“Der Standard”: Gazetari Elton Qyno u terrorizua nga SPAK sepse zbuloi rrjetet e blerjes së votave

Situata tronditëse e lirisë së medieve në Shqipëri vazhdon të jetë kryetemë e medieve të rëndësishme ndërkombëtare. Gazeta austriake, ‘Der Standard’, ndalet sërish te rasti i Elton Qynos, i cili u terrorizua në mënyrë të paligjshme nga SPAK.

“Ai zbuloi rrjetet e blerjes së votave dhe trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri: Elton Qyno është një gazetar shqiptar me përvojë. Kur u thirr për t’u marrë në pyetje nga prokuroria e posaçme për korrupsionin- SPAK më 12 dhjetor të vitit të kaluar, ai nuk mori me vete paraprakisht dy celularët. Në Evropën Juglindore ndodh shpesh që gazetarëve u kërkohet nga autoritetet të zbulojnë informacionin e tyre – dhe kështu shkelet mbrojtja e burimeve. Qyno u mor në pyetje në SPAK për dy orë dhe iu kërkua vazhdimisht të zbulonte burimin e tij. “Unë refuzova,” thotë ai për STANDARD. “Prokurori publik më pas kërkoi që të konfiskohej celulari im”.

Qyno më pas u mbajt kundër vullnetit të tij për shtatë orë. Ndërkohë prokurori publik ka urdhëruar kontroll si në zyrën e gazetarit, ashtu edhe në banesën e tij private. “Brenda vetëm 55 minutash, gjyqtari miratoi kërkesën,” tha Qyno. I janë konfiskuar kompjuteri dhe materialet e punës. Por kjo nuk është e gjitha: oficerët i morën CD me fotografi të festimeve familjare, madje edhe CD me muzikë greke dhe shqiptare. Madje edhe celularin e një 10-vjeçari.

Qyno u desh gjithashtu t’i nënshtrohej një kontrolli të imtësishëm trupor. I morën çelësat e makinës. Në makinë iu mor një USB, edhe pse nuk kishte asnjë urdhër gjykate, sipas Qynos. Më në fund, oficerët gjurmuan celularët e Qyno-s duke përdorur të ashtuquajturin IMSI-Catcher. “Të gjitha këto veprime të paligjshme dhe absurde, që synonin zbulimin e burimeve të mia ,u legjitimuan çuditërisht dhe fatkeqësisht nga të tre nivelet e drejtësisë në Shqipëri”, tha Qyno për STANDARD. “Tani presim zbardhjen e vendimit të Gjykatës së Lartë”,” shkruan gazeta.

About Redaksia

Check Also

Bota foli për 11 Majin, tani është radha jonë

Gjin GJONI Vetëm me një shikim të shpejte dhe nisur nga konstatimet e terminologjia e …