Protesta e 20 Shkurtit, shpresë për të ardhmen e Shqipërisë!

Nga Besmir Dervishaliu

Në një kohë kur Shqipëria përballet me sfida të mëdha sociale dhe politike, thirrja për protestën e madhe të organizuar nga opozita dhe Partia Demokratike më 20 Shkurt vjen si një sinjal i qartë i pakënaqësisë popullore dhe nevojës për ngjalljen e shpresës. Ky mobilizim politik ndodh në një kontekst të jashtëzakonshëm, ku lideri i opozitës gjendet i izoluar me arrest shtëpie, duke simbolizuar një klimë tejë mase të tensionuar politike dhe një sistem drejtësie të kapur.

Një nga sfidat më të mëdha me të cilat po përballet Shqipëria 11 vitet e fundit  është vala e emigracionit të rinisë. Dita-ditës, të rinjtë e vendit zgjedhin të ikin në kërkim të mundësive më të mira jashtë shtetit, të zhgënjyer nga mungesa e perspektivave dhe nga një ekonomi që nuk ofron shanse të barabarta për të gjithë. Ky fenomen jo vetëm që po zbraz vendin nga forca e tij më jetike, por po ashpërson edhe më tej problemet sociale dhe ekonomike.

Në zemër të kësaj pakënaqësie qëndron korrupsioni masiv që ka përfshirë të gjitha nivelet e qeverisjes. Korrupsioni është bërë një pengesë e madhe në rrugën e Shqipërisë drejt zhvillimit dhe integrimit në strukturat europiane. Korrupsioni jo vetëm që ka minuar besimin e qytetarëve në institucionet e tyre, por ka krijuar edhe një mjedis të padrejtë ku privilegjet dhe përfitimet shkojnë vetëm për një grup të vogël njerëzish te lidhur me qeverisjen, duke lënë në harresë shumicën e popullsisë.

Protesta e thirrur për më 20 Shkurt është një thirrje për veprim dhe ndryshim. Ajo reflekton jo vetëm frustrimin dhe pakënaqësinë e akumuluar, por edhe dëshirën  dhe shpresën e thellë të qytetarëve për një të ardhme më të mirë. Kjo protestë është një mundësi për të dërguar një mesazh të qartë jo vetëm tek qeveria aktuale, por edhe tek komuniteti ndërkombëtar, se populli shqiptar kërkon llogaridhënie, transparencë dhe drejtësi si çdo vënd perëndimor i BE.

Pjesëmarrja në këtë protestë shkon përtej një akti të thjeshtë politik, është një simbol i luftës për drejtësi, liri dhe mundësi për të ndërtuar një Shqipëri ku sundon ligji, ku ne të rinjtë kemi mundësi të realizojmë ëndrrat tona në vendin tonë, dhe ku korrupsioni nuk është më pengesë për progresin e vendit .

Është koha për të gjithë qytetarët që ndjejnë se shpresa është shuar, të marrin pjesë dhe të bëjnë zërin e tyre të dëgjohet.

About Redaksia

Check Also

Që të mos jemi hipokrit me veten, debitor me historinë dhe hileqar me Zotin

  Alfons Grishaj Largimi në jetën tjetër të personaliteteve politike, shkencore, letrare artistike etj shoqërohet …