Elona CASLLI
Drejtësi e Reformuar, apo Konflikt Fraksionesh në Partinë Socialiste?! Kjo është dilema.
Kryeministri Edi Rama ka qenë krejt i sinqertë kur ka pohuar se Reforma në Drejtësi është kryer falë Partisë Socialiste. Mjafton të analizosh tipologjinë e arrestimeve të ” bujshme” për të kuptuar se Reforma në Drejtësi, nuk është gjë tjetër veçse një Konflikt Fraksionesh në Partinë Socialiste.
Sa herë që arrestohet një drejtor, ka një përplasje mes fraksioneve në Partinë Socialiste.
Arrestohen drejtorët në Bashkinë e Tiranës dhe alibia që ngre kryebashkiaku është se në bashki janë punësuar edhe individë me aftësi të kufizuara dhe ata mund të thonë; “Kaq ma priti mendja dhe kaq bëra.”
Të thuash mashtrim publik nga ana e kryebashkiakut është pak. Të thuash tallje publike me shqisat e çdo shqiptari është përsëri pak. Duhet krijuar një gjuhë e re për të përshkruar siç duhet “Drejtësinë e Reformuar” në Shqipëri.
Arrestohet Ervis Berberi, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe njëkohësisht shoferi në videoklipin kryeministror në të cilin kryeministri dhe ministrja Balluku shëtisnin me makinë duke rrëfyer arritjet e mëdha të partisë. Ndërkohë, Berberi konsiderohet në nga bashkëpunëtorët e ngushtë të ministres dhe akuzohet për pastrim parash dhe korrupsion me vlerë miliona euro.
Përralla është e njëjtë: Edhe Veliaj, edhe Balluku nuk dinë gjë. Bashkëpunëtorët e tyre, njëjtë si bashkëpunëtorët e kryeministrit, kanë ngrënë dardha prapa shpinës së tyre.
Shqiptarët po përballen me luftën brenda llojit ose me përplasjen mes fraksioneve në Partinë Socialiste, por kurrsesi me Drejtësinë e Reformuar ose me të ashtuquajturit ” Heronjtë e fëmijëve tanë” siç do të shprehej dikur ambasadorja Yuri Kim.
Post Scriptum- Cili nga fraksionet e Partisë Socialiste do të fitojë?! “Drejtësia e Reformuar” do të na japë përgjigjen.