Arrestohet një tjetër kryebashkiak i Ramës, reagon Bardhi

Kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro, është arrestuar ditën e sotme me urdhër të Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Goro është arrestuar për shpërdorim detyre. Gjykata e Posaçme bazuar në kërkesën e SPAK, ka vendosur në arrest edhe pronarin e tokës, si dhe arrest shtëpiak për tre persona të tjerë.

Ndaj Goros janë bërë dy kallëzime penale, njëra prej të cilave nga Fredi Beleri, kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, i cili ndodhet në burg.

Beleri i referohet auditimit të KLSH në bashkinë e Himarës për vitet 2019-2021 ku sipas tij janë gjetur shkelje të ligjeve në procedurat e tenderimeve publike, mosmbledhjes së të ardhurave, mospasqyrimit të drejtë të të ardhurave dhe debive në buxhetin e bashkisë dhe në dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin.

Gjithashtu Beleri kallëzoi Goron edhe për falsifikimin e dokumenteve në rastin e investimit strategjik të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Punëve të Jashtme Olta Xhaçka.

Image

Kujtojmë që Goro humbi zgjedhjet e 14 majit për bashkinë e Himarës, por ai vijon të jetë në detyrë për shkak se rivali i tij fitues, Fredi Beleri, është arrestuar dhe po hetohet për korrupsion zgjedhor.

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, e cilëson arrestimin e Goros si një lajm të mirë që duhet të shoqërohet me arrestime të tjera dhe shkarkimin e tij nga detyra.

”Arrestimi i Jorgo Gorës është një lajm i mirë, që duhet të shoqërohet me arrestime edhe të bashkëpunëtorëve zë Edi Ramës, që në shkelje të ligjit kanë përfituar prej tij statusin e investitorëve strategjik.

KM duhet me urgjencë të urdhëroj shkarkimim e tij nga detyra”, shkruan Bardhi në ”X”.

Bashkia Himarë, nën drejtimin e Goros, i ka hapur rrugë ndërtimeve dhe resorteve në bregdetin. Madje, duke bashkëpunuar edhe me eksponentë të lartë të mazhorancës i ka hapur rrugë edhe Investimeve Strategjike, duke “falur” edhe qindra mijëra metra katrorë truall në breg të detit Jon.

About Redaksia

Check Also

Pëllumbesha Spirogjoka në portalin e-Albania! Berisha: Neveri dhe vetëm neveri!

Kryetari i PD, Sali Berisha ka publikuar një denoncim të qytetarit dixhital, i cili shprehet …