Standardet e jetesës në Ballkanin Perëndimor janë shumë prapa vendeve të BE-së. Të gjashtë vendet e WB-6 kanë një Produkt i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë i rregulluar me fuqinë blerëse (PPP)) që është më pak se gjysma e mesatares së BE-së.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në raportin e fundit “A mund të konvergjojë Ballkani Perëndimor drejt standardeve të jetesës në BE?” cilësoi se përmirësimi i qeverisjes në Shqipëri dhe Rajon mund të jetë një mjet efikas për të rritur mirëqenien dhe për të shtyrë para ritmet e konvergjencës për të arritur standardet e BE-së.
Sipas BERZH përmirësimi i cilësisë së qeverisjes mund të ndihmojë në ndryshimin e tendencave demografike sidomos në Shqipëri. Rajoni ka bërë hapa pas në standardet e qeverisjes vitet e fundit, duke zgjeruar hendekun me vendet homologe në BE dhe gjetkë.
- qeverisja më e mirë,
- nxitja e lidhjeve ndërkufitare dhe
- nxitja e ekonomisë së gjelbër.
Zonat që kërkojnë vëmendje të veçantë përfshijnë joefektivitetin e përgjithshëm të institucioneve shtetërore, gjykatat, mungesa e mbrojtjes për të drejtat e pronësisë dhe pronës intelektuale, dhe niveli i lartë i korrupsionit.
BERZH evidenton se qeverisja e dobët nuk është vetëm pengesa kryesore për investitorët, por edhe dekurajim për popullsinë vendase, duke inkurajuar të rinjtë të emigrojnë (dhe dekurajojnë emigrantët nga kthimi). BERZH thotë përmirësimi i qeverisjes mund të adresojë deficitin e aftësive të rajonit, duke bindur njerëzit e talentuar të qëndrojnë ose të promovojë kthimin e të ikurve.
Hapja më e madhe ndaj tregtisë dhe investimeve do ta bëjë rajonin më konkurrues. Për tre dekadat e fundit përpjekjet e ekonomive të Ballkanit Perëndimor për t’u integruar më plotësisht në tregjet rajonale dhe globale janë penguar nga trashëgimia e dobët e cilësisë së infrastrukturës, barrierat për tregtinë përtej kufijve dhe mungesa e njohurive dhe sofistikimit që i ndalon ata të hyjnë në tregje më të pasura.
BERZH referon se, tërheqja e investitorëve të huaj mund të forcojë konkurrencën e rajonit dhe të sjellë mundësi të reja për rritje.
BERZH vërën se problemi themelor në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor është produktiviteti i ulët, që është akumuluar nga nën-investimet në ekonomi, institucionet e dobëta dhe së fundmi demografia e pafavorshme dhe një mjedis i vështirë biznesi./Monitor