Minatorët shpërthejnë ndaj Ballukut: Turp të ketë! Protesta e radhës te Kryeministria!

Minatorët e moshuar që e kanë kaluar tërë jetën e tyre nën tokë dhe sot nuk kanë status minatori dhe asnjë lloj përfitimi për punën e vështirë që kanë kryer, kanë pritur sërish me orë në Tiranë që të takojnë, ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukut, për të mësuar në do ta marrin ndonjëherë atë status, i cili iu premtohet prej mëse 20 vjetësh dhe nuk u jepet.

Të lodhur, minatorët në pension u ndien dyfish të fyer nga injorimi që iu bëri Balluku, duke mos i pritur në takim, duke mos lënë asnjë orar pritjeje për ta. “Turp të ketë që nuk na jep përgjigje”, tha i revoltuar njeri prej tyre.

“Ishim duke pritur përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që është ministria jonë përkatëse, po nuk kemi asnjë përgjigje. Siç kemi pritur 20 vite e ca, edhe një orë e gjysmë kaloi po kështu, tha ish-minatori.

“Në qoftë se e ka marrë vesh Belinda Balluku që ne minatorët protestojmë për të disatën herë, unë i them “turp të ketë” që nuk jep përgjigje! Ne mbetemi në pritje, me shpresë se mos na jep dikush përgjigje.

Hapat e mëtejshëm? Ne do të kërkojmë përgjigje edhe nga Ministria e Financave, edhe nga Kryeministria ku do të bëjmë protestën e radhës. Këto janë hapat që mund të bëjmë.

Kërkesat janë: 135% e pagës minimale. Kërkesa kryesore është statusi i minatorëve. Janë edhe për shërbime shëndetësore falas, siç i ka pasur minatori edhe në kohën e monizmit, po që ne nuk i marrim. Le që nuk i gëzojmë, po ne s’po gëzojmë as pagën, lëri kushtet e tjera të statusit që i kemi kërkuar që në vitin 2017.

Zv.ministri që në maj të 2017 e ka thënë tekstualisht: “Statusi i minatorit në 2018 do të jepet se s’bën”. Jemi në vitin 2024 dhe nuk kemi asnjë lloj përgjigjeje. Nuk e dimë çfarë shteti ëhstë ky, kujt i shërben nuk e dimë.

Pritëm disa orë. Kemi ardhur çdo dy tre ditë dhe kemi pyetur këtu e nuk të përgjigjet kush. Jemi në hall aq të madh sa nuk e ke idenë. Nuk të përgjigjet kush.

Rroftë një Makbule Çeço. Nuk e di gjë ku është, por po të kishte ajo siç qe Zv.ministre e Punës dhe e Çështjeve Sociale në atë kohë, për gjysmë ore kur e ka marrë vesh, e ka zgjidhur problemin. Këta nuk zgjidhin problem prej 20 vitesh e ca.

Turp ta ketë po qe se e ka marrë vesh dhe nuk e ka vënë ujin në zjarr! Drejtori i Përgjithshëm i Minierave. Z. Mehmet Hasalami, na ka thënë që unë e kam njoftuar ministren e Infrastrukturës, dhe nuk na jepet asnjë lloj përgjigje. Si ka mundësi që flenë gjumë?! Si ka mundësi?! Kujt i shërbejnë?!” ngriti pyetjen minatori./ar/sh/Syri.net

About Redaksia

Check Also

Ambasadori Alistair King-Smith mori shpifjen e Lulzim Bashës dhe e përcolli si të vërtetë te qeveria e tij

Lideri i opozitës, Sali Berisha i është përgjigjur ambasadorit britanik në Tiranë, Alistair King-Smith, duke …