Gjithçka virtuale, përveç dëmit që do paguash ti! Ai është real!

Nga Gent STRAZIMIRI

Sot, në seancën parlamentare të radhës, në 4 minuta iku Butrinti tek privati “strategjik” dhe Zadrima iu dha si qokë Italisë si magazinë për afrikanët që as ajo vetë nuk i përbaĺlon dot…

Në dhjetor 2023 në një seancë tjetër, po ashtu në 4 minuta u vendos që ti do paguash 25% më shumë nga fitimi që nxjerr si profesionist i lirë.

Procedurat parlamentare mbi këto, u bënë “online”, virtualisht dhe ti e pe po ashtu virtualisht nga televizori sesi në 4 minuta filluan seancën, ngritën kartonat, morën rrogat e tyre dhe dolën të qeshur nga salla.

Ka që në tetor 2023 që opozita përpiqet t’i ndalë me trup, fizikisht, seancat Kuvendit në një përpjekje të për të ndalur dëmin e planifikuar e të paralajmëruar ndaj ekonomisë kombëtare dhe asaj individuale, tëndes.

Ka po ashtu që në tetor 2023 që debati i kafeneve përqëndrohet në faktin

* “a dukej bukur Flamur Noka kur u hidhte miell në fytyrë?”,

* “a u ka hije grave deputete të komunikojnë me zë të lartë, duke u kërkuar gardistëve të lirojnë derën e sallës së seancave?”

* “a është normale që ish ministra, deputetë me përvojë, figura të shquara të politikës të bllokojnë fizikisht foltoren e Kuvendit?”

Përgjigjia është JO!

Asnjë nga këto nuk është as e bukur, as e hijshme e as normale por është padyshim e admirueshme.

Është, sepse është një reagim “in extremis” ndaj pafytyrësisë së një grupi individësh që parlamentin dhe debatin në të, e kanë kthyer në një ngjarje virtuale që zgjat mesatarisht 7 minuta…

Ndërkohë që ti, nga kafja, gjykoje estetikisht Flamur Nokën e deputetët e tjerë të opozitës, në ato 4 minuta diskutimi virtual u vendos që të të marrin nga xhepi 25% të parave që fiton nga puna jote si jurist, kontabilist, stomatolog, marangoz, mekanik, xhenerik apo si secili prej 127 profesioneve përmes të cilit siguron jetesën.

Në ato 4 minuta që edhe ti i përjeton virtualisht e i refuzon estetikisht, janë gllabëruar realisht Butrinti, Palasa, Porto Palermo, Divjaka, Syri i kaltër, e çdo cep i këtij vendi ku ia vlen të shkosh qoftë dhe vetëm për disa orë.

Edhe pak ditë a javë, kur të të duhet të paguash faturën e parë të tatim – fitimit të rritur me 25%, apo kur të shkosh për t’u larë në Jon e të gjesh përpara një tra me mbishkrimin “Ndal! Privat”, jam i bindur se do të urosh të kishe qenë ti në parlament në vend të Flamur Nokës e cilitdo prej atyre grave e burrave të nderuar që sot nuk të përshtaten “estetikisht”.

Atë ditë do të më duhet të të dëgjoj me durim, kur më tregon se çfarë tmerresh e trimërish do kishe bërë për ta ndalur këtë ndyrësi, nëse do kishe qenë ti prezent në sallën e Kuvendit, ose siç është bërë zakon “sikur të ishe vetë 24 orë në vend të atyre që janë në Kuvend”…

Por nejse, edhe kjo është virtuale, si çdo ëndërr e mirë apo e keqe, si funksionimi i procesit legjislativ, “konsultimi me komunitetin”, “konsultimi me shoqërinë civile” apo me strukturat e bashkimit evropian e “të partnerëve”…

Deri tani, real është vetëm dëmi që ti do paguash, dhe gjykimi estetik e distancimi ndaj deputetëve të PD, kur përpiqeshin ta ndalnin edhe me trup, që kjo mos të të ndodhte…

KAQ!

About Redaksia

Check Also

Eurostat:1.1 milionë shqiptarë u larguan nga vendi në 10 vite, Berisha-Ramës:Shpopullimi krimi yt madhor

Sali Berisha Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, ju misionarëve të pamposhtur të lirisë, dinjitetit, …