Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji e ka cilësuar protestën madhështore të ditës së sotme, në kuadër të rrezimit të regjimit të Ramës, si shpresë për Shqipërinë.
“Sot nga kjo protestë, të gjithë bashkë, i kemi treguar regjimit dhe në çdo shtëpi keni çuar dritën e shpresës. Me këtë bashkim madhështor sot, me këtë që keni bërë për vendin për Shqipërinë keni bërë më shumë sesa ka bërë për 10 vite ky institucion i kësaj republike.
Sot ju keni treguar se Shqipëria ka shpresë, ka zemër dhe nuk ka përfunduar në kavjen e eksperimentit të Edi Ramës, eksperimenti më i keq i këtyre 33 viteve. Pas rënies së regjimit komunist, rëzimit të diktatorit, si sot 33 vite më parë askush nuk e kishte menduar se do të mblidheshim sërish për të ruajtur vlerat dhe aspiratat për të cilat u ngritën studentët e dhjetorit apo brezi i prindërve tanë. Rilindja e Edi Ramës na mësoi se nuk mund ti marrim të mirëqëna parimet europiane të demokracisë, të lirisë, të sundimit të ligjit ku Shqipëria nisi të ecë 3 dekada më parë me gjithë vështirësitë”, tha Salianji.