Shpërthimi në pronën e deputetit të PS, 2 të vrarë, 7 të plagosur

Dy të vdekur dhe 8 të plagosur, mes tyre deputeti socialist Bujar Çela, është bilanci i një shpërthimi të ndodhur këtë pasdite në një magazinë, pronë e deputetit të PS, Bujar Çela në Lushnje. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:30 tek “rreth-rrotullimi i Plasmasit”, në zonën industriale të qytetit.

Zyrtarisht, policia lokale bëri me dije se, “në një kapanon në ndërtim, dyshohet se gjatë punës, një vinçier duke drejtuar një vinç, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm”.

Si pasojë e shpërthimit humbi jetën drejtuesi i vinçit, Landi Verçani (Hoxha) dhe djali i tij, Elidon Hoxha, 24 vjeç, i cili megjithë ndërhyrjen e mjekëve në spital nuk mundi të mbijetojë. Po ashtu kanë mbetur edhe 7 të plagosur.

Mes të plagosurve është dhe deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela, i cili sipas informacioneve është pronarë i magazinës ku ndodhi shpërthimi. Ligjvënësi i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe sipas burimeve spitalore gjendja e tij tanimë është stabilizuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas të njëjtave burime, katër prej të plagosurve janë transportuar drejt spitalit të “Traumës” në Tiranë, për mjekim më të specializuar. Në ndihmë të mjekëve reanimatorë, në spitalin e Lushnjes kanë shkuar dhe kolegë nga spitali i Fierit dhe ai i Beratit.

Shpërthimi, sipas dëshmive të banorëve, raportohet të jetë dëgjuar i fuqishëm deri në Kavajë. Dëme materiale janë shkaktuar dhe në bizneset e tjera pranë vatrës së shpërthimit. Në disa prej tyre ka pasur thyerje të xhamave.


Magazina e deputetit të PS ku ndodhi shpërthimi

Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se, shpërthimi ndodhi në pronën e deputetit të PS, Bujar Çela. Sipas të dhënave paraprake vinçi që po kryente punimet në pronën e deputetit të PS ka bërë kontakt me tensionin e lartë 20 mijë volt dhe për këtë shkak ka ndodhur edhe shpërthimi i fuqishëm.

Këtë fakt e pohoi edhe ministri Balla. “Në zonën industriale të Lushnjes pranë një kompleksi magazinash dyshohet se ndodhi një shpërthim i shkaktuar ndoshta nga kontakti me linjën e tensionit të lartë që më pas ka shkarkuar rrymën dhe ka sjellë shpërthimin e një ekskavatori, drejtuesi i të cilit ka humbur menjëherë jetën. Është plagosur rëndë një tjetër person që gjendej aty pranë i cili dyshohet se është i biri i viktimës”, tha Balla.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …