Berisha: Rruga e vetme e shpëtimit është mosbindja civile, të largojmë këtë të keqe të madhe!

Lideri i opozitës, Sali Berisha, tha se rruga e vetme e shpëtimit është rruga e mosbindjes civile. Berisha u shpreh se duhet të largojmë të keqen e madhe që ka pushtuar Shqipërinë. Berisha tha se, rruga e largimit nga pushteti të kësaj qeverie, të këtij njeriu që ka sot të gjitha pushtetet në duart e tij.

“Në mars të vitit 1990, 34 vite më parë, nuk kishte PD, nuk kishte pluralizëm, kishte vetëm diktaturë të egër që vriste dhe pushkatonte të rinj në kufi.

Por kjo nuk i trembi guximtarët e Kavajës, misionarët e Kavajës.

Përkundrazi, ata u ngritën si viganë, u përballën me forcat më të egra të regjimit dhe e mposhtën, e nënshtruan.

Pra, duke shprehur ne sot nderimin më të madh për heronjtë, trimat, guximtarët e 26 marsit, ftoj shqiptarët të frymëzohen prej tyre, prej guximit të tyre, vendosmërisë së tyre dhe të përmbushin detyrimin madhor si qytetarë, si demokratë, si opozitarë, çlirimin e Shqipërisë nga kjo diktaturë.

Mos harroni se me 26 mars të vitit 1990, regjimi bënte natën dhe ditën, nuk kishte opozitë.

Izolimi vazhdonte i plotë.

Por luftëtarët e lirisë nuk i zmbrapsi asgjë atë ditë.

Dolën në shesh.

Vepra e tyre është ftesë për ne: të dalim në shesh, të dalim si ata, të dalim në stadiume, të dalim në rrugë, të dalim kudo, të përballemi me diktaturën.

Rruga e vetme e shpëtimit është rruga e mosbindjes civile.

Rruga e largimit nga pushteti të kësaj qeverie, të këtij njeriu që ka sot të gjitha pushtetet në duart e tij.

Në vitin 1990, djemtë e Kavajës nuk kishin përveç njëri-tjetrit asnjë mbështetje mbi tokë.

Por kjo nuk i pengoi ata të përballen dhëmb për dhëmb në mosbindje civile me të keqen e kombit, me të keqen e shoqërisë dhe të fitojnë mbi të.

Duke shprehur nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme, për heronjtë e betejës epike të stadiumit dhe qytetit të Kavajës 34 vite më parë, ftoj shqiptarët të frymëzohen nga akti i tyre epik dhe të fitojmë.

Të largojmë dhe ne këtë të keqe të madhe që ka pushtuar Shqipërinë”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Një kamarier mbeti i vrarë ndërsa punonte për bukën e gojës në vendin ku Kryeministri thotë; le të hanë kokat

Ishte vetëm 37 vjec dhe punonte për bukën e gojës si kamrier, por mbrëmë ka …