Një Inter dominues, një skuadër pa rivalë, për këtë janë të bindur të gjithë në Itali. Vetëm “Zonja e Vjetër” dukej se mund të rivalizonte zikaltërit, por në “San Siro”, ekipi i Inzaghi-t vërtetoi se as Juve nuk mund të mbajë ritmin e tyre. Ylli i dytë në fanellë duket çështje kohë, vetëm nëse ndodhë ndonjë çmenduri, këtë e vërtetojnë edhe shifrat: 57 pikë në 22 ndeshje janë perfomanca e dytë më e mirë në histori. Derbi i Italisë, i dytë sezonal, foli totalisht për Inter, me zikaltërit që nuk e vendosën ndeshjen në dyshim për asnjë moment. Nëse nuk do të ishte për një super Szczesny rezultati mund të ishte më i thellë se 1-0.
Pas disa tentativave, Inter gjeti golin e avantazhit në minutën e 37-të, ku Gatti i pafat devijoi topin në portën e tij. Historia nuk ndryshoi as në fraksionin e dytë, ku Calhanoglu goditi shtyllën pingule, ndërsa tentativat e Gatti-t dhe Vlahovic nuk ishin në kuadrat. Zikaltërit kishin shansin të mbyllin ndeshjen, por Arnautovic gaboi i vetëm përballë Szczesny-it. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Inter që shkëputet i vetëm në krye, plus 4 pikë në raport me Juven dhe me një ndeshje më pak.
I gjithë ambienti në Torino duket i dorëzuar, edhe TuttoSport: “Fuqi e Inter, Juve, më shumë se kaq…”, shkruan e përditshmja torineze.