën mediatike shqiptare, të rinjtë dhe të vjetërit janë ballë për ballë në një betejë nga e cila vetëm njëri nga të dy mund të mbijetojë. Mënyra e dytë për ta lexuar këtë histori është ajo e babait tim. Që vjen si shaka, por plot urtësi. Një mësim i thjeshtë, një mësim i qetë. Ti je baba, por unë tani jam gjysh. Një fjali që rikujton hierarkinë e vlerave. Jo si një nënshtrim, por si një busull në veprimtarinë e njeriut. Këtu gjendet edhe zanafilla e një prej shtyllave më të rëndësishme të veprimtarisë sime politike, që është lidhja midis brezave. Disa mund të thonë, po kjo filozofi e mban të riun gjithmonë mbrapa, e mban të përulur, e mban të varur, e mban të pamundur që të kalojë të vjetrin. Por unë besoj thellësisht të kundërtën.

Sepse edhe kur nxënësi ia kalon mësuesit, dhe ndodh, duhet të ndodhë që nxënësit t’ia kalojnë mësuesit, ai përsëri mbetet nxënës. Jo sepse është inferior, por sepse kjo marrëdhënie e mban të lidhur me burimin e dijes, me rrënjët, me traditën e mendimit mbi të cilin ndërton jetën e vet. Modestia në këtë këndvështrim nuk është dobësi. Është mekanizëm i përmirësimit të vazhdueshëm, si individ, si parti, edhe si shoqëri. Me babain unë nuk do bëhem kurrë koleg pra. Por dëshira për të qenë në lartësinë e shembullit që më ka dhënë, ka qenë dhe mbetet një prej shtyllave më të rëndësishme të veprimtarisë sime politike. Kjo dëshirë është edhe zemra e librit që po prezantoj sot këtu. Këtë frymë të betejës artificiale midis brezave e ngjejmë dhe e ndjejmë çdo ditë në çdo hapësirë të veprimtarisë sonë. I riu, për të qenë i mirë, duhet të kalojë dhe të zhdukë të kaluarën. Mundësisht në mënyrën sa më spektakolare të mundshme. Duke na kujtuar kështu vazhdimësinë e një forme të ripërtërirë të parimeve të komunizmit që është ajo e njeriut të ri. I riu, sipas propagandës që na kërkohet neve, i riu duhet të thotë: ‘Çdo gjë para meje është e keqe. Duhet të mohojë të kaluarën për të blerë një ndërgjegje të pastër, për t’u dukur i paprekur, i ri’.

Në këtë logjikë, i riu është i mirë, ose më saktë, është i mirë për sa kohë shkel të vjetrën. Lidhja midis brezave kërkon krejtësisht të kundërtën. Kërkon shumë kurajo. Kërkon që të marrësh mbi supe gjithë peshën e historisë. Të shohësh të mirat, të mësosh nga të këqijat. Është qasja do të thoja më e përsosur ndaj papërsosmërisë së qenies sonë. Unë edhe me veten nuk jam gjithmonë dakord. Edhe me familjen time nuk jam gjithmonë dakord. Por kjo nuk do të thotë se do të iki prej saj, se do e mohoj, se do ta ofendoj që të ndihem i lirë dhe që t’i tregoj botës që jam i lirë.

Njeriu që ikën pafund në këtë proces pastrimi, humbet referencat dhe mos u gaboni, këtë gjë kërkon ekzaktësisht propaganda e regjimit. Jam shumë mirënjohës zotit Berisha që pranoi që prezantimi i këtij libri të bëhet brenda Partisë Demokratike edhe me praninë e tij. Në kohët që jetojmë, duhet të kemi kujdes sepse në çdo hap që ne hedhim, mund të keqpërdoremi nga propaganda e regjimit. Është një sistem trysnie që e shpjegoj e do t’jua tregoj më pas edhe në librin tim. Në kohët që jetojmë ne duhet të shtrëngojmë radhët tona. Duhet të gjejmë rrugën brenda vetes në radhë të parë. Dhe nëse nuk do e prezantoja librin këtu sot, nuk do e prezantoja fare, ndaj edhe një herë faleminderit zoti Berisha.

Them që mund të keqpërdorej sepse propaganda ka arritur ndër vite të zhdukë konceptin e propozimit. Ose më saktë ka bërë që koncepti i propozimit të thithet plotësisht në konceptin e kritikës. Dëgjohet vetëm fjala kritikë, kudo që shkojmë, kritikoni, kritikoni, kritikoni. Kjo qasje ka prodhuar një shoqëri të tërë të vetëkënaqur në denoncim, por ama plotësisht të paaftë për të ndërtuar. Edhe ky deri në një masë të madhe është peshqesh i komunizmit, me rëndësinë që jepte autokritikës përpara asgjësimit të shpirtit të individit. Ndaj dallimi që dua të theksoj nuk është thjesht semantik, është thelbësor. Propozimi ndërton, kritika shkatërron.

Propozimet priten mirë, kritikat priten keq. Sepse qëllimet që janë mbrapa secilës prej tyre janë të ndryshme, por aq sa mënyra e të shprehurit të tyre. Kur bëj një propozim për shembull, nënkupton që diçka nuk është bërë, se përndryshe nuk do e bëja atë propozim. Por nuk është e nevojshme ta thuash në mënyrë negative dhe shkatërruese. Gjithashtu propozimi ka një veçanti sepse nuk përjashton idetë e tjera. Në qoftë se vijmë me kritika, përjashtojmë idetë e të tjerëve sikur janë të gjitha të gabuara, ndërkohë që propozimi është një prej ideve të shumta që dikush mund të marrë, mund të zbatojë. Pesha dhe pritshmëria që ka kritika në shoqërinë tonë, ka krijuar, ka bërë që debatet të jenë absolutisht të pamundura. Ndaj është thelbësore që ne duhet të rigjejmë hapësirat e shëndetshme të debatit dhe diskutimit rreth propozimeve.

Unë zotin Berisha e kam takuar për herë të parë në jetën time vetëm për vetëm, më 10 dhjetor 2021, pra vetëm një ditë para Kuvendit Kombëtar që u mbajt në stadium. Isha 33 vjeç. Ishte hera e parë që ishim bashkë vetëm për vetëm për të diskutuar rreth politikës. Që atëherë kam qenë bashkëpunëtor i tij, herë në pozicione zyrtare, herë si anëtar i thjeshtë. Dhe në eksperiencën që kam pasur, sepse njeriu gjykon gjithmonë duke u nisur nga eksperienca e vet, ajo përbën thelbin e gjykimit të tij, duhet të them diçka. Asnjë prej propozimeve që kam bërë nuk është pritur keq. Kjo nuk do të thotë që çdo propozim është miratuar, e kjo është përsëri një gjë e veçantë.

Ama çdo propozim është diskutuar, dhe kur është refuzuar nga zoti Berisha ka marrë dhe kohën të më japë argumentet e tij. Kjo eksperienca ime me aq sa kam folur me demokratët e tjerë, përfaqëson metodën e punës së kryetarit të Partisë Demokratike. E sjell në vëmendjen tuaj këtë pjesë sepse manifesti im synon përmirësimin e veprimtarisë së opozitës dhe një prej elementeve kyçe të saj është kjo: Duhet të dalim nga mendimi që drejtuesi është i detyruar të zbatojë këshillat e këshilltarëve. Duhet të dalim nga qarku i mendimit që kur nuk bëhet një apo disa gjëra që ne propozojmë, atëherë duhet të shajmë, duhet të ofendojmë, duhet të ikim duke përplasur dyert. Profesionalizmi në kryerjen e detyrës sonë duhet të jetë forma e kërkuar, forma e vetme e angazhimit politik të të rinjve, dhe jo kritika e përhershme e cila sjell vetëm anarki dhe kaos. Këto janë vlerat e Luleborës.

Kjo është qasja filozofike që duhet të ketë në vlerësimin tim partia, që përfaqëson me të mirat dhe të këqijat e saja, forcën dhe shpresën e bashkëqytetarëve tanë për të rrëzuar regjimin dhe për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë. Profesionalizimi i partisë duhet të shkojë krah për krah me rritjen e përgjegjshmërisë individuale të anëtarëve të saj. Kjo si kundërshembull dhe kundërpërgjigje ndaj parimit fatkeq, famëkeq të rilindjes që është përgjegjësia është individuale. Ata kanë krijuar këtë koncept të përgjegjësisë individuale për të mbrojtur shefat e tyre, për t’i mbrojtur nga të gjithë gabimet që ata bëjnë. Kurse ne duhet të sjellim përgjegjshmërinë. Përgjegjshmërinë për rolin që secili prej nesh kemi, në këtë sallë por edhe më gjerë, për detyrën historike që i është ngarkuar Partisë Demokratike. Nuk e pengon asnjë gjë sot një demokrat të punojë. Nuk e pengon asnjë gjë një kryetar dege të drejtojë mirë degën e tij, të organizojë anëtarësimet, të ndihmojë qytetarët. Nuk pengon asgjë sot një drejtues departamenti të dalë në media, të bëjë video, të shkojë në terren me qytetarët. Asnjë gjë nuk e pengon këtë. Dhe ne kemi parë që sa herë iniciativa e militantëve, anëtarëve shohim nëpër sallë persona që kanë denoncuar skandale, që kanë mbledhur, kanë takuar njerëz, sa herë këto iniciativa kanë ndodhur, janë përqafuar dhe janë shtyrë nga Partia Demokratike.

Ne nuk mund të presim, dhe kjo është një qasje që unë shpresoj dhe e tregoj tek Lulebora, ne nuk mund të presim çdo gjë nga kryetari por duhet të sjellim këtë qasje që të presim çdo gjë nga vetja jonë. Manifesti Lulebore është organizuar në katër kapituj. Kapitulli i parë, ‘Anatomia e Regjimit’, synon të tregojë dy themelet dhe tetë shtyllat mbi të cilat, në vlerësimin tim, është ngritur dhe ushqehet vazhdimisht autokracia shqiptare. Disa gjëra ju i njihni sepse janë trajtuar edhe nga kolegë të tjerë të Partisë Demokratike, por disa të tjera janë më pak të njohura. Për shkak se trajtohen në mënyrë të veçuar dhe jo të strukturuar.

Duke bërë që të mos shihet roli i tyre dhe roli që kanë në mbajtjen dhe mirëmbajtjen e sistemit autokratik. Ajo që është e rëndësishme është se vetëm duke i kuptuar të gjitha bashkë, mund të kuptohet shtrirja dhe kapja e regjimit. Si pasojë, vetëm duke i luftuar të gjitha bashkë njëkohësisht, në çdo kohë, mund të krijohen kushtet që regjimi të dyshojë, të dobësohet e më pas të rrëzohet. E them këtë sepse kam parë shpesh në botën mediatike, të rrjeteve sociale dhe kudo që flasim me njerëz, të krijohet një trysni për të identifikuar një mënyrë të vetme për të bërë opozitë. Një mënyrë e cila përjashton të tjerat. Dhe duke përjashtuar të gjithë njëra-tjetrën, përfundojmë duke u veçuar dhe duke mos pasur mundësinë që burimet njerëzore të partisë të përdoren në mënyrën më efiçente të mundshme. Regjimi është kudo, kudo duhet të jemi edhe ne.

Dhe ka po aq mënyra për të bërë opozitarizëm sa ç’ka anëtarë të Partisë Demokratike. Kapitulli i dytë trajton takimet e humbura me historinë. Një lloj pasqyre brenda së cilës çdo qytetar duhet të shohë veten. Sepse duke parë veten në këtë pasqyrë, do të shohim se ne si shoqëri, përtej Partisë Demokratike, nëpërmjet mosveprimit apo keqveprimit tonë, kemi favorizuar degradimin e vendit. Mungesa e trupave të ndërmjetme për shembull, siç janë OJF-të, sindikatat, shoqatat, sepse këto trupa të ndërmjetme nuk e kanë luajtur rolin e tyre, duke detyruar Partinë Demokratike që të dalë nga roli i saj si parti opozitare dhe të kryejë detyra që normalisht nuk duhet t’i kryejë…

About Redaksia

Check Also

Hyqmet Zane/ “Rrugëtimi i Rilindjes së Zezë”, një libër kritik ndaj qeverisjes së majtë

Këto ditë doli nga shtypi libri “Rrugëtimi i “Rilindjes së Zezë” i publicistit të njohur, …