Prof. Argita Malltezi së bashku me avokatët Genc Gjokutaj, Sokol Mëngjesi dhe Klodian Skënderaj kanë dalë sot në një konferencë shtypi lidhur me procesin politik që po zhvillohet në SPAK ndaj liderit të opozitës, z. Sali Berisha dhe anëtarit të Kryesisë, Prof. Jamarbër Malltezit.
Në fjalën e saj ndër të tjera për atë që njihet si Çështja “Partizani”, znj, Malltezi tha se, Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë në burg, në fazë hetimesh, pa asnjë provë, fakt, dokument apo dëshmi.
“Shkak për thirrjen e kësaj konference sot është bërë një veprim procedural i SPAK i bërë në kuadër të nenit 246/paragrafi 6 i Kodit të Procedurës Penale në bazë të të cilit, Prokuroria detyrohet çdo dy muaj të bëjë një raportim përpara gjykatës për të treguar çfarë veprimesh hetimore ka kryer, për çfarë është përdorur koha nën hetim, kush janë provat që ka prodhuar ky hetim, si ndikojnë këto prova në pretendimet e Prokurorisë dhe kryesoja, si ndikojnë në masën e arrestit.
Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë në burg, në fazë hetimesh, pa asnjë provë, fakt, dokument apo dëshmi, që të tregojë se ata kanë kryer një rol në atë që njihet si çështja “Partizani”.
Fillimisht, unë dua t’ju bëj një prezantim të disa prej pikave kryesore që edhe janë përmendur, por janë të rëndësishme për të kuptuar se pse ky vijim hetimesh ose duhet të gjenerojë prova, ose duhet të pranohet publikisht që masa e arrestit nuk ka synim realizimin e procesit të hetimit, por goditjen e opozitës për qëllimet politike të pushtetit.
Më pas avokatët do të sqarojnë momentet procedurale secili, duke përfshirë edhe raportimin që ka bërë SPAK për periudhën dymujore të hetimeve, që nga momenti i vendosjes së masës së arrestit në shtëpi për Sali Berishën dhe në vijim. Ky është raportimi i dytë për Malltezin dhe i pari për Berishën.
Çështja filloi nëpërmjet diktatit politik. Taulant Balla në 1 dhjetor 2020 bëri një kallëzim penal, i cili shumë shpejt u kuptua që ishte një kallëzim i rremë, në të cilin ngrinte disa pretendime që pastaj SPAK i përktheu të gjitha në pretendime të vetat.
Pretendimi i parë ishte pronarët janë shpronësuar në kohën e Italisë, pasi toka është marrë për interesa publike dhe u është kompensuar me para. Për këdo në botë vlen parimi që ligji njihet. Pra, nuk mund të dalë dikush e të thotë “nuk e njoha ligjin”. Ky nuk është pretendim. Nëse ke shkelur ligjin, qoftë edhe nga padija, kjo të ngarkon me përgjegjësi penale.
Ky është kallëzim i rremë. Taulant Balla duhet të ishte sot në bankën e të akuzuarëve me përgjegjësi penale për kallëzim të rremë”, tha Malltezi.