Gjatë intervistës që dha për Syri Tv, ish-zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj e drejtoi gishtin nga dyshja Rama-Veliaj si pronarët faktikë të inceneratorit të Tiranës. Ai la të kuptohet se pronarët zyrtarë ishin persona fiktivë, të futur aty për të nxjerrë paratë që paguhen nga taksat. Ahmetaj u shpreh se qëllimi i hetimit duhet të jetë të gjejë 60 milion eurot që janë paguar për inceneratorin e Tiranës.
Me ose pa dashje, Ahmetaj përmendi gabimisht emrin e Besim Hoxhës, duke iu referuar Blerim Hoxhës një ndër njerëzit që disponon 40% të aksioneve të inceneratorit të Tiranës përmes blerjes së aksioneve nga kompanitë zinxhir për kompaninë mëmë Geogenix.
“Po i pyes gazetarët që rrinë të SPAK, pse një biznesmen shqiptaro-zviceran ka 40% të inceneratorit të Tiranës. Besim Hoxha, i ka me letra. Çfarë ka bërë kjo kompani, si i ka marrë dhe si i ka paguar, çfarë lidhjesh ka qeveritarë dhe biznesi në Shqipëri. Çfarë është ky biznesmen? Çfarë lidhjesh, çfarë biznesi ka në Shqipëri? Me kë ka qenë i lidhur, me kë ka bërë transaksione, kush e ka ndihmuar të marrë ARMO-n, çfarë ka bërë me të, si është gjendur ky 40% i inceneratorit të Tiranës. Se është kompania që ka lidhje me garancinë në Dubai” ishin disa nga pyetjet që ngriti Ahmetaj.
Vetë ish-zv.kryeministri nuk iu fut detajeve, por ai tha se një pjesë e informacioneve ishin publikuar në media në lidhje me Blerim Hoxhën.