Partia Demokratike ka njoftuar se ditën e sotme do të depozitojnë padi në SPAK në lidhje me aferën e Eko-Parkut në Durrës, që konsiston në mbylljen e ish-vendgrumbullimit të vjetër të depozitimit te mbetjeve urbane të bashkisë së qytetit bregdetar në Porto Romano dhe krijimin e një parku me terrene sportive dhe hapësira të gjelbërta.
Deputeti Oerd Bylykbashi, në një konferencë për mediat nga selia blu e konsideroi këtë aferë si një skandal, që është bijë e mega-skandalit korruptiv të inceneratorit. Ai tha se sipas projektit, mbetjet e Durrësit do të dërgoheshin në mënyrë korruptive në një incenerator që nuk ekziston, duke iu referuar inceneratorit të Tiranës.
Bylykbashi deklaroi se e gjitha kjo është arkitektuar në një mendje diabolike korruptive në majat më të larta, që inicion te kryeministri dhe ekzekutohet më pas nga mekanizmat në vartësi të tij, për të çuar para te të njëjtat persona që janë nën hetim sot për aferën e inceneratorit. Sipas tij, emri që del fare qartë është ai i Klodian Zotos.
“Të gjitha këto, mbasi krijuan bindjen se ishte e domosdoshme për ta bërë këtë, u vunë në dispozicion 19 milionë euro. U prish e gjithë procedura e tenderimit për t’u bërë një negocim pa shpallje dhe për ta marrë përsëri Klodian Zoto, nëpërmjet një kompanie të ngritur përmes shoferit të tij. Nga 19 milionë euro që u tenderuan, u nënkontraktua më pas për 6.5 milionë euro. Pra, rreth 12.5 milionë euro shkuan në xhepat e atyre që arkitektuan këtë aferë korruptive”, tha ndër të tjera Bylykbashi.
Ndërkohë, anëtari i Kryesisë së PD-së, Eno Bozdo shpjegoi gjithë skemën se si Qeveria e tenderoi këtë projekt me procedurë të përshpejtuar dhe në fund, punimet u kryen nga kompania “ArdCom Shpk” në pronësi të Denis Ymerit, i cili ka qenë shoferi personal i Mirel Mërtirit.