Deputetja Albana Vokshi në Kongresin e Partisë Popullore Europiane në Bukuresht.
Vokshi: PD denoncoi shtetin antidemokratik të Ramës/PPE mbështet kauzën e PD-së të zgjedhje të lira dhe zbatimin e të drejtave kushtetuese të opozitës.
###
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka marrë pjesëmarrëse në Kongresin e Partisë Popullore Europiane në Bukuresht, ku ka denoncuar shtetin antidemokratik të Edi Ramës. Me anë të një postimi në rrjetin social deputetja Albana Vokshi, njëherësh edhe kyetare e Lidhjes Demokratike të Gruas, thekson se për PD është shumë i rëndësishëm qëndrimi i PPE-së se vendit i duhet zbatim i shpejtë i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për reformën zgjedhore. “PPE bën thirrje për zbatimin e shpejtë të të drejtave parlamentare dhe kushtetuese të opozitës, duke përfshirë funksionin e saj themelor për të mbajtur ekzekutivin përgjegjës. Kjo do të thotë se opozitës nuk mund t’i hiqet e drejta as për t’u përfaqësuar siç duhet në Komisionin e Reformës Zgjedhore, as për të ngritur komisionet hetimore parlamentare,” shprehet ndër të tjera deputetja Vokshi në rrjetin e saj social.
Postimi i plot i deputetes Albana Vokshi
Në Kongresin e Partisë Popullore Europiane ia dolëm të denoncojmë shtetin antidemokratik të Edi Ramës dhe të marrim mbështetje për kauzën tonë të zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Si e vetmja përfaqësuese e Partisë Demokratike të Shqipërisë, pata rastin të njoh partitë simotra, si dhe drejtues të lartë të institucioneve në Bashkimin Europian, për shkeljen e rëndë të të drejtave politike në Shqipëri.
Në një rezolutë të posaçme, Kongresi i Partisë Popullore Europiane, duke marrë shkas nga rasti flagrant i pengimit të zotit Beleri për të bërë betimin si kryebashkiak i zgjedhur, thekson se “mosrespektimi flagrant i qeverisë shqiptare për shtetin e së drejtës krijon një hendek politik midis Shqipërisë dhe BE-së”.
Rezoluta e miratuar nga PPE konfirmon shqetësimin e Partisë Denokratike se mosrespektimi i shtetit të së drejtës, të drejtave themelore dhe lirisë së medias, si dhe korrupsioni i përhapur dhe mungesa e ndarjes së pushteteve, po minojnë rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Partia Popullore Europiane, formacioni më i madh politik në Bashkimin Europian bën thirrje për zbatimin e shpejtë të të drejtave parlamentare dhe kushtetuese të opozitës, duke përfshirë funksionin e saj themelor për të mbajtur ekzekutivin përgjegjës. Kjo do të thotë se opozitës nuk mund t’i hiqet e drejta as për t’u përfaqësuar siç duhet në Komisionin e Reformës Zgjedhore, as për të ngritur komisionet hetimore parlamentare.
Partia Popullore Europiane, përmes rezolutës për gjendjen në Shqipëri, shpreh shqetësimin për blerjen e votave dhe përdorimin e shtetit në zgjedhje.
Për PD është shumë i rëndësishëm qëndrimi i PPE-së se vendit i duhet “zbatim i shpejtë i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për reformën zgjedhore dhe një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët për të adresuar këtë çështje përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.”
Në Kongresin e PPE të mbajtur në Bukuresht, pata rastin të ndaj këto shqetësime me Bordin Ekzekutiv të Forumit të Grave të PPE; z. Manfred Weber, President i PPE; z. Antoinio Tajani, Zëvendës Kryeministër i Qeverisë Italiane; Komisioneret Maria Gabriel dhe Dubravka Suica; Maurizio Gasparri, Presidentit të Grupit të Forza Italia në Senatin Italian; Senatoren italiane Craxy; si dhe me eurodeputetë, deputetë, drejtues e përfaqësues të partive politike.
#eppcongress #epp #eppwomen