Berisha: Lufta e kombit ukrainas është një luftë shpëtimtare për Europën!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në nisje të fjalës së tij në tubimin qytetar, foli për 2 vjetorin e luftës së kombit të Ukrainës, kundër Putinit. Sipas Berishës, kjo është një luftë shpëtimtare për lirinë e botës.

“Të dashur misionare dhe misionarë, qëndrestare dhe qëndrestare të lirisë, shpresës, dinjitetit njerëzor dhe të ardhmes sonë.

Përulem me mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh para jush për betejën tuaj kundër një pushtimi të brendshëm barbar, e cila siç u shpreh me të drejtë parafolësja, do një Shqipëri pa shqiptarë.

Ju, po qëndroni çdo ditë kundër këtij regjimi, i cili ka mbuluar Shqipërinë me korrupsion.

I cili dhunon çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë, të drejtat dhe liritë e shqiptarëve.

I cili vjedh shqiptarët nga mëngjesi gjer në darkë dhe i largon ata nga Shqipëria.

Miqtë e mi, sot bëhen dy vite për mbarë Europën dhe botën, njerëzit e lirë, është një ditë e veçantë.

Dy vite nga dita kur diktatori rus, në një paranojë hitleriane, sulmoi vendin fqinj me qindra mijëra tanke, avionë, duke besuar se me një Blitzkrieg, njëlloj si Hitleri në Luftën e Dytë Botërore do lante duart shpejt e shpejt me Ukrainën dhe do u përvishej vendeve të tjera të lira të Europës.

Por, falë qëndresës, heroizmit legjendar të luftëtarëve të lirisë të kombit ukrainas, presidentit të nderuar Zelensky, ata që parashikuan disfatën apo mposhtjen e Ukrainës brenda javës, morët në fushat dhe malet e saj disfatën historike.

Autokolonat e tankeve dhe blindave, skuadrat vdekjendjellëse të aviacionit u asgjësuan.

Kombi ukrainas qëndroi për dheun e vet. Por qëndroi për të gjithë vendet e lira në Europë dhe në botë.

Lufta e kombit ukrainas është një luftë shpëtimtare për Europën. Është një luftë shpëtimtare për lirinë e botës”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Këlliçi: Bashkia vijon të drejtohet nga një hajdut i pashembullt, Erion Veliaj!

Anëtari i kryesisë së PD, Bëlind Këlliçi gjatë fjalës në protestën që u zhvillua përpara …