Lufta kundër dhunës ndaj grave

Amanda ZEQIRI

Shoqëria shqiptare ka një plagë të madhe për sa i përket dhunës ndaj grave dhe vajzave. Gratë
shqiptare nuk janë të sigurta as në familje as në publik dhe as në ambientin ku punojnë.
Ndërkohë që dhuna në familje apo publik merr vëmendje të madhe nga shoqata të drejtave të
grave, lëvizje qytetare apo media, ajo që flitet shumë pak është ambienti armiqësor dhe i
pasigurt në të cilin gratë në vend duhet të kthehen çdo ditë pa pasur mundësinë të ankohen apo
të dëgjohen. Shpesh herë ato presionohen, dhunohen verbalisht, shantazhohen se do humbasin
vendin e punës, ju hiqet e drejta e vendimmarrjes dhe mbi të gjitha objektivizohen duke u
ngacmuar seksualisht nga strukturat drejtuese dhe kolegë. Një studim i vitit 2023 i shoqatës
“Together for Life” në sektorin publik dhe atë privat në Shqipëri që përfshin si gratë ashtu dhe
burrat, rezultoi se afro 60% e të anketuarve mendojnë se ngacmimet seksuale në punë janë një
shqetësim serioz. 11% e tyre thonë se në dy vitet e fundit kanë përjetuar një ngacmim seksual
në vendin e punës, ndërsa 19% gjatë gjithë jetës, nga të cilët dy herë më shumë janë gra.
Krahasuar me vendet europiane këto shifra janë dy herë më të larta.
Tre problemet kryesore në trajtimin e rasteve të abuzimit të pushtetit nga eprorët dhe të
ngacmimit seksual në çdo nivel (përveç mungesës së vullnetit nga institucionet përkatëse) janë:
 mos denoncimi i fenomenit nga ana e viktimës,
 vështirësia për të siguruar prova konkrete të dokumentuara audio, foto ose video,
 apo vështirësia për të përkufizuar sjellje të pahijshme (si mimika, tinguj zanorë, prekje
etj) brenda etiketimeve zyrtare të ngacmimit seksual apo kërcënimit.
Në Shqipëri 80% e personave punëmarrës, që kanë deklaruar se janë ngacmuar në vendin e
punës nuk e kanë denoncuar fenomenin. Në rastet kur viktima ka denoncuar ndaj autorit janë
marrë thjesht masa parandaluese ose viktima është detyruar të ndërrojë departament brenda
institucionit apo filial tjetër.
Kodi Penal (Neni 108/a) në Shqipëri përcakton dënimin e ngacmimit seksual deri në 5 vjet
burg por jo specifikisht për ngacmimin seksual në ambientet e punës.
Ligji “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” (Neni 12 pika 2) dhe Kodi i Punës (Neni 32) prekin
shumë përciptas konceptin e ngacmim seksual në ambientin e punës.
I vetmi ligj që jep një fije shpresë mbi mekanizmat e parandalimit dhe dënimit të diskriminimit
dhe ngacmimit seksual në punë është ai për “Për barazinë gjinore në shoqëri” (Nenet 16, 17
dhe 18).
Konkretisht Neni 18 Pika 3 dikton që punëdhënësi duhet të vendosë në kontratën kolektive
rregullat për parandalimin të diskriminimit dhe ngacmimit seksual. Ky nen është jo i plotë pasi
përveç politikave parandaluese në këto kontrata duhet të specifikohet edhe rruga e zgjidhjes së
ankesave dhe të përcaktohen qartë sanksionet disiplinore. Për rrjedhojë edhe çdo kontratë
individuale pune duhet të jetë në përputhje me dispozitat e këtij neni.
Këto kontrata mbeten vetëm në letër dhe nuk janë aspak efektive si për shembull: “Kontrata
kolektive midis Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe
Shkencës të Shqipërisë, (FSASH) dhe të Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë
(SPASH) në vitin 2023.
Ndryshe nga shumë vende të tjera të zhvilluara të Europës, Shqipëria nuk përcakton
parandalimin dhe dënimin e ngacmimit seksual në punë në Kodin Civil (përveç se përcakton
mënyrat e shpërblimin për dëmin material dhe moral në rast të shkeljeve të neneve të
përcaktuara në ligjin “Për barazinë gjinore në shoqëri”), në ligjin “Për Rregullat e Etikës në
Administratën Publike”, në Kodin e Etikës së Universiteteve Publike dhe as në Vendimin “Për
përcaktimin e procedurës disiplinore dhe të rregullave për krijimin, përbërjen e vendimmarrjen
në komisionin disiplinor në shërbimin civil” ndryshe nga shteti i Kosovës që e përcakton qartë
ngacmimin seksual në punë si shkelje disiplinore të rëndë.
“Udhëzuesi për parandalimin dhe adresimin e dhunës, ngacmimit dhe ngacmimit seksual në
mjedisin e punës në institucionet e administratës shtetërore” në Shqipëri ka shumë mangësi.
Zvogëlimi dhe parandalimi i fenomenit të diskriminimit në bazë gjinore dhe ngacmimit seksual
në ambientin e punës konsiston në këto pika që duhen përmirësuar:
1. Të parashikohet në Kodin Civil garantimi i një ambienti pune i sigurt nga ngacmimi seksual
dhe t’i jepet e drejta çdo punonjësi dhe pse nuk është viktima të raportojë në rast se është
dëshmitar i një të pahijshme (sipas modelit të Italisë dhe Francës ku shkelësi mund të dënohet
me 1 vit burg apo të gjobitet deri në 3,750 Euro)
2. Çdo institucion publik apo privat duhet të ketë politika të qarta kundër diskriminimit dhe
ngacmimit seksual. Konkretisht, çdo institucion duhet të ketë një “Rregullore të brendshme
kundër ngacmimit seksual dhe diskriminimit për shkak të gjinisë” ku:
 përcaktohen qartë format e ngacmimit seksual, sjelljet e pahijshme, mjetet e abuzimit
me pushtetin nga eprorët dhe shembuj ilustrues.
 caktohet një “Zyrtar për mbrojtjen nga ngacmimi” sipas modelit të rregullores së
Universitetit të Prishtinës ose një “Këshilltar konfidencial” sipas modelit të Belgjikës
dhe Holandës, i cili mund të jetë një punonjës tjetër, një psikolog ose punonjës social
që ka si detyrë të dëgjojë ankesat, të gjykojë faktet dhe të propozojë masa disiplinore.
Ky këshilltar preferohet të jetë i gjinisë femërore dhe mundësisht jo në pozicione
drejtuese duke qenë se shpesh herë drejtuesit janë vetë autorët e diskriminimit apo
ngacmimit seksual.
 përcaktohet hap mbas hapi procedura e paraqitjes së ankesave informale/informale dhe
rruga e zgjidhjes së problemit,
 sigurimi i të dhënave konfindenciale dhe identitetit të viktimës dhe marrja e masave
ndëshkuese në rast se këto të dhëna konfidenciale shpërdorohen.
 ankesat dhe masat e propozuara nga këshilltari dorëzohen tek një komision disiplinor
specifikisht për ngacmimin seksual në punë (modeli Holandez) ndryshe nga komisioni
disiplinor për shkelje të tjera të parashikuara në Vendimin “Për përcaktimin e
procedurës disiplinore dhe të rregullave për krijimin, përbërjen e vendimmarrjen në
komisionin disiplinor në shërbimin civil”. Komisioni duhet të përbëhet nga 3-4 persona,
të ketë diversitet, të ketë persona edhe në role menaxheriale.
 përcaktohen qartë sanksionet disiplinore: paralajmërim, gjobë, ndërprerje e kontratës
së punës e përkohshme ose e përhershme për autorin në varësi të gravitetit të shkeljes.
 përveç masave administrative në rregullore duhet të jenë të listuara edhe masat ligjore
që viktima mund të ndërmarrë,
 Punëdhënësi është i detyruar t’i japë suport psikologjik dhe dëmshpërblim për viktimën
(sipas modelit të Francës).
3. Rregullorja e brendshme duhet ripërpunuar vazhdimisht (me ndryshimin e herë pas hershëm
të përkufizimeve mbi ngacmimin seksual dhe diskriminimin në bazë gjinore nga
ndërkombëtarët) dhe punonjësit duhet të rindjekin trajnimet sa herë këto koncepte
përditësohen.
4. Rritja e rolit të zyrës së Burimeve Njerëzore në krijimin e një mjedisi të sigurt pune për
gratë duke përdorur mjete dhe autoritete të ndryshme për të parandaluar ngacmimet seksuale,
sjelljet e pahijshme dhe abuzimin me pushtetin nga eprorët. BNJ japin asistencë ligjore dhe
shërbime të tjera mbështetëse. Zyra e Burimeve Njerëzore monitoron efektivitetin e politikave
të përcaktuara në rregulloren e brendshme nëpërmjet vlerësimeve të rregullta dhe reagimeve
nga punonjësit. Kjo strukturë gjithashtu mbron punonjësit nga hakmarrja për ngritjen e
shqetësimeve në lidhje me abuzimin e pushtetit ose ngacmimit seksual.
5. Çdo institucion publik apo privat shpall një kalendar vjetor me trajnime të detyrueshme për
punonjësit mbi ngacmimin seksual në punë dhe pajisja e tyre me certifikatë që i bashkëngjitet
dosjes së dokumenteve në zyrën e Burimeve Njerëzore (model ky i implementuar në
Universitetin i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Kosovë),
6. Punëdhënësi duhet të inkurajojë vazhdimisht punëmarrësit që të raportojnë ngacmimet nga
kolegët e tyre,
7. Krijimi i një aplikacioni, ku të regjistrohen të gjithë punonjësit e administratës publike dhe
të kryhen sinjalizime anonime mbi ngacmime seksuale, sjelljet e pahijshme dhe abuzimin me
pushtetin nga eprorët nëpërmjet raporteve, telefonatave apo bisedave të enkriptuara nga fundi
në fund (E2EE).

About Redaksia

Check Also

Paralele midis “Agjendës 2010” të Gerhard Schoeder dhe “Agjendës 2030” të Edi Ramës!

Nga Enver BYTYÇI Në vitin 2004-2005 ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroeder, pati shpik slloganin ‘Agjenda 2010’! Qëllimi …