Por, Xhafaj nuk kursen kritikat ndaj gjyqtarëve, ku sipas tij, një shembull konkret është zvarritja e çështjes së PD-së. Këto kritika Xhafaj i shoqëroi me kërkesën për të reformuar mënyrën e monitorimit të institucioneve të pavarura, e më konkretisht, atyre të drejtësisë që të jenë më eficiente në punën e tyre, duke i ofruar si shembull SPAK.
“Ne flasim për një numër të madh çështjesh, për ‘back log’ të jashtëzakonshëm. Është e vërtetë se një pjesë është krijuar nga vakancat për shkak të vetingut, por është po aq e vërtetë se po të kishte një analizë, do të dilte se një pjesë e kësaj situate krijohet për shkak të zvarritjes së tyre në hetim e gjykim. Ashtu siç ndodh në rastin e PD-së. Prej muajsh të tërë, vite të tëra zgjaten çështje që janë sensitive, që janë të paarsyeshme. Nuk ka të bëjë me vakancat, ka të bëjë me përgjegjshmërinë”, deklaroi ish-ministri i Drejtësisë.
“SPAK me gjithë problematikat po perfomon shumë mirë dhe meriton shumë vlerësim në disa aspekte. E kam thënë edhe në vitet e mëparshme, strukturat përkatëse këtu në Kuvend duhet të reformojë të gjithë punën e saj. Nuk ka pse struktura e monitorimit të mbështetet te raport”, tha z.Xhafaj.