Në podcatin Public Square, Saviano foli mbi çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me konceptin e tij për “lirinë”, prej së cilës ai është i privuar prej 18 vitesh, për kulturën e “makinerinë së baltës” përkundrejt asaj të denoncimeve, për raportet mes mafias shqiptare dhe asaj italiane dhe çfarë mund të bëjnë qeveritë në këtë pikë.
Roberto Saviano është shprehur mjaft kritik për protokollin e bashkëpunimit mes dy qeverive për refugjatët dhe mendon se kjo bie ndesh me liritë e të drejtat e njeriut dhe jo vetëm.
Bushati dhe Saviano e nisin bisedën mbi konceptin për lirinë dhe sa vlen ta sakrifikosh atë qoftë edhe për një qëllim të lartë publik. Në këtë pikë, ndryshe nga sa mund të pritet Saviano thotë se nuk ia vlen të sakrifikohet liria.
Duke u ndalur tek mësimet që Shqipëria ka mundësinë të nxjerrë nga Italia në këtë pikë, Saviano mendon se para së gjithash ”Shqipëria duhet t’i thotë lamtumirë heshtjes, pra frikës për të folur. Pra, institucionet shqiptare druajnë se mund ta rëndojnë këtë paragjykim, të përkeqësojnë gjendjen e emigrantëve duke folur për krimin. Është e kundërta. Paragjykimi luftohet.”
Në kohën kur zhvillimi teknologjik ka nxjerrë fort në pah garën për klikime, apo kur e vërteta alternative është ulur këmbëkryq mes nesh, Saviano dhe Bushati diskutojmë mbi konceptin e “makinerisë së baltës” dhe sesi ajo e dëmton individin qoftë edhe kur bëhet fjalë për kauza të rëndësishme të interesit publik por që prek dhe dëmton mbi të gjitha demokracinë.
“Makineria e baltës dhe delegjitimimi sot është mjeti më i parë për të sulmuar individët. E përdor mafia, regjimet por edhe kompani të zakonshme, parti normale në demokraci, gazetat. Dhe shpesh njerëzit bëhen mjet, vegël e makinerisë së baltës, pa e ditur. Përhapin informacion false kundër një personi, duke mos e lënë të marrë frymë një individ, pa arsye”, thotë Saviano.
Sipas tij, ky është një problem i kohës sonë. Shumë më parë se plumbat, mbërrin makineria e baltës. Kush ka jetuar regjimin komunist e njeh mjaft mire këtë strategji, pasi shërbimet sekrete komuniste e kanë përdorur gjithmonë mjetin e delegjitimimit për të shkatërruar individin. Amerikanët e quajnë ‘vrasje të karakterit’.
Gazetari i librit “Gamorra” thotë se krimi i organizuar shqiptar është shumë, shumë i shtrirë dhe shumë kompleks dhe marrëdhënia mes mafies shqiptare dhe mafies italiane është një, janë një grusht i vetëm.
“E ndiej të them se vendi ku kriminaliteti shqiptar është shumë më i fortë se gjetkë, është Londra. Mbretëria e Bashkuar është vendi me zgjedhje për grupet kriminale shqiptare dhe aty krimi shqiptar operon në autonomi të plotë”.
Saviano thekson fort nevojën për të diskutuar për krimin për t’u përballur me fenomenin dhe jo për t’ju fshehur debatit publik.
“Ajo që më çudit sa herë që kam të bëj me botën shqiptare, që e dua shumë, apo madje kur shkoj në Shqipëri, është të dëgjoj se për mafien shqiptare flitet shumë më shumë jashtë sesa në Shqipëri. Shumë më shumë jashtë se në Kosovë. Sepse e gjitha kjo, krimi i organizuar kosovar dhe shqiptar si dhe krimi shqiptaro-maqedonas është shumë i fortë. Shqipëria e Madhe nuk u arrit në politikë por u arrit me krimin. Të gjithë këta elementë, për fat të keq, ceken pak. Mjafton të shohësh publikimet mbi mafien shqiptare. Janë shumë të pakta”.
Saviano shprehet njësoj kritik për marrëveshjen e arritur mes Kryeministrit Rama dhe Kryeministres Italiane Meloni për refugjatët dhe mundësinë e sjelljes së një pjesë të tyre në Shqipëri. Në këtë marrëveshje ai rendit disa probleme duke nisur nga ato juridiksionale “Pra që, juridiksioni italian do të shtrihej në një territor ekstra-europian, thjesht përmes shtrëngimit të duarve mes kryeministrit Rama dhe kryeministres Meloni. Kjo do të thotë se në ato qendra nuk do zbatohen ligjet shqiptare, por ato italiane. Të tjera problematike paraqet kjo marrëveshje edhe në raport me përzgjedhjen e refugjatëve që do të sillen në Shqipëri, kush dhe si ua garanton të drejtën për mbrojtje ndërkombëtare dhe së fundmi si do të mbrohemi nga organizatat kriminale?”