Taksat shtrenjtojnë me 30 përqind çmimet e apartamenteve brenda vitit

Sivjet, në zonat periferike të Tiranës, është shënuar rritja më e fortë e çmimeve të shitjes së apartamenteve. Tendencë në rritje ka pasur edhe te pronat në zonat qendrore. Për Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë, shtrenjtimi i çmimit të banesave u ndikua nga shtimi i detyrimeve të ndërtuesve, veçanërisht për taksën e ndikimit në infrastrukturë, pas rritjes së referencave dhe pagave për punëtorët. Ndërtuesit paralajmërojnë se rritja e çmimit te njësitë rezidenciale nuk do të ndalet edhe në dy vitet e ardhshme.

Dorina Azo

Çmimet e apartamenteve në Tiranë vetëm po shtrenjtohen. Nga vëzhgimi i “Monitor” në terren, çmimet në periferi janë mbi 1,000 euro për metër katror dhe afër qendrës, mbi 2,000 euro metër katror. Te banesat e zonave periferike çmimet janë rritur me 11-31%.

Afër qendrës, rritja shkon rreth 9% dhe brenda Unazës së Vogël të Tiranës, apartamentet shiten me çmime nga 2,100 deri në 2,300 euro për metër katror. Në vlera, luhatja e tyre varion nga 150 deri në 300 euro për metër katror krahasuar me vjet.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi, shtrenjtimi u ndikua nga shtimi i detyrimeve të ndërtuesve për taksën e ndikimit në infrastrukturë, pas rritjes së çmimeve të referencës, kostove direkte për paga të punëtorëve dhe materialeve.

Blerja e shtëpisë është një nga investimet më afatgjatë që kryhet vetëm një herë. Në Tiranë, çmimet e pronave afër qendrës janë të papërballueshme për shumë familje shqiptare, të cilat po zgjedhin si alternativë kryesore për strehim periferinë dhe zonat jashtë Tiranës.

Por këtë vit është shtrenjtuar edhe periferia, duke kapur në befasi shumë blerës. Si ndërtuesit, edhe agjentët e tregut të pasurive të patundshme, pohuan se për arsye të leverdisë së çmimit dhe zhvillimit urbanistik, një ndër zonat me përqendrimin më të lartë të kërkesës është Paskuqani. Çmimet e shitjes janë nën 1,000 euro për metër katror.

“Në disa zona të caktuara të periferisë të Tiranës, si pasojë edhe e zhvillimeve urbane, kemi rritje të çmimeve, si në Kashar pranë QTU me çmime deri në 1,000 euro për metër katror, apo në Paskuqan, me çmime mesatare 950 euro për metër katror, që vjen si risi në Tiranë me një distancë shumë të shkurtër pranë Bulevardit të Ri.

Ndërsa në zona të tjera, çmimet e apartamenteve në Tiranë vazhdojnë të jenë të pandryshuara”, thotë Dritan Leka, nga agjencia imobiliare “Century 21 CPM”.

Shtrenjtim të çmimeve ka pasur edhe në lagje të tjera periferike. Në rrugën e “Kokonozëve”, te dy kantieret e reja të ndërtimit, rresht njëri pas tjetrit, çmimet variojnë nga 1,300 deri në 1,500 euro për metër katror.

“85% e apartamenteve janë prenotuar për blerje”, pohoi një nga menaxherët e zyrës së shitjes. Ai tha se rritja është ndikuar nga kostoja e lartë për punime cilësore të brendshme dhe të fasadës së jashtme dhe pagat e larta për punëtorët.

Në një nga komplekset pothuajse të përfunduara në rrugën “Xhanfize Keko” në zonën e Porcelanit, administratori për shitjet pohoi se çmimet variojnë nga 1,450 deri në 1,500 euro për metër katror.

Nga ndërtuesit, të njëjtat nivele çmimesh ofroheshin edhe për dy objektet e reja, një në zonën e Xhamllikut dhe tjetri në Kinostudio. Vjet në zonat Kinostudio-Porcelan, çmimi maksimal i shitjes për objektet e reja arriti në 1,300 euro për metër katror.

Krahasuar me vjet, çmimet në këtë zonë u rritën nga 12 deri në 15%. Ndërsa më 2021, në periudhën pas pandemisë, çmimet e apartamenteve të reja ndryshuan me 36% (nga 1,100 euro arritën në 1,500 euro për metër katror).

Çmimet kanë shënuar rritje edhe në zonën e Freskut, kryesisht tek objektet ekzistuese, nga 800 deri në 900 euro që ishin vjet, në vitin 2024 janë 1,000 euro për metër katror (rritja varion 12-25%).

Në skajin tjetër të periferisë së Tiranës, “Astiri”, sipas agjentëve imobiliarë, çmimet e pronave në vijën e parë janë 1,600 euro për metër katror. Vjet, çmimi maksimal i shitjes për këtë zonë ishte 1,300 euro për metër katror (rritja 23%).

Nga të dhënat e marra nga zyrat e pasurive të paluajtshme, apartamente me çmime 1,000 euro për metër katror po tregtohen edhe në Sauk. Në Yzberisht çmimet nga 1,100 euro për metër katror kanë arritur në 1,300 euro (rritja 18%).

Në zonën rezidenciale “Univers City” (pas QTU), apartamentet sipas agjentëve të pasurive të patundshme janë me çmim 1,050 euro, nga 800-850 euro për metër katror që u shitën vjet (rritja 21-31%).

Në vitin 2021, me fillimin e punimeve, sipas të dhënave të zyrës së shitjes së kompleksit rezidencial, çmimet e shitjes nisnin nga 580 deri në 650 euro për metër katror (deri tani çmimet janë rritur nga 61 deri në 81% në raport me fazën e parë të ndërtimit)./ Monitor

About Krye Redaktor

Check Also

Partneri juaj ideal/ Grupi “SIGAL UNIQA”, lider i sigurimeve edhe për 6-mujorin e parë 2024

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) publikoi këtë të premte të dhënat e tregut të sigurimeve …