Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë virtualisht në samitin e sotëm në Tiranë. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.
“Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri Kurti nuk do jetë i pranishëm fizikisht në samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e samitit virtualisht përmes një video-adresimi”, ka thënë Kryeziu.
Sot në Tiranë mbahet Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ky samit mbahet një ditë pas atij Ukrainë-Evropa Juglindore në kryeqytetin shqiptar.
Në samit do të jetë i pranishëm edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.
Figurat kryesore nga rajoni në samit janë vetëm Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.