Si mashtruan shqiptarët Rama dhe Balluku për naftën e Shpiragut

Nga Boldnews.al

Janari iku, hyri Shkurti, por ai “lajm i madh” për naftën e Shpiragut që premtuan me bujë kryeministri Edi Rama dhe zëvendësja e tij, Belinda Balluku, nuk po duket askund.

Të ngjyrosur çokollatë nga dielli i verës, dy njerëzit kryesorë të qeverisë u shfaqën në 23 gusht në një konferencë mediatike. Atyre u duhej një lajm i rëndësishëm për shqiptarët, për të treguar se qeveria punon edhe në kulmin e verës.

Rama, i cili kuron imazhin e tij si xhentëllmen, ia la Ballukut, dikur zëdhënëse e tij në Bashkinë e Tiranës, për të dhënë sihariqin me naftë.

Në tetor të këtij viti (2023) e deri në fund të Dhjetorit, ose maksimumi në fillim të janarit 2024, kompia Shell do të kryejë testimet për nxjerrjen e naftës së Shpiragut në sipërfaqe. Në janar do të kemi një rezultat publik, që vetë kompania Shell do ta deklarojë”, deklaroi Balluku.

Pas saj, kryeministri Rama dha disa detaje të tjera: “Po përgatitet edhe plani masiv i investimit sepse gjithë ajo rezervë duhet pastaj të hyjë në infrastrukturën përkatëse dhe për ta nxjerrë atë në tregun vendas dhe botëror. Nafta e zbuluar është e cilësisë më të lartë, është hera e parë që kjo ndodh në vendin tonë sepse burimet e tjera janë të një nafte të rëndë që përdoret për bitum, solar, por nuk është naftë që mund të hyjë në konsumin e automjeteve”.

Më pas, dyshja Rama-Balluku folën edhe për 5 mijë vende të reja pune në momentin që do të nisë prodhimi i naftës, si edhe shndërrimin e Shqipërisë në një lloj “Arabie Saudite të vogël”.

Afati i përmendur nga dyshja qeverisëse, Rama-Balluku, pra janari 2024, tashmë ka kaluar dhe asgjë nuk duket në horizont nga “lajmi i madh për shqiptarët”.

Në foto: (nga e majta në të djathtë) Zv. Kryeministrja, Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama, në zonën e Shpiragut

“Boldnews.al” ka analizuar më herët se përse deklaratat e dyshes qeveritare ishin thjeshtë “luga bosh e radhës” e qeverisë për qytetarët.

Konferenca e Ramës kishte më së paku tre zhvillime kryesore, të cilat nuk lidhen aspak me “zhvillimin historik” të proklamuar nga kryeministri.

Analiza ishte shumë e thjeshtë.

Zhvillimi i parë

– Rama deklaroi se testimet e kompanisë “Shell” kanë nxjerrë të dhëna premtuese për ekzistencën e rezervuarëve të naftës në zonën e Shpiragut.

Megjithatë kryeministri deklaroi se do të priten analiza më të thelluara kosto-përfitim. Këto do të përcaktojnë nëse çmimi i procesit të nxjerrjes së sasisë së naftës (të pritshme) do të jetë më i ulët se sa shitja e naftës së nxjerrë në treg.

Pra, zhvillimi i parë është që, edhe nëse do të ketë naftë, nuk dihet nëse ia vlen kostoja për ta nxjerrë nga thellësia e tokës.

Zhvillimi i dytë

– Rama u pyet nga gazetarët e pranishëm se cilat do të jenë përfitimet e qytetarëve shqiptarë nëse konfirmohet ky “zhvillim historik”. Pra, a do të jetë më e lirë nafta që qytetarët shqiptarë do t’i hedhin mjeteve të tyre.

Në foto: Rama dhe Balluku, duke shpërndarë “lajmin e madh” për naftën e Shpiragut

Kryeministri nuk ishte në gjendje që të jepte një përgjigje të qartë dhe të saktë. Ai foli për procese, marrëveshje e një mish-mash teknikalitetesh, të cilat, edhe nëse ka arritur t’i kuptojë vetë, nuk i sqaroi për qytetarët shqiptarë.

Pra, ky “zhvillim historik”, edhe nëse konfirmohet, nuk u hyn aspak në xhep qytetarëve dhe konsumatorëve shqiptarë.

Zhvillimi i tretë

Rama akuzoi paraardhësit e tij për kontratë dhe koncesione abuzive në të shkuarën, kur në qeveri ishte opozita e sotme, të cilat, sipas tij, nuk kanë sjellë asgjë positive për ekonominë shqiptare.

Por ai refuzoi me këmbëngulje, kryeneçësi dhe arrogancë pyetjet për koncesionet abusive të qeverisjes së tij, të cilat kanë dërguar pas hekurave zyrtarë të lartë dhe të tjerë presin radhën.

Pra, “zhvillimi historik” i Ramës u shndërrua në një konferencë të shëmtuar mediatike, e cila nuk bindi as vetë kryeministrin dhe as ata që e ndoqën në këtë zheg vape.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Garantoj çdo prind se do të paguhet për çdo fëmijë në mënyrë që të mos u mungojë më asnjë vakt

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka premtuar se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, …