FJALA E SEKRETARIT TE PERGJITHSHEM TE PD, FLAMUR NOKA:
Po takohemi sot këtu në Berat në ditë të vështira për Beratin.
Sigurisht në ditë të vështira edhe për të gjithë Shqipërinë.
Realiteti që jeton sot Berati, që jetojnë qytetarët e këtij qyteti, por edhe të këtij qarku, nuk ka asnjë lidhje me realitetin që paraqet Edi Rama dhe qeveria e tij.
Ata përpiqen t’i imponojnë Beratit dhe gjithë Shqipërisë një realitet virtual, por harrojnë se qytetarët e këtij vendi jetojnë realitetin real, atë të skamjes, të përbuzjes, të shpopullimit të këtij vendi.
Qytetarët në këto 11 vite po jetojnë realitetin e shpresës dhe besimit se ky vend mund të bëhet.
Një pyetje do t’ia bëjmë rilindjes: si ka mundësi kur ju propagandoni se këto po ndodhin zhvillime të mëdha, se berati po lulëzon, si ka mundësi që njerëzit ikin, si ka mundësi që qytetarët e lënë këtë vend?
Po, përpiqen edhe këtu si në Gjirokastër, dy qytete muze, të reklamojnë turizëm dhe numrin e turistëve.
Po, po turistët vijnë se qyteti i Beratit është i bukur se për të kanë punuar qytetarët e Beratit në vite dhe shekuj.
Po qyteti i Beratit nuk është i bukur se ka kontribuar Rilindja dhe Edi Rama.
Ndaj nuk mund t’i propagandosh qytetit të Beratit si arritje numrin e turistëve.
Berati në realitet ka ngelur pa rini si të gjithë qytetet kryesore të këtij vendi.
Ajo që mund të përmendet në qeverinë e Rilindjes, në këto 11 vite, dhurata që iu bë këtij qarku është shkretimi i votrave të qytetarëve dhe banorëve të këtij qarku.
Kjo është arritja e Edi Ramës dhe Rilindjes në Berat.
Por, të dashur miq, propagandën e turistëve ne nuk e pranojmë. Ata kanë bërë gjithçka që t’ia shpëlajnë trurin njerëzve duke thënë arritje dhe vetëm arritje.
Po, mrekullia ka ndodhur në 11 vite, por jo për qytetarët, por për kryeministrin dhe zyrtarët e tij në Berat dhe të gjithë Shqipërinë.
Ata janë sot në pushtet, ata janë pronarë tokash, ata janë investitorë strategjikë, ata vjedhin sot çdo qindarkë të këtij vendi.
Dhe në antitezë me këtë, shpëlartja e trurit tenton t’u thotë shqiptarëve të kundërtën.
Ermonela mund të vijë këtu në Berat dhe të thotë se kanionet e Osumit janë dhuratë e Edi Ramës për Beratin.
Ai mund t’ia ketë shpëlarë trurin Ermonelës dhe të tjerëve, por kurrë Beratit dhe beratasve.
Kjo shpëlarje truri ka ardhur një moment që po merr fund.
Shqiptarët tashmë janë të ndërgjegjësuar, shqiptarët janë të qartë.
Shqiptarët tashmë janë të ndërgjegjësuar, shqiptarët janë të qartë, beratasit po e përjetojnë në lëkurën e tyre keqqeverisjen për 11 vite.
Nuk është rastësi sot që Berati pas Gjirokastrës është qarku i dytë me lindshmërinë më të ulët në të gjithë Shqipërinë. Kjo pra është dhurata e Edi Ramës për Beratin dhe beratasit.
Edi Rama dhe banda e tij ka vetëm një impenjim: të vjedhë dhe vetëm të vjedhë.
Cila ishte oferta e parë që Rilindja dhe Edi Rama i bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve? Ishte kanabizimi i çdo pëllëmbe tokë. Kultura e vetme bujqësore në Shqipëri ishte kanabisi. U shuajtën kulturat tjera.
Dhe pastaj fabrika e Xibrakës. Xibraka dhe kanabizimi ishin fillimi i instalimit të një narkoshteti në zemër të Europës.
Ato 300 mijë vende pune që premtoi Edi Rama, a mos vallë ishin te fabrika e Xibrakës se nuk i kemi parë?
Oferta tjetër ishte shëndetësia falas. Nga kjo shëndetësi falas u bënë miliarderët e parë Edi Rama dhe Ilir Beqaj.
Ja pra edhe një ofertë tjetër e Edi Ramës. E mbani mend kur thoshte male me plehra, do e pastrojmë Shqipërinë. Dhe pastrimit iu dha një rrugë dhe rruga e artë ishin inceneratorët. E shiti, e propagandoi, bëri gjithçka që inceneratorët t’i paraqiste si një nga mrekullitë për shqiptarët.
Por çfarë ndodhi? Inceneratorët ishin një pretekst që të vidheshin 340 milionë euro taksat tuaja.
Po të hyjmë dhe të numërojmë nuk na mjaftojnë net dhe ditë të tëra pasi gjëmat dhe bëmat e tyre nuk kanë të sosur.
Dhe sot Shqipëria është në këtë ditë të zezë sepse ka një përgjegjës dhe ky është Edi Rama. Sigurisht që tashmë edhe një tjetër është duke nxjerrë krye, është Erion Veliaj, ky hajdut që përpiqet të imitojë Edi Ramën, por që ka mbetur vegël e tij.
Edhe Erion Veliaj po përpiqet t’i shpëtojë gjykimit qytetar. Mënyrën se si e zhyti Bashkinë e Tiranës në krim dhe korrupsion.
Por çështja që shtrohet sot është a mund të pranojmë modele të tilla ne?
A mund të pranojë shoqëria shqiptare që modeli i qeverisjes të jetë perversiteti, hajdutëria dhe droga?
Kurrën e kurrës!
Sepse nuk ka ndodhur kurrë të krijosh një ndërmarrje me të gjithë vartësit e tu për të mbledhur çdo taksë të qytetarëve. Dhe pastaj nga dëshpërimi shkon e përfundon në spital me overdozë.
Tani i kanë hyrë ethet edhe Erion Veliajt dhe Edi Ramës. Se e dinë që nuk do shpëtojnë.
Në rast se pretendojnë se drejtësia e re do u japë një dorë, drejtësia e popullit që do vijë me votë, do u japë dërrmën përfundimtare.
Sepse nuk pranojmë të na qeverisin narkomanët.
Unë do u them se atë ditë që shkoi në spital për t’u operuar, në ethe ishte stafi mjekësor. Ishin në ethe se Veliaj ishte nën efektin e fortë të kokainës dhe nuk kishte mundësi që t’i bënte efekt narkoza. Janë detyruar që t’i fusin dozën e elefantit që të mund t’i bënin ndërhyrjen Erion Veliajt.
Ja pra, kjo është fytyra e pushtetit dhe në këtë gjendje janë pushtetarët e narkoshtetit.
Drejtësia është sot bashkëautore me qeverinë për të vrarë shpresën e shqiptarëve.
Sepse drejtësia nuk po bën punën e saj, por i ka shpallur luftë jo korrupsionit dhe krimit, por i ka shpallur luftë opozitës.
Dhe sot mban liderin tonë të arrestuar.
Sot e gjithë trupa drejtuese e liderëve të opozitës është e sulmuar nën atak permanent nga drejtësia: Sali Berisha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Fatmir Mediu, Beleri në burg.
Kjo pra është lufta që drejtësia e re politike i ka hapur PD hde opozitës.
Ndërkohë, ata që janë simbol i korrupsionit, nuk ndëshkohen.
Në antitezë me këtë realitet të zymtë, një gjë e mirë po ndodh në këtë vend. Opozita është e bashkuar. Ne jemi duke ecur drejt forcimit dhe ringritjes totale të opozitës.
Ne përfaqësojmë sot moralin e kësaj shoqërie, vlerat e kësaj shoqërie dhe këto vlera do i ngremë lart.
Shqiptarët po shohin shpresë te PD dhe opozita. Ne do i japim fund kësaj drame 11-vjeçare dhe ne i kemi të gjitha mundësitë që ta bëjmë këtë realitet.
Ne i kemi mundësitë që me votën tonë të vendosim drejtësinë në vend, atë drejtësi që nuk po vendoset me ligj.
Atë drejtësi do e vendosë vota juaj, vota e shqiptarëve të ndershëm.
Dhe kjo ditë nuk është e largët.