Avokati: Gjyqtarja nxori vendimin në mediat e Ramës, kërkuam përjashtimin e Irena Gjokës

Genc Gjokutaj, avokati i liderit të opozitës, Sali Berisha, tha se kërkojnë përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga seanca, pasi vendimi për Berishën doli më parë në media.

Kujtojmë se vendimi për kërkesën e zotit Berisha që të marrë pjesë në seancat plenare, u publikua fillimisht nga media pro-qeveritare, Top Channel.

“Atëherë siç e dini, sot ishte seanca për revokimin e masës së sigurimit për zotin Sali Berisha, ndërkohë gjykata kishte marrë vendim për bashkimin me çështjen e zotit Jamarbër Malltezi, po për revokimin e masës së arrestit.

Ndërkohë po në atë seancë prokuroria kishte depozituar edhe informacionin dymujor për ecurinë e hetimit.

Pra, sot ishin në gjykim tre objektet.

Gjykata ishte i njëjti nivel, i njëjti standard njoftimi për zotin Berisha. Herën tjetër e shtyu seancën, sot e vijoi duke pasur të njëjtin informacion dhe të njëjtin njoftim.

Sigurisht që kërkesa jonë e parë ishte përjashtimi i gjyqtares Irena Gjoka. Një nga arsyet ishte nxjerrja nga ana e saj e vendimit për dhënien e lejes së zotit Berisha në Kuvend, pra dhënia e këtij vendi medias, dy apo tre ditë para se mbrojtja të njihej dhe vendimi të dilte zyrtarisht.

Sigurisht kërkuam dhe do të kërkojmë që të hetohet deri në një sepse dalja e akteve procedurale siç është edhe vendimi, përpara se t’i jepet palëve, përbën shkelje shumë të rëndë.

Madje kjo gjykatë ka rrëzuar kërkesën për pjesëmarrjen e medieve edhe pse ne e kërkuam praninë e tyre që në fillim se do ishte mirë për transparencë.

Kjo gjykatë e ka rrëzuar se nuk i do në sallë gazetarët, por komunikon mbrapa kuintave me ta”, tha Gjokutaj.

About Redaksia

Check Also

Sofra e Tiranës, mes emocioneve dhe përjetimeve shumë të forta!

Për mua dhe shumëkënd në qytetin tonë, Arbeni ishte jo vetëm një mik dhe koleg …