A është “arrestuar” Majko?

Nga Agim XHAFKA

Nuk ka një lajm të tillë, as njoftim nga SPAK.

Por në fakt Pandeliu është në ‘burg’. Ka kohë që e kanë rrasur atje dhe më e keqja nuk japin informacion mbi të. Duket si paradoks nga që ai shkon në parlament, bën vizita duke ecur si hije pas Lalit apo shihet në televizor duke qeshur.

Siç duket arresti i tij është fare liberal. Të rrijë brenda e të dalë jashtë sa herë të dojë. Por sapo mësova që nuk është veç Majko i ‘prangosur’. Njësoj edhe Braçe, apo edhe-edhe plot të tjerë. Ndërkaq media lakon e lakon veç arrestin shtëpiak të Berishës. Pa akuzë,ama analistët qeveritarë nuk heshtin duke e përgojuar me fantazira e shpifje. E për Majkon,apo Braçen ka heshtje totale.

Po përse akuzohet Majko? Përse akuzohet Braçe? Për heshtje,o njerëz. Ua ka prerë gjuhën Rama. Psh pensionistët shqiptarë Majko i quan depozitë votash për PS. Por që pensionin ata e kanë më pak se një lëmoshë a ka folur ndonjëherë ai? Apo Braçe kur fermerët hedhin prodhimet në kanale e kur në Korçë presin drurët e mollëve a ka klithur ky trim që nuk i pushon goja po ia përmendi pak emrin.

E kështu ka vite.

I ka burgosur Rama,ua ka mbyllur gojën. Se ai i bën listat e deputetëve e këta myteberë më mirë ulin kokën e kafshojnë gjuhën se sa të kundërshtojnë qeverisjen.

Ndërkohë popullin e merr malli kur kujton kohën e Nanos. Qe PS-ja ato mote si zgjua bletësh. Që e shprehnin hapur çfarë mendonin, që guxonin të kundërshtonin kryeministrin, që votohej Fatosi me kandidatë përballë. Tani PS nuk është më parti.

Është një garnizon ushtarak e deputetët janë kapterë të dhjerë,por ama rrinë krenarë para kamerave. Me frikë thonë veç si quhen. Kaq. Më tej nuk bëzajnë. Asnjë fjalë nuk nxjerrin. Pra janë më keq nga të burgosurit,se dhe ata hera herës e bëjnë ndonjë revoltë.

O njerëz, çoni ca paketa me cigare andej nga PS. Dhe i thoni rojës te dera:

-I kemi për deputetët e burgosur. Për ata që i mbushin brekët pa i pa Rama me inat.

About Redaksia

Check Also

Ti duhet të duartrokasësh…

Nga Boldnews.al Ti duhet të duartrokasësh SPAK-un. Ai është zemra e Reformës në Drejtësi, që u …