Bilanci i Vlorës: dërguar të pabesit nga Vlora besnike!

Pranvera SHEHAJ

Ndër lotë a buzëqeshje poetike, është shkruar dhe folur shpesh e shumë për Vlorën, qëndrestaren në furtuna, të metat e të mirat e saj, të errëtat e të ndriçuarat anë të karakterit, fytyrës, njerëzve të saj. Vlora historike, po aq sa poetike, e ashpër po aq sa e butë, kryeneçe po aq sa e thyeshme, Vlora e dashur sa e urryer, e lakmuar po aq sa e përçmuar; Vlora, heroizmi historik i së cilës u tkurr prej kohës e ngjarjeve të saj në rebelizma e luftëra meskine; Vlora që besnikërinë ia përçmojnë në tavolina pa burrni e që bast vendosin për rebelizmin e saj; Vlora besnike që strehon të pabesët; E bukura Vlorë në të mjerën Shqipëri të bërë pis nga pabesia!

Nëse i referohemi ngjarjeve politike dhe elektorale të tranzicionit demokratik në Shqipëri, Vlora u shpreh vetëm një herë me shumicë të djathtë, dhe ishte i vetmi vit ai i 1992. Në çdo herë tjetër, socialistët kanë fituar shumicën absolute në Vlorë, duke e lënë të djathën me një rezultat të pandryshueshëm që vërtitet rreth 30 – 35%. Përpos historisë së përndjekjes politike, pak rëndësi ka më shumë a më pak tragjike se shqiptarë të tjerë, unë u rrita në një familje ku kuptoja se të qenurit demokrat në Vlorë ishte jo vetëm qëndrim, por donte edhe forcë në një qytet ku rrethohesh përgjithësisht nga patriotë me bindje politike të theksuar të majtë. Ende e mbaj mend një episod debati timin në një orë boshe siç i quanim në shkollë, kur u kacafyta me pafajësinë e idealeve fëmijënore me shokët e shoqet e klasës, edhe pse krenarinë se kisha fituar si një dhe e vetme debatin përballë gjithë klasës që bënte tifo për PS-në (kaq njihnim atëherë rreth politikës), ma theu qortimi kur u ktheva në shtëpi, se në shkollë kisha shkuar për tjetër qëllim e jo për garë për politikë. Episod sporadik që bashkangjitur pandryshueshmërisë së mbështetjes demokrate në Vlorë, e pse jo edhe asaj socialiste në shumicë, tregon mjaftueshëm për moslëkundjen e vlonjatëve deri dhe besnikërinë e heshtur të tyren, të heshtur aq sa provokon dyshim.

Edhe pse në Vlorë, me gjithë sigurinë që ky qytet i jep të majtës, Rilindja, e karakterizuar nga pasiguria e saj edhe kur gjithçka e ka nën vete e të vetën, u premtoi shumë vlonjatëve në vitin 2013, prej akteve konkrete lidhur me objekte deri tek ato lidhur me parime mbi publiken e privaten, e në fund si rrallë di ta zotërojë e majta, tek ato që lidhen me idealet. Ky shkrim është një album i plotë fjalësh, i shoqëruar pjesërisht me foto a video, që dëshmon ç‘iu tha e ç‘u bë me Vlorën në më shumë se një dekadë.

Sheshi i Flamurit: Ia nisim prej simbolit, ish-“Sheshit të Flamurit”. “Do të pritet kulla e asnjëherë e përfunduar në mes të sheshit dhe baza e saj prej tre katesh të larta do të transformohet në një qendër komunitare për të gjitha moshat […] Edhe këtë pallatin besoj e keni futur, jo për ta integruar  dhe këtë se s‘mund të rrijë si gogol komunist  […]” – shprehet kreu i rilindur i PS në 2021, pasi edhe dy vite më parë, në 2019, premtoi publikisht përpara brohorimave të vlonjatëve se do ta zhdukte pallatin gogol komunist nga sheshi i krenarisë së vlonjatëve e shqiptarëve. Viti 2024: gogoli komunist vazhdon të vegjetojë në mesin e Vlorës njësoj si vizionet komuniste të atyre që e zhdukën sheshin. Gogoli komunist disa-katësh është sot aktual, ndërsa “Sheshi i Flamurit” u kthye në ish. Gogolit komunist përballë monumentit dhe shtizës së flamurit, të rilindurit i kanë shtuar një kub të stërmadh betoni të mbuluar nga sipër, që të kujton një vdekje artitekturore. Të dyja këto arkivole betoni të stilit alla-socialist, i zënë frymën “Old Town Vlora”, rrugës së famshme “Justin Godard”, asaj me ndërtesat e bukura që shumë i pëlqejnë fasadën e pak ia dinë historinë. Ah, se mos më del nga mendja, shkallët e varrezave të Dëshmorëve përballë ish-sheshit, seç premtove se do t’i zgjeroje? Me siguri, detaj  i parëndësishëm për t‘u mbajtur mend në 11 vite qeverisje. Ç‘të themi, e mbajti premtimin i rilinduri?

Bashkia: Anti-betonizimi, premtimi therës i të rilindurve që besoj ua copëton zemrën kur e artikulojnë përsa kohë bie ndesh me prejardhjen ideologjike të tyre dhe konceptin që kanë për qytetin e shtetin, vazhdoi me “Bashkinë Vlorë”. Një shatërvan modest përballë godinës së stilit italian të Bashkisë, në një lulishte-rreth që disiplinonte trafikun për thuajse katër rrugë e lagje, njëra prej të cilave rruga drejt spitalit rajonal të Vlorës e drejt fshatrave, u zëvendësua vitin e fundit nga një piramidë betoni e ngritur po mbi një shesh betoni që bllokon kalimin e shton kaosin dhe padurimin e përditshëm që karakterizon nga pak ne vlonjatët. Përpos dëmit logjistik dhe rrugor, piramida alla-socialiste, që më së shumti ngjason me një tjetër arkivol betoni, t’i than sytë e ta shëmton artin e godinës së bashkisë. Faktikisht, kjo vepër madhështore e artit rilindas nuk vonoi të kthehet në një tualet publik, të cilit vlonjatët ia kanë gjetur edhe një emërtim që nuk përshtatet me etikën letrare. Ç’të themi, ndërtojnë bukur të rilindurit?

Infrastruktura: Obsesioni grotesk i rilindasve për të garuar për investimet në infrastrukturë, nuk ia doli dot të fitojë mbi urinë e tyre për tendera. Rrugët e qytetit andrrohen 3 – 4 herë brenda vitit, por sërish mbesin të ngushta mjaftueshëm e trafiku është mjerisht kaotik në verë. Mjerisht sepse është qesharake përplasja e propagandës për turizmin krahasuar me kapacitetet infrastrukturore të paktën referuar Vlorës. Rrugët që veçse të ngushta, andrrohen shpesh edhe në mes vere, kthehen në podcast të lirë sharjesh dhe ulërimash sidomos kur vijnë ata milionat e turistëve, që zor se di sa dhe si i nxë qyteti im. Emblemë të standardit infrastrukturor të Rilindjes po marr Bypass-in e Vlorës. Bypass-in e Vlorës e keni parasysh ju që s‘jeni vlonjatë: është vepra infrastrukturore që çau “Shashicën” mes për mes e që ju shkurton rrugën drejt atyre zonave që shpesh iu referoheni thjesht me ‘Jug’. Shfrytëzoj rastin t‘ju kërkoj njëkohësisht dhe brenda ndjenjës së patriotizmit se edhe ato ‘Jug’, janë thesare të Vlorës të quajtura fshatra të bregut, e drejtë do të ishte sikur ta respektonit mirëpritjen duke i quajtur si të tilla, Vlorë. Për t’iu rikthyer Bypass-it: pa ditur nëse Bypass-i pati si qëllim zhvillimin turistik apo ishte në shërbim të pronarëve të rinj, manjatëve nga të tjera zona të Shqipërisë që nën Rilindasin dhe VKM-të e tij, kanë mbirë si pronar tokash të perlave të gjireve të Vlorës përmes ligjit të investimeve strategjike, duhet thënë se Bypass-i ka nisur andrrat e para, rruga ka nisur të çahet dhe për rrjedhojë edhe vepra e radhës nuk vonoi të binte në petkun gri të dështimit. Mbetet vetëm të urojmë që rrugët e reja të privatizuara në dispozicion të rezorteve të kinse-luksit shqiptar në “Dhërmi”, “Palasë” e përtej, ta tejkalojnë këtë petk. Në shërbim të modeleve të suksesit të “Himarës”, atyre biznesmenëve që na bëjnë të ëndërrojmë kinse me sy hapur mbi suksesin madhështor çuditërisht të nisur përherë rastësisht nga zero, krye-rilindasi përmes projektit të ujësjellësit të ri për “Bashkinë e Himarës”, duke devijuar ujin e lumit të “Shushicës” drejt rezorteve të pseudo-luksit alla-shqiptar, kërcënon ekosistemin dhe shkatërrimin e mundësive për zhvillim ekonomik të thuajse 30 fshatrave.

Plehrat dhe Landfilli: Kur vjen prej “Orikumit” drejt Vlorës, nëse dëshiron t‘i kalosh fare pak çaste parajse duke e parë Vlorën ashtu si ZOTI e krijoi, si një humnerë poetike, mund ta shfrytëzosh veprën e Rilindjes, ashtu me andrrat e saj, e të marrësh rrugën e Bypass-it. Pikërisht aty, sapo nisesh drejt parajsës, rrugën ta pret një oaz gjigand plehrash të “Orikumit”, qentë që vërtiten aty rrotull, e gjithçka përreth që kutërbon një ndyrësi masive të pistë. Plehrat janë tipar i fytyrës turistike të Vlorës dhe fshatrave të saj. Verën e shkuar, pirgjeve të plehrave në hyrje të bukurive të Vlorës, iu shtua djegia mesjetare e plehrave në Landfillin e Vlorës në mesin e sezonit turistik e që zgjati për muaj me radhë. Në një mbytësi karboni që nxiu qytetin e që as dy detet dot nuk e zbardhnin, përveç se mbylli brenda banesave qytetarë e turistë, reja skëterr e tymit veniti sytë blu të Vlorës për muaj me radhë.

Shëndetësia: “Spitali rajonal i Vlorës”, dikur një portë e shërbimit shëndetësor për Jugun është prej vitesh një hambar i makutërive të abuzimit me tendera. Përpos terrorit të personelit, që vetë kryerilindasi ka tentuar disa herë t’i terheqë vëmendjen, shëndetësia në Vlorë njollosi përparëset e bardha me skandalet e trajtimit çnjerëzor në spitalin psikiatrik “Ali Mihali”.

Arsimi: Zbrazja dëshpëruese deri në dorëzim e katedrave dhe bankave të shkollave 9-vjeçare të fshatrave të Vlorës, të rrënuara në godina që jehojnë nga boshësia shpesh me jo më shumë se 3 nxënës, është realitet që nuk arrin deri tek pseudo-ngjyrat e alla-metropolit ku vegjeton Rilindja. Prej fshatrave drejt Vlorës, degradimi i arsimit reflektohet në tkurrjen ekstreme të regjistrimit të të rinjve në “Universitetin e Vlorës”. Sallave thuajse të zbrazura, i shtohen zërat edhe pse të pakonfirmuar, për rrëmbimin e ambjenteve të universitetit për t‘i zëvendësuar ato me kulla. Imazhit të një universiteti që të vështirë e sheh vazhdimësinë, i shtohen kushtet e konvikteve pjesërisht të parikonstruktuara, të cilat vendosin gurin e tyre në humbjen e dinjitetit në arsimim të studentëve në Vlorë.

Trashëgimnia: Urrejtja patologjike ndaj trashëgimnisë kulturore dhe historike, fshirja, denatyrimi dhe mohimi i identitetit kulturor nuk është i pasinkronizuar me vizionin e së majtës, i.e., njeriu lind sot i zhveshur nga e shkuara në një botë që i përket atij kudo e njësoj sa të gjithë, aty ku tërësia është e unizuar brenda të qenurit heterogjene, e që unifikohet nga zerimi i të shkuarës, njëtrajtshmëria e së tashmes dhe lufta për barazi në të ardhmen. Trashëgimnia duhet zhdukur sepse ajo mbart vlerë dhe vlerat na ndajnë nga njëri-tjetri, vlerat na formësojnë dhe na ndërtojnë identitetin, ato e shmangin barazinë dhe ngrenë individin mbi klasën sociale. Rilindja e di mirë se ç‘përfaqëson dhe më së shumti është ajo etalon i fuqisë ekzekutive të idealit të saj. Provë e këtij pohimi në Vlorë është transformimi i sheshit-simbol të krenarisë së glorifikuar të Vlorës, ndërkohë që e fundit risi është deklarata e ministrit për pushtetin vendor në vizitën në Vlorë për mbylljen e “Shkollës Tregtare” në 100 vjetorin e hapjes së saj, katedra e përgatitjes së mijëra profesionistëve ndër vite dhe simbol i arsimit profesional në Shqipëri. A ka atdhedashës që varros kujtesën, shemb kulturën dhe zhduk simbolet e identitetit? Të tillë e njoh vetëm për filozofi të pushtuesve.

Bregdeti i betonit: Ndërtimi i shëtitores së “Lungomare-s” edhe pse pa asnjë vepër urbanistike në të dhe larg, shumë larg karakteristikave natyrore të Vlorës e identitetit të asaj zone, pikërisht në funksion të fshirjes së kujtesës, erdhi me premtimin e zbrazjes së vijës bregdetare, së paku nga “Skela” deri tek “Kalaja” nga pushtuesit e detit. Përveç se palmat e bukura të saj, i bëjnë hije procesit të derdhjes së ujërave të zeza në Adriatikun e plazhit të ri, Lungomare nuk u tut të kthehej në urën ku hotelet e baret e njërës anë të saj shtrinë hunjtë e tyre dhe zunë sërish plazhin publik nën babëzinë që karakterizon vetë shtetin që u bën hije. Karshillëku ekstravagant i birit të Vlorës siç preferon ta quajë veten, mori jetë me rindërtimin e godinave në det pranë tunelit, betonit që prek valët e detit tashmë edhe pas tunelit, e kështu u testua ajo që thuhet se është shprehur tavolinave të alla-metropolit, se s‘të bëjnë dot gjë vlonjatët.

Së fundmi, lakmia e pështjellë nga ndjesi dashurie e urrejtje për Vlorën i hodhi dritat tek “Sazani” me hije nga pas “Zvërnecin”, të dy xhevahirë të kujt veçse të syve të kaltër të Vlorës! I hijëzuar nga pabesia ky lajm, – ashtu sikurse dëshmi se Vlora historikisht joshi pushtues e kalimtarë, shqiptarë e anti-shqiptarë, lakmitarë e ëndërrimtarë, – tregoi se ka ardhur koha që ‘kryekështjella e popullit shqiptar’ (Kadare), me gjasa të shqyhet nga përtej Shqipërisë. Sa herë fletët e verdha të historisë rrëfyen për shqiptarë që shqyen copat e vatanit në emër të pabesisë për të ethshmin pushtet?

Të vetëquajturit bir të Vlorës, atij që çdo herë kur lëmshit të pushtetit i kalojnë re të zeza mbi krye vjen të strehohet në Vlorë, dikush t‘ia thotë nga anët tona, se po, edhe e shqyer copash, e pazot, Vlora besnike e besnikërisë së saj, sërish e do e do ta strehojë. E megjithatë, nder do të ketë edhe kush miqësisht do t’i thotë se vlonjatët sa më shumë i njeh, aq më shumë kupton se nuk i paskishe njohur! Vlora të do, por a nuk vjen fundi nga dashuritë e betuara?!

About Redaksia

Check Also

Gjekmarkaj: Kjo është stina e fundit politike për Ramën! Të bashkuar do të sjellim fitoren e PD

Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj ka postuar në faqen …