Bashkimi i PD, VOA: Deputetët demokratë bashkohen në protestë dhe në rrugicën e Berishës

Në Shqipëri dhe seanca e pasdites së sotme të parlamentit u zhvillua me tensione ndërkohë që në mjediset e jashtme mbështetës të opozitës ishin mbledhur për të protestuar.

Ndërsa ora 17.00 për fillimin e punimeve të parlamentit afrohej, në portën kryesore të godinës, deputetët e opozitës u penguan të hyjnë brenda. Të paktën 19 prej tyre ishin përjashtuar për shkak të incidenteve në mbledhjen e Komisionit të Reformës zgjedhore, javën e shkuar. Por dhe deputetët, ndaj të cilëve nuk kishte masë disiplinore, nuk arritën të hynin, ndërkohë që në sallë socialistët kishin nisur seancën vetëm me përfaqësuesit e tyre.

Deputetët e opozitës u lejuan tëfyten brenda 15 minuta pas nisjes së seancës, dhe menjëherë përpara foltores së parlamentit u rreshtuan punonjësit e sigurisë. Pas këtij momenti, situata u tensionua në sallë. Të revoltuar, deputetët e opozitës, akuzuan shumicën për pengimin e tyre për të marrë pjesë në punimet e parlamentit. Protesta e tyre, u pasua nga mbyllja brenda pak minutash, e seancës.

Kryetari i grupit parlamentar socialist Bledi Çuçi, i deklaroi më pas gazetarëve se “asnjë deputeti të papërjashtuar nuk i ndalohet hyrja në sallën e parlamentit. Por përdorimi i kolegëve që janë përjashtuar si barrikadë për të hyrë me zor, është një shfaqje e shëmtuar dhe ky teatër duhet të marrë fund”, u shpreh ai duke konfirmuar qëndrimin e shumicës se “ne jemi mandatuar nga shqiptarët të bëjmë jetë parlamentare normale. Nëse ata do të vijojnë kështu, në respekt të rregullores, do vijojmë me kërkesat për përjashtimin e të gjithë atyre që prishin seancat solemne plenare apo mbledhjet e rëndësishme të komisioneve parlamentare”.

Për kreun e grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi “me një urdhër të paligjshëm, deputetët e opozitës nuk u lejuan të hyjnë në seancë. Vetëm në vende me rregjime autoritare, deputetët e opozitës nuk leohen të ushtrojnë mandatin. Kjo është e paimagjinueshme për një vend anëtar të Nato-s dhe kandidat për anëtarë në BE, por e shpjegueshme kur bëhet fjalë për një rregjim të korruptuar dhe të inkriminuar si ai i Edi Ramës”, deklaroi zoti Bardhi duke shtuar se “as garda dhe as policia që dhunon qytetarët që protestojnë, nuk e ndal opozitën nga aksioni përballë rregjimit të Ramës”.

Jashtë parlamentit, një grup mbështetësish të opozitës, tentuan të çanin gardhin e policisë e cila ishte aty me një numër të konsiderueshëm forcash të saj. Më pas atyre iu bashkuan deputetët, ku për herë të parë në një protestw, ishin krah njëri tjetrit si ata të Rithemelimit ashtu dhe ata të grupit të zotit Bardhi. Po së bashku, ato shkuan më pas poshtë banesës së ish kyeministrit Sali Berisha. I ndodhur në arrest shtëpie, zoti Berisha i drejtohet me fjalime, mbështetësve të tij, që mblidhen aty çdo mbrëmje. Ish kryeministri njoftoi këtë herë, organizimin e një proteste në Tiranë, më 20 shkurt, dita në të cilën kujtohet greva e urisë së studentëve dhe rënia e bustit të diktatorit Enver Hoxha.

Deputetët që mbështesin zotin Berisha dhe zotin Bardhi, po protestojnë prej disa muajsh, kundër rrëzimit të kërkesave të tyre për ngritjen e disa komisioneve hetimore, dhe pengesës për ndryshimin e përfaqësuesve të opozitës në Komisionin e Reformës zgjedhore.

Sekretari i Përgjithshëm i Rithemelimit ka njoftuar në mënyrë të përsëritur, se përveç aksionit opozitar në parlament, është çështje ditësh bashkimi i plotë me grupimin e zotit Bardhi dhe në strukturat partiake. Por zoti Bardhi u duk më i frenuar, ndërsa në mbrëmje deklaroi se “grupi parlamentar i PD-së dhe PD-ja në tërësi është e bashkuar. Ne kemi vetëm një detyrë, pas aksionit në parlament, duhet të ndërtojmë edhe aksionin jashtë parlamentit. Ka shumë punë për t’u forcuar, por një gjë është e sigurtë. PD është e bashkuar”, u shpreh ai në mbyllje të protestës poshtë apartamentit të ish kryeministrit Berisha.

About Krye Redaktor

Check Also

Rama i dhuron 16 mijë m2 tokë dhe ndërtim Hajdarit të “Fundjavë Ndryshe”

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij herë pas herë tallen me ligjin e krijuar …