US President Joe Biden speaks during a briefing on the winter storm system traversing the US and the expected impacts, in the Oval Office of the White House in Washington, DC, on December 22, 2022. (Photo by Brendan Smialowski / AFP) (Photo by BRENDAN SMIALOWSKI/AFP via Getty Images)

VOA: Anketimet, bie mbështetja për Presidentin Biden për shkak të ekonomisë

Një anketim i fundit tregon se amerikanët janë të shqetësuar për politikat ekonomike të Presidentit Joe Biden, pavarësisht se në mënyrë të vazhdueshme administrata ka vënë në dukje shifrat pozitive të ecurisë së ekonomisë. Siç njofton nga Shtëpia e Bardhë korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell anketimi tregon se përkrahja për zotin Biden në janar ishte në nivelin 38 për qind, çka lë shteg për një garë të ngushtë me sfiduesin Donald Trump.

Sipas administratës së Presidentit Biden, Shtetet e Bashkuara po shënojnë rritje të ekonomisë.

“Gjatë tre viteve të fundit, Presidenti Biden dhe unë kemi ulur kostot, kemi krijuar mundësi dhe po ndërtojmë një ekonomi në dobi të njerëzve që punojnë. Kemi krijuar më shumë se 14.5 milionë vende të reja pune, kemi rritur pagat për dhjetëra miliona amerikanë. Sot, besimi i konsumatorëve është rritur dhe shpenzimet konsumatore janë në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave. Dhe megjithëse kemi më shumë punë për të bërë, duhet të jemi të qartë: ekonomia e Amerikës vazhdon të jetë më e forta në botë”, u shpreh Nën Presidentja, Kamala Harris.

Kreu i Bankës Qendrore Amerikane që ruan me vendosmëri pavarësinë e saj nga trysnitë politike, është në një mendje.

“Ndjejmë se inflacioni po bie. Rritja ka qenë e fortë. Tregu i punës është i fortë. Ajo që po përpiqemi të bëjmë është të arrijmë në një vetëbesim në lidhje me inflacionin, ta kthejmë atë në nivelin 2 për qind dhe të fillojmë pastaj procesin e uljes së masave kufizuese”, tha Jerome Powell, Kryetar i Rezervës Federale të Shteteve të Bashkuara.

Por rezultatet e një ankete të re nga agjencia e hulumtimeve Ipsos tregojnë se një numër në rritje i votuesve amerikanë nuk e besojnë një gjë të tillë dhe kjo po dëmton shanset e Presidentit Bien për t’u rizgjedhur.

“Pozicioni i Presidentit Biden në këtë fillim viti është dobësuar. Anketimi ynë tregon se aktualisht mbështetja ndaj tij është në nivelin 38 për qind. Dhe kjo është e rëndësishme sepse bazuar në përvojën tonë, një president në detyrë, që ka një përkrahje prej 40 për qind ose më shumë, ka më tepër shanse për të fituar zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh
Cliff Young nga agjencia e hulumtimeve Ipsos .

Sipas zotit Young, shqetësimi kryesor i votuesve është ekonomia.

“Thelbi i problemit është se ata janë shumë të shqetësuar për inflacionin”, tha ai.

Votuesit demokratë të Karolinës së Jugut mbështetën masivisht Presidentin Biden në zgjedhjet e fundit paraprake, por edhe mbështetësit e tij thonë se e ndjejnë inflacionin.

“Çmimet e ushqimeve janë të larta. Më të lartat me të cilat jemi përballur prej kohësh. Karburanti po ashtu është rritur. Por më inkurajon fakti se normat e interesit të kredive kanë filluar të bien”, shprehet Saundra Trower, votuese në Karolinën e Jugut.

Kjo, sipas zotit Young, i ngjason slloganit që u përdor gjatë fushatës presidenciale të Presidentit Clinton, sipas të cilës, amerikanët kanë një përparësi të përbashkët – ekonominë.

“Dhe në fakt, po, është rritja e inflacionit. Dhe meqë ra fjala, ne nuk e dimë me saktësi se si ndikon inflacioni tek politika, tek opinioni publik. Gjatë periudhave të fundit, në Shtetet e Bashkuara nuk kemi patur shumë përvoja të inflacionit të lartë,” thekson zoti Youg.

Gjatë fushatës së tij elektorale, ish Presidenti Donald Trump ka vënë në dukje aftësitë të tij për të marrë vendime të mira lidhur me ekonominë.
Ish-presidenti, megjithatë po përballet me katër çështje penale dhe një civile, ku ai akuzohet për fryrje të vlerës së pasurive të tij.

A ka gjasa që kjo t’i ndikojë votuesit, të cilët duket se e kanë mbledhur mendjen se për kë do të votojnë? Këtë do ta marrim vesh në zgjedhjet e nëntorit.

About Krye Redaktor

Check Also

Trump rikthehet me tubim aty ku i shpëtoi atentatit: Ne do ta bëjmë Amerikën të madhe përsëri

Gati tre muaj pas atentatit të tij të parë, ish-presidenti Donald Trump u kthye në …