Kullë tek Muzeu Kombëtar? Plani i Ramës…

Muzeu Historik Kombëtar përmes një njoftimi në rrjete sociale drejtuar agjencive turistike, drejtuesve të tureve kulturore dhe palëve të tjera të interesuara, bën me dije se do të jetë i mbyllur për vizitorët për periudhën 15 mars 2024 deri më datë 15 mars 2028.

“Në kuadër të zbatimit të projektit “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë”, Muzeu Historik Kombëtar do të jetë i mbyllur për vizitorët për periudhën 15 Mars 2024 deri më datë 15 Mars 2028.

Plani i Ramës

Ndryshimi tërësor i qendrës së Tiranës është një obsesion mbi 20-vjeçar i Kryeministrit Edi Rama. Në fillim të viteve 2000, kur sapo ishte zgjedhur Kryetar i Bashkisë Tiranë, ai hartoi një masterplan për qendrën e Tiranës, i cili parashikonte transformimin tërësor të Sheshit Skënderbej dhe hapësirës nga ky shesh deri tek Parku i Liqenit.

Plani i hartuar nga firma Architecture Studio në vitin 2003 parashikonte rrethimin e Sheshit Skënderbej me rreth 10 kulla të larta, si dhe ndërtimin e një sërë kullash në hapësirën midis Sheshit Skënderbej dhe Parkut të Liqenit, në të dy anët e Bulevardit Dëshmorët e Kombit.

Këtij plani iu shtua, në vitin 2005, ai për rindërtimin e Sheshit Skënderbej, hartuar nga studio 51N4E dhe Anri Sala.

Në vitin 2008, u shtua Masterplani i Liqenit të Tiranës, i hartuar nga studio MVRDV, i cili propozonte ndërtimin e disa kullave të larta në pjesën poshtë digës së liqenit.

Përpara ardhjes në pushtet në vitin 2013, Edi Rama mundi të realizonte vetëm objekte të izoluara të këtyre planeve, përfshi Kullën ABA, Kullën TID (sot hotel Plazza), si dhe Kullën 4rever Green, e cila është ende duke u ndërtuar.

Vetëm pas vitit 2015, kur vetë ishte kryeministër dhe në krye të Bashkisë Tiranë erdhi Erion Veliaj, Edi Rama mori në duar gjithë vendim-marrjen teknike dhe financiare për të vënë në jetë planin e tij të vjetër për të ndryshuar rrënjësisht gjithë pjesën qendrore të Tiranës, duke shuar thuajse çdo gjë që ekzistonte para tij.

Më poshtë ne po përshkruajmë ecurinë e zbatimit të këtij plani deri tani dhe atë që pritet në vitet e ardhshme.

Muzeu Kombëtar
Ndërtesa e tanishme e Muzeut Kombëtar është planifikuar të kthehet në një qendër argëtuese dhe tregtare. Në të do të ketë librari, kinema, sallë aktivitetesh, sallë eskpozitash, bare, restorante, dyqane.

Nëpër godinë do të ketë disa ekspozime etnografike, të realizmit socialist, dhe dokumente të periudhës së totalitarizmit në Shqipëri.

Në mes të godinës do të ndërtohet një strukturë xhami, në majën e së cilës do të ndërtohet një restorant “shik me ushqime shqiptare”.

Ja si e përshkruan, me nota romantike, Kryeministri Rama idenë e tij për ndërtesën e Muzeut Kombëtar:

“Muzeu i vjetër Historik, që lëngon si gërdallë barkzbrazur, gjynah e turp pas njëzet vjetësh nga rënia e komunizmit dhe Realizmit Socialist.

Riprogramohet si një hapësirë e gjallë e trashëgimisë kulturore e historike, […] nga shtresa e parë e objekteve origjinale arkeologjike në hyrje, te zona e tregtimit të librit shqip në mjedisin e katit të fundit, ku shkohet duke kaluar me një rend të studiuar mirë përmes shëmbëlltyrave më të vyera të kulturës etnografike, veprave më përfaqësuese të artit bizantin, një koleksion permanent origjinalesh të Realizmit Socialist, kombinuar me dëshmi autentike të terrorit totalitar, të ndërthurura me dhoma projeksionesh, filmime, burime të aksesueshme për publikun të informacionit të thelluar dixhital, pika shitje të botimeve e suvenireve nga udhëtimi brenda muzeut, kënde relaksi e bare të vogla, një sallë konferencash moderne dhe po ashtu një mjedis ekspozitash të përkohshme, si dhe një bibliotekë dixhitale e gjithçka gjendet e shkruar në gjuhën shqipe, së bashku me një restorant shik ushqimesh tradicionale.”

About Krye Redaktor

Check Also

Gjekmarkaj: Kjo është stina e fundit politike për Ramën! Të bashkuar do të sjellim fitoren e PD

Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj ka postuar në faqen …