Nga Bedri BLLOSHMI
Revolta në burgun e Qafë Barit nisi më 22 maj 1984. Atë ditë u kthyem nga turni i tretë të lodhur dhe të sfilitur nga puna skllavëruese. Një i dënuar nuk arriti të bëjë normën sepse ishte i sëmurë, ndaj polici i turnit e urdhëroi që, pasi të hante bukë të shkonte prapë në punë turni i parë. Ishte e pamundur të mendoje se mund të dilje nga galeria pa bërë normën, që të kërkohej me detyrim. Polici thoshte: O normën, o shpirtin!
Komandanti i togës së policisë, Edmond Caja, si gjithmonë, bashkë me një suitë policësh, hynë në kamp dhe tentuan ta nxjerrin me forcë të burgosurin në punë, por të burgosurit nuk e lejuan. Atëherë filloi përleshja përpara mencës mes policëve dhe të burgosurve. Të burgosurit e revoltuar i vunë përpara policët, të cilët ikën me vrap duke dalë jashtë kampit. Oficeri i rojes hapi zjarr dhe qëlloi brenda në kamp të burgosurin Konstadin Gjordeni.
Situata në kamp doli jashtë kontrollit prandaj erdhën përforcime nga Tirana me helikopter. Menjëherë civilë, ushtarë e rezervistë dhe plot të tjerë nisën kasaphanën ndaj të burgosurve. Ata rrahën të burgosurit, cilindo që u dilte përpara. Tortura dhe druri vazhdoi pa pushim në kamp, po ashtu edhe në galeri. Civilët rrihnin dhe detyronin të burgosurit të mos dilnin nga galeria pa bërë normën. Ai që nuk kishte realizuar normën, rrinte tre turne në galeri.
Pas ca ditësh Edmond Caja me “fitimtarët” e tij, me kapelen e ngjeshur vesh më vesh, u futën në kamp me një tufë letrash në dorë dhe na ngjeshën në mencë. Aty qetësinë e theu Mondi, i cili duke ulëritur tha: “Dëgjoni këtu! Gjyqi u bë, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja u dënuan me vdekje, pushkatim. Edhe dhjetë të tjerë morën dënime të ndryshme”! Ai nuk e përmendi fare Sandër Sokolin, i cili dha shpirt në mes të kampit nga torturat çnjerëzore të policëve.
Edmond Caja duke ikur tha: “A ka më ndonjë trim të dalë në shesh dhe të ndeshet prapë me ne”?!
Asnjë nga të burgosurit nuk foli. Në kamp ishte një gjendje shumë e rënduar. Njerëzit ishin të dëshpëruar nga torturat, saqë nuk dinin se çfarë të bënin…
PËRSËRI GJAK NË QAFË BARI
Në datën 3 korrik 1984 ndodhi një tragjedi tjetër në galeri. Fronti ku punonte Ilmi Çoçka nga Kolonja dhe Dilaver Hysi nga Vlora u shemb dhe si pasojë ata gjetën vdekjen. Punuam një ditë, a dy, me tre turne për të nxjerrë kufomat. Mbaj mend që njërin e nxorëm, po nuk e dinim se cili ishte nga ata të dy. Të nesërmen na njoftuan që ne nuk do dilnim në punë se do të transferoheshim. Ishim 12 veta. Na hipën në një makinë të zbuluar, na lidhën dorë për dorë me hekura dhe na fiksuan spondin e makinës. Erdhi Mondi dhe na kontrolloi hekurat dhe porositi policët që të kenë kujdes rrugës “me këta armiq”.
Nuk e dinim se ku po na çonin. Mbas një ore, apo dy orësh udhëtim mbërritëm në rrethin tjetër të ferrit, në Spaç. Unë jam përpjekur shumë nëpër arkiva që të zbardh krimet e ndodhura në Qafë Bari. Kam kërkuar shumë dokumente arkivore, por është shumë e vështirë të arrihet. Megjithatë për të vrarët e korrikut Ilmi Çoçka dhe Dilaver Hysi, unë e kam siguruar raportin mjeko-ligjor, dhe po jua vë në dispozicion për publikim (shih më poshtë).
Ndërsa Edmond Caja, ka ikur jashtë vendit; i strehuar në shtetin më të fortë të Evropës, në Gjermani. Atje vazhdon jetën normale pa e trazuar askush. Duke përfunduar, pushofshi në paqe, o njerëz të mirë dhe pafat! Ju qoftë dheu i lehtë, Zoti ju pastë pranë! Lamtumirë!
-Ju kërkoj ndjesë familjarëve dhe lexuesve për publikimin e këtij proces-verbali tragjik, por nuk mund të lija pa nxjerrë në dritë makabritetet që kanë bërë komunistët ndaj të burgosurve politikë-