Matematika e Komisionerit për Zgjerimin dhe biçim-samiti i talljes

Nga Klodian TOMORRI

“Përmes Planit të ri të Rritjes, BE do të japë 6 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor në 4 vitet e ardhshme. Ky plan do të mundësojë dyfishimin e GDP-ve të 6 vendeve të rajonit brenda një dekade,” përsëriti të enjten në Tiranë, Komisionieri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.

Në fakt, që kur u shpall në nëntor të vitit të kaluar nga Ursula Von Der Leyen, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është shndërruar në një televonelë propagande, që transmeton me përpikmëri të njëjtin episod sa herë që i nevojitet burokratëve të Brukselit dhe udhëheqësve autokratë të rajonit. Atë të 6 miliardë eurove dhe dyfishimit të ekonomive të Ballkanit Perëndimor.

Këtë herë madje, Várhelyi u sqaroi qytetarëve edhe se çfarë do të thotë konkretisht ky plan. “Kjo do të thotë se vendet, të cilat sot kanë 30 për qind të nivelit të zhvillimit të BE-së pas 10 vitesh do të kenë arritur në 60 për qind, ndërsa ato që aktualisht kanë 50 për qind të zhvillimit të BE-së pas 10 vjetësh do të kenë arritur 100 për qind të të ardhurave të BE-së,” sqaroi ai.

E para dyfishimi absolut dhe dyfishimi relativ janë dy koncepte shumë të ndryshme. Që vendet e Ballkanit të dyfishojnë nivelin e të ardhurave të tyre në raport me mesataren e BE-së duhet që ekonomitë e tyre të dyfishohen, kurse ekonomia e vendeve të BE-së të qëndrojë në stanjacion për 10 vjet. Por gafat matematikore të Várhelyit nuk janë tallja më e madhe e Planit të Rritjes. Ajo është një tjetër.

Në 12 vitet e fundit, të ardhurat e Shqipërisë në raport me Bashkimin Europian kanë konvergjuar me 5 pikë përqindje. Në vitin 2010 Shqipëria i kishte të ardhurat mesatare sa 29 për qind e Bashkimit Europian, ndërsa në vitin 2022 shifra arriti në 34 për qind. Sipas Várhelyit, Plani i Rritjes do të bëjë të mundur që për 10 vitet e ardhshme të ardhurat e Shqipërisë të konvergojnë me 34 pikë përqindje, pra 7 herë më shpejt se dekada e kaluar. Kjo falë reformave dhe 6 miliardë eurove të BE-së. Tani të shohim pak numrat.

Prodhimi i Brendshëm Bruto i 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor të marra së bashku është rreth 150 miliardë euro. Bashkimi Europian thotë se do të disbursojë 6 miliardë euro në 4 vitet e ardhshme ose mesatarisht 1.5 miliardë euro në vit për të gjashta vendet. Me pak fjalë, 1 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pyetja është a mundet injeksioni i shumë propaganduar i 1.5 miliardë eurove ose 1 për qind e PBB-së të dyfishojë PBB-të e rajonit?

John Maynard Keynes, njeriu i cili shpiku teorinë e stimulit, argumentonte se në rastin më të mirë multiplikatori fiskal shkon deri në 4. Pra 1 për qind shpenzime qeveritare gjenerojnë 4 për qind rritje ekonomike. Megjithatë, ky është një përfundim i shumë debatuar. Ekonomistët e krahut tjetër, ata më pranë linjës të së djathtës mendojnë se multiplikatori fiskal është më i vogël edhe se 1. Por ky është një debat i gjatë dhe ideologjik.

Për qytetarët e Ballkanit Perëndimor thelbi është ky. Procesi i konvergjencës së ekonomive të rajonit ka ngecur. Arsyeja kryesore është korrupsioni dhe keqqeverisja, të cilat mbysin konkurrencën, keqshpërndajnë burimet dhe godasin në zemër mekanizmin që krijon rritjen ekonomike dhe mirëqënien.

Ky është problemi real, i cili nuk zgjidhet as me samite të sajuara propagandistike dhe as me lëmosha që trumbetohen si paketa gjigande financiare. Ato vetëm se bëjnë të kundërtën. Ushqejnë udhëheqësit autokratë dhe mekanizmin me të cilin ata e kanë bërë të pamundur rrotacionin e pushtetit./KAPITALI

About Redaksia

Check Also

Ti duhet të duartrokasësh…

Nga Boldnews.al Ti duhet të duartrokasësh SPAK-un. Ai është zemra e Reformës në Drejtësi, që u …