Ali Oseku: E di si vizatoj unë?

Nga Visar ZHITI

– E di si vizatoj unë? – më pyeti…

Sot ai vizatoi vdekjen e tij. Iku…

Një nga piktorët më të fuqishëm

në artin shqiptar, – po shkruajnë gjithandej.

Kujtoj që e burgosën dikur… Por s’ka të dikurshme, edhe e dikurshmja është e tanishme…

Kur më çuan në burgun e Spaçit, ai s’ishte më aty, por flisnim mirë për të dhe unë e di se sa vlerë ka të flasin mirë dhe në burg…

Në librin tim, në burgologjinë “Rrugët e ferrit” kam një si vinjetë për të, që më duket se shpjegon diçka…

PIKTOR DHE NË FERR:

– Po piktorin Ali Oseku e gjete ti? – më pyeti.

– Jo, – i thashë.

– E di si vizatoj unë? – më pyeti ai një ditë. Zëri i Astritit Xh. (që po më tregonte) u bë i lagësht, si i ujitur. I thashë: jo. Dhe piktori Ali Oseku më mori gazetën “Drita”, e mbaja për ca poezi, dhe, siç po të thosha, ja, më tha Ali Oseku, kështu vizatoj unë, dhe i mbushi anët e bardha të gazetës me gra me kostume popullore. Sa bukur! Një si sfilatë mallëngjyese, panair… Ra çanga për punë dhe Ali Oseku e la gazetën poshtë jastëkut në shtratin e tij. Mbas 3 minutash e thirri operativi. Ç’të duhet ty që vizaton femra në burg? – i tha. Je dënuar pak, ç’të duhet që rri me armiq të përbetuar? Lëri vizatimet dhe shiko të riedukohesh, more vesh? Ma tregoi vetë, po më thoshte Astriti, por ai ishte piktor i përbetuar…

U shqetësuam. Të kemi kujdes nga kushdo, pranë e jo pranë, thamë. Në burg përvoja të hyn në punë, por dhe nuk të hyn, thoshte shkrimtari mustaqelli. Digjesh. Por vepro me intuitën e çastit dhe… si të jetë shkruar.

***
E di si vizatoj unë? Më ka mbetur në mendje kjo pyetje, që provokon veten dhe sa herë e shihja në Tiranë, më kujtohej. Pyetje-shkak për të vizatuar dhe atje ku ishte tmerrësisht e pamundur, nuk lejohej me rregulloren e mizorëve, kur sundonte Realizmi Socialist

Piktori Ali Oseku u përgjigj po vetë: Me guxim dhe me ndershmëri, duke qenë vetvetja, me art.

Kështu ai vizatoi dhe jetën e tij…

About Redaksia

Check Also

Vehxhi Buharaja dhe vepra e tij e ndritur

Nga Agim Xh. Dëshnica Tashmë emri dhe vepra e poetit e dijetarit të ndritur Vexhi …