Në mjegulla tragjedie

Agim Xh. Deshnica

NË MJEGULLA TRAGJEDIE

Shekspiri mendueshëm ecën në muzg,
Pelerinë e flokë supeve, era ia trazon.
Ngjitet e ngjitet nëpër shkallët e gurta.
Shfaqet lart nën hije resh të murme,
në kulla, bedena këshjellash tragjike.

Në pallatet e ngrysur hyn,
shkel në gjurmë,
mbretërish e mbretëresash,
princash e princesash,
kalorësish hijerëndë.

Heton me radhë intrigantë,
hapa besnikësh e rojesh,
Qorton vetvrasës, fli mashtrimesh;
qan të dashuruarët e pafaj;
ndëshkon vrasës të pabesë.

Në kulla, bedena e shkallë të gurta,
veç terr, pluhur, frymë shkretëtire.
Ndër sallat mister, hijet sillen qark,
pa shenjë, pa fjalë, veç heshtja flet,
nga thellësi e mjegullt e kohrave.

Kupolat kumbojnë,
nga zëri titanik i perandorit:
Dhe ti o Brut, kamën vrastare ngre?!
Atëhere bjer o Qesar!

Në sallat e hollet e zymta,
ushton thirrja tragjike
e princit Hamlet:
Të rrosh a të mos rrosh,
kjo është çeshtja!
O prapësi o dreq,
që unë paskam lindur të të ndreq!
Makbeth! Makbeth!
Më kot! Më kot! lan duart e krimit;
Zonja Makbeth, Pylli i Brinjës lëvizi!
Bujar Makdafi, vjen për ndëshkim!

Shekspiri kundron trishtueshëm,
sallat spërkatur me gjak hakmarrjesh.
U qetëson plagët trimave të drejtësisë,
përcjell me dhimbje të ndershmit e pafat;
gjurmë gjaku fshin në shtegun e jetës;
kumte të ndritur, lë për njerëzimin

ATJE, NE FUND TE KOPSHTIT

Atje, në fund të kopshtit
një lis vështron përpjetë
dhe era në mbarim të gushtit
rrëmben në degë e flak foletë.

Atje, në fund të kopshtit
at’ lis me gjeth e fëshfërimè
mos vallë largësi e praruar
e josh në fluturim,
tek çohet krahapur për qiell
me vrull shqiponjë e lirë,
përflakur nëpër diell
e zgjuar nga një dëshirë?

Atje, në fund të kopshtit
një lis vështron përpjetë
dhe era në mbarim të gushtit
mbi degë fladit foletë.

About Redaksia

Check Also

Tetori bëhet rozë në SIGAL UNIQA/ Paketat më të mira të sigurimit dhe oferta që nuk duhet humbur

Tetori, muaji kushtuar ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e kontrolleve dhe parandalimit në luftën kundër kancerit të …