Si u ekzekutua ish-polici i burgjeve me breshëri kallashnikovi pranë shtëpisë

Ish-polici i burgjeve, Gentjan Bejtja është ekzekutuar me armë zjarri pasditen e kësaj të premteje, në oborrin e banesës së tij, në Larushkë të Fushë-Krujës.

Burimet bëjnë me dije se Bejtja është ekzekutuar sapo ka mbërritur në banesën e tij, teksa në momentin e ekzekutimit ishte afër magazinës që ka pas shtëpie.

Dyshohet se dy persona i janë futur në oborrin e banesë dhe e kanë ekzekutuar me breshëri kallashnikovi, teksa një person i tretë dyshohet se i priste në automjetin e tij. Fillimisht, autorët e kanë qëlluar Bejtjan në oborr, por ai ka tentuar të largohet në pjesën e pasme dhe autorët e kanë ndjekur dhe e kanë ekzekutuar.

Mësohet se në banesë Gentjan Bejtjan e priste vetëm e ëma, pasi bashkëshortja dhe fëmijët e tij ishin larguar që prej atentatin të korrikut të vitit të kaluar, ku iu plagosën dy fëmijë e mitur dhe iu vra kunati Ramazan Sino.

Gentjan Bejtja ishte në kërkim nga Policia për t’u marrë në pyetje për atë atentat. Për herë të parë pas 8 muajsh në kërkim policor, Gentian Bejtja u kthye në banesë, por gjeti vdekjen.

Pas krimit një foristradë “Land Rover” ngjyrë e bardhë u gjet e djegur në fshatin Hasan, jo shumë larg rrethrotullimit të Fushë Krujës, 5 km larg vendit ku ndodhi vrasja. Dyshohet se iu përket autorëve.

Gentjan Bejtja njihet për përplasje të forta me vëllezërit Valter dhe Durim Bami dhe Marklen Hakën.

“Në fshatin Larushk, Krujë, nga persona ende të paidentifikuar është vrarë me armë zjarri shtetasi G.B. Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar”, njoftoi shkurtimisht policia për ngjarjen.

Shkak i atentatit dyshohet se kaluara e viktimës. 42-vjeçari Bejtja u kishte shpëtuar deri më tani 3 atentateve.

Më datë 4 Korrik të vitit 2023, atij iu bë një atentat jashtë ambienteve të banesës, ku mbeti i vrarë kunati i tij Ramazan Sino, 29 vjeç dhe u plagosën Bejtja si dhe dy djemtë e këtij të fundit, 10 dhe 13 vjeç.

Për krimin në fjalë u arrestua Valter Bami, i cili para hetuesve mohoi të kishte lidhje me ngjarjen. Më pas, gjykata e Tiranës i shuajti arrestin me burg duke e lënë në arrest shtëpie për shkak të skadimit të afateve hetimore.

Më 9 Janar të vitit 2022, Gentian Bejtja i shpëtoi një atentati në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, ndërsa mbeti i plagosur miku i tij 31-vjeçar Klodian Stafuka, i cili ishte me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti. Ngjarja mbetet e pazbardhur.

Shtëpia e Gentjan Bejtjas

Gentian Bejtja i shpëtoi po ashtu dhe një atentati me eksploziv të ndodhur në Shtator të vitit 2016, kur në mjetit e tij një sasi eksplozivi shpërtheu dhe e plagosi atë.

Bejtja rezulton person me precedentë penalë në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës, si dhe i arrestuar me arsenal armësh në banesë. Gentjan Bejtja së bashku me Enver Stafukën (i rrëmbyer në vitin 2015) , ishin personat që vodhën makinën e përdorur për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, në shkurt të vitit 2013. Bejtja është marrë në pyetje për disa vrasje të ndodhura në qarqet e Tiranës dhe Durrësit. Ai është dyshuar si i përfshirë në disa atentate, si personi që ka nxjerrë në pritë viktimat. Në media është raportuar se Gentjan Bejtja ka pasur përplasje me vëllezërit Valter e Durim Bami dhe Marklen Hakën.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Ju u shndërruat në një faktor shumë të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik në Greqi

Lideri i opozitës, Sali Berisha vlerësoi shqiptarët e emigruar në Greqi dhe Athinë dhe punën …