Nga Milaim NELA
Miq të nderuar!
Nuk është hera e parë që unë kam shkruar apo kam folur publikisht për patronazhimin apo patronazhistët.
Sot kam publikuar në faqen time patronazhistin tim i cili është në zotërim të të dhënave të mia personale në mënyrë krejt ANTILIGJORE.
U përballa me telefonata, dhe mesazhe kërcënuese!
Sigurisht kjo nuk më bën aspak përshtypje.
Unë e di që disa prej tyre si ky i imi nuk kanë bërë dëm, të paktën në dijeninë time. Nuk kam patur asnjë ndërhyrje nga patronazhisti im për ndonjë çeshtje para apo pas zgjedhjeve të vitit 21, kjo ndoshta edhe për faktin se kam qenë goxha publik si në rrjetet sociale apo median standarte.
Por nuk mund ta pranoj që një person kushdo qoftë ai që nuk ka asnjë të drejtë ligjore apo tager të ketë të dhënat e mia personale, datelindje, nr e kartës së identitetit, adresën dhe numrin e telefonit, pa lejen apo autorizimin tim.
Kjo do të ishte vepër penale në çdo vend të shtetit të ligjit dhe të së drejtës.
Një pjesë të patronazhistëve duke qene se jane pjesë e infrastrukturës shtetërore ju duket ndoshta normal ky rol!
Çeshtja e patronazhimit është një çeshtje me të cilën duhet të merremi të gjithë bile edhe vetë patronazhistët pasi edhe të dhënat e tyre i ka dikush në mënyrë të paligjshme dhe i përdor ato!
Pra ky është edhe problem i tyre jo vetëm i të djathtëve.
Kur unë them që duhet të shkulim sistemin e patronazhimit këtë e them që të kemi dinjitet dhe mbrojtje të të dhënave personale të të gjithë neve pa perjashtim, të majtë e të djathtë.
Shumë aktiv1stë ndoshta nuk e kuptojnë në thellësi çfarë roli të pistë kanë marrë përsipër duke pranuar patronazhimin vetëm se këtë ju a ka ngarkuar partia!
Patronazhimi është një funksion disa herë më i keq se i spiunëve 80 lekësha në kohën e enverizmit!
Po i kthehem edhe njëherë patronazhistit tim dhe po i them publikisht që ketë kauze nuk e kam personale me të dhe ai mund të jetë njeri krejt korrekt në punën për të cilën ai paguhet në sektorin civil. Mund te kemi edhe miq të përbashkët.
Unë pres nga ai që të distancohet publikisht nga roli i patronazhistit, ta kundërshtojë këtë rol edhe brenda partisë se tij por e theksoj se ai nuk ka tē drejtë survejimin tim dhe zotërimin e të dhënave të mia personale.
Ato nuk ka të drejte ti perdori askush përveç organeve shtetërore brenda të drejtës qe ju a jep ligji dhe kushtetuta.
Patronazhimi është një fenomen që cënon rëndë lirinë, të drejtat dhe privatësinë e individit.
Si shoqëri ne duhet ta marrim shumë seriozisht këtë çeshtje sepse pa shkulur këtë sistem malinj ne nuk do jemi kurrë të lirë.
Pa shkulur sistemin e patronazhimit ne nuk do kemi mundesi të shprehemi lirshëm e me vullnet të plotë para kutive të votimit.
Duhet të ngrihemi të gjithë si shoqëri dhe pse jo të marrim një nisme ligjore kombëtare dhe ndërkombetare që ky gram i keq helmues të shkulet njëherë e mirë nga ne.
Për fund patronazhistit tim i bëj thirrje publike që nē vend që të më kërcënojë të DISTANCOHET nga ky rol i fëlliqur që ndoshta ja kanë ngarkuar pa dëshirën e tij.
Le të bashkohet ai i pari me mua dhe të fillojmë DE-PATRONAZHIMIN e shoqërisë shqiptare.