Edhe pse i burgosur, Imran Khan dhe partia e tij PTI, arritën të fitojnë zgjedhjet parlamentare në Pakistan. Rezultati ishte një surprizë për shumëkënd.
Sipas BBC, pavarësisht pengesave të shumta që iu hodhën përpara atij dhe partisë që drejton, kandidatët e pavarur të mbështetur nga Imran Khan arritën të befasojnë vëzhguesit duke fituar 93 vende në parlament.
Për të qeverisur, atyre u duhen 169 vende, ndaj situata do vazhdojë të jetë e paqartë politikisht.
Por si arriti të fitojë zgjedhjet Imran Khan, i arrestuar dhe i dënuar të paktën dy herë nga gjykatat në Pakistan?
Saga e tij nisi kur ai deklaroi se Donald Lu, tashmë një zyrtar i nivelit të tretë në Departamentin e Shtetit, kërkon rrëzimin e tij nga pushteti.
‘New York Times’ shkruan se Imran Khan përdori mediat sociale për të arritur këtë fitore.
Kur qeveria e Pakistanit censuroi mediat, partia e ish-kryeministrit postoi videot e fushatës në rrjetet sociale si TikTok. Kur policia ndaloi ndjekësit e tij që të dalin në tubime elektorale, ata organizuan mbledhje virtuale onine.
Dhe kur ish-kryeministrit u vendos pas hekurave në qeli, mbështetësit e tij prodhuan fjalime duke përdorur inteligjencën artificiale për të simuluar zërin e tij.
Mesazhet e tij u mbështetën sidomos nga të rinjtë në mbarë vendin. Miliona të rinj iu bashkuan fushatës së tij, duke sfiduar në këtë mënyrë edhe ushtrinë e fuqishme të këtij vendi.
Kjo ishte hera e parë që strategjia politike e ushtrisë së Pakistanit sfidohej në këtë mënyrë në zgjedhjet parlamentare.