26 marsi ‘90 në Kavajë/ Berisha: Ajo ditë duhet të frymëzojë çdo shqiptar, guximi është kushti i fitoreve

Lideri i opozitës, Sali Berisha, në fjalën e mbajtur në ditën e 85 të tubimit qytetar, tha se 26 marsi i 1990, duhet të frymëzojë çdo shqiptar se guximi është kushti i fitoreve.

Berisha tha se grupi antikomunist i djemve të Kavajës, më 26 mars 1990, zhvilloi një ndër betejat më epike kundër diktaturës së Enver Hoxhës.

“Ata njëlloj si gladiatorë zgjodhën për shesh beteje stadiumin e qytetit.

Ilir dhe Rexhep Rugeja, Salaudin Cara, Safet Becerri dhe shumë të tjerë, vendosën të shndërrojnë ndeshjen e futbollit në një ndeshje të pabarabartë, në një ndeshje që nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë, me diktaturën komuniste”, tha Berisha.

“Të dashur misionare dhe misionarë, të guximit, të nderit, dinjitetit njerëzor, lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë.

Ju përshëndes përzemërsisht ju me mirënjohje të pakufishme.

Përshëndes oratorët tuaj, të cilët me fjalët e tyre, çojnë në të katër anët e Shqipërisë dritën e të vërtetës, guximit dhe shpresës te shqiptarët.

Të dashur miq, në historinë e lirisë së shqiptarëve, sot është një ditë e rëndësishme.

Me 26 mars të vitit 1990, grupi antikomunist i djemve të Kavajës zhvilloi një ndër betejat më epike kundër diktaturës së Enver Hoxhës.

Ata njëlloj si gladiatorë zgjodhën për shesh beteje stadiumin e qytetit.

Ilir dhe Rexhep Rugeja, Salaudin Cara, Safet Becerri dhe shumë të tjerë, vendosën të shndërrojnë ndeshjen e futbollit në një ndeshje të pabarabartë, në një ndeshje që nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë, me diktaturën komuniste.

Miqtë e mi, atë ditë stadiumi i mbushur me sambistë, me forca speciale, priste momentin për t’u vërsulur kundër guximtarëve të demokracisë.

Ata u vërsulën me shtazëri kundër Ilir Rugesë dhe guximtarëve të tjerë.

Por qyteti i Kavajës nuk u mposht. Qyteti i Kavajës rrethoi komisariatin për të çliruar bijtë e tij.

Kavaja fitoi. Fitoi betejën dhe në fakt Kavaja u çlirua atë ditë.

Të dashur miq, sot pas 33 vitesh, natyrisht ajo ditë duket e largët.

Por ajo ditë, edhe sot është më aktuale se kurrë.

Ajo ditë na frymëzon ne dhe duhet të frymëzojë çdo shqiptar se guximi është kushti i fitoreve.

Se fitoret janë vetëm me guximtarët”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Berisha publikon të dhënat: Ja sa herë e ka kaluar kufirin Olsi Rama me makinën e drogës!

Kreu i opozitës, Sali Berisha në fjalën e tij para mbështetësve në tubimin në “Rrugën …